Në një komunikim për mediat Agron Shehaj, deklaroi se grabitja e pronave në bregdet nga ministrat, zyrtarët e lartë të PS, apo biznesmenë ortak me kryeministrin Edi Rama është një aksion kriminal.

Ndërkohë PD ka thirrur në interpelancë kryeministrin Rama në lidhje me shpalljen investitorë strategjikë.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETI AGRON SHEHAJ

Të nderuar qytetarë,

Partia Demokratike po ndjek me vëmendje dhe shqetësim të madh aksionin e koordinuar dhe kriminal të qeverisë për grabitjen dhe tjetërsimin e pronave në bregdet.

Çdo ditë, qytetarët shqiptarë po njihen me fakte tronditëse se si bregdeti po grabitet nga ministrat, zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste dhe biznesmenët ortak të qeverise.

Mekanizmi kryesor që po bën të mundur këtë vjedhje të përmasave gjigande është ligji antikueshtetues i investimeve strategjike.

Në fakt, ky ligj do duhej të quhej ndryshe.

Do duhej të quhej ligji i ministrave strategjikë.

Sepse deri tani ka prodhuar vetem ministra me hotele dhe resorte dhe asnjë investime strategjike nga kompanitë e njohura të turizmit nderkombetar.

Shtatë vjet pas miratimit të tij nga maxhoranca socialiste, të gjithë duhet të bëjmë një pyetje.

Cilët janë investitorët që solli në Shqipëri ligji i investimeve strategjike?

Cilat janë brandet e njohura të turizmit që po investojnë sot në bregdetin shqiptar? Ka vetëm një përgjigje; ministrat dhe klientët e Edi Ramës.

Investitorët strategjikë që solli ky ligj janë bashkëshorti i ministrjes së Jashtme, kushërinjtë e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, dhe grushti i përhershëm i miqve të Edi Ramës.

Janë këta që po përvetësojnë pronat dhe plazhet e bregdetit shqiptar.

Janë këta që po marrin favoret që vijnë me statusin e investitorit strategjik, si falje taksash, ndërtim infrastrukture me paratë e qytetarëve, pervetesim i prones publike, etj.

E madje për llogari të këtyre qeveria po shpronëson pronat e qytetarëve në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Përballë këtyre fakteve, Partia Demokratike ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama në lidhje me shpalljen investitorë strategjikë të familjarëve të ministres Xhaçka.

Kryeministri Rama duhet të japë llogari para qytetarëve se si me vendimin e qeverisë te dates 2 mars 2022 i dha pronën publike në përdorim në Dhërmi familjes Xhaçka.

Te japë llogari se si po shkatërrohen Parqet Kombëtare që të ndërtohen resortet e kushërinjve të qeverisë.

Te japë llogari se si po falën qindra mijëra hektarë tokë shtetërore për oligarkët.

Partia Demokratike është e angazhuar të mbrojë interesin publik nga ministrat dhe zyrtarët strategjikë të qeverisë, dhe do vazhdojë të denoncojë të gjitha aferat korruptive të kësaj qeverie.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: