* Akuzat ndaj deputetit Selami, Vasili: Nëse ka rekorde kriminale s’mund të përfaqësojë LSI
* Vasili: LSI sovranitet absolut në vendime

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i ftuar në emisionin ‘Natë me Xhaxhiun’ në News24 ka folur për koalicionin qeverisës dhe mosmarrëveshjet mes dy forcave por edhe për qëndrimin e kësaj force nga ligjit të importit të mbetjeve. Megjithëse nuk ka deklaruar nëse LSI do ta votojë ligjin për importin e mbetjeve apo jo, Vasili tha se LSI nuk do të shkojë kundër vullnetit e shqetësimit qytetar.

“Së pari unë besoj duhet të jetë të enjten por komisioni përkatës nuk e ka marrë në shqyrtim. Unë vetë e kam të qartë çështjen. Jam përpjekur që idenë e qartë që kam ta bashkëndaj edhe me grupin parlamentar. Shqetësimi publik duhet adresuar pasi është i motivuar. Shqetësim që struktura e shtetit tonë jo gjithmonë i jep përgjigje. Vendimet në kushtet e mosbesimit nuk janë vendime të mira. Kjo frymë do prijë vendimin tonë. Shqetësimi ynë është shqetësimi qytetar. Ne nuk do i shkojmë kundër vullnetit të shqetësimit qytetar. Votën nuk mund ta them publikisht për të ruajtur integritetin e institucionit”, theksoi Vasili.

Ai foli edhe për akuzat e PD-së ndaj deputetit të LSI-së, Shkëlqim Selami se është dënuar në Itali për trafik qeniesh njerëzore. Vasili ka qenë i prerë në këtë drejtim dhe tha që institucionet të vijojnë hetimet dhe nëse rezulton e vërtetë ai apo kushdo person s’mund të përfaqësojë më LSI-në

“Kam mbajtur një qëndrim që nuk i ndryshoj asnjë presje. Nuk negociojmë me dekriminalizimin. Në rast se deputeti në fjalë ka rekorde që janë të papërputhshme me ligjin e dekriminalizimit, prokuroria dhe institucionet të ecin përpara me hetimin, ai nuk mund të përfaqësojë më LSI-në. Kushdo qoftë ai, ne jemi investuar shumë për ligjin e dekriminalizimit, ka qenë dhe mbetet prirja jonë. Pa dekriminalizim nuk mund të ketë as reformë në drejtësi”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.

Për sa i përket reformës zgjedhore dhe replikat në distancë mes Luan Ramës dhe Taulant Ballës, Vasilir tha: “Nuk bëhet fjalë për ndarje me PS-në. Thelbi i deklaratës së zotit Luan Rama ka qenë që duhet të ecim shumë shpejt. Është humbur shumë kohë. Kemi shpenzuar kohë të vlefshme. Takticizmi politik në Shqipëri ka humbur shumë kohë. Nuk mund të rrimë në vend. Ka një insistim të fortë nga partnerët ndërkombëtarë”.

Pavarësisht se maxhoranca hodhi poshtë amendamentin e LSI-së për laboratorët spitalorë, Vasili nuk i ka mbështetur akuzat e opozitës ndaj ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj. Ai tha se ‘kritikat ndaj ministrave nuk duhet të jenë as emocionale as të politizuara, sidomos ndaj atyre të shëndetësisë’.

“Nuk dua të merrem me këtë çështje. Nuk ka njeri politik në Shqipëri që nuk është kritikuar. Për mua kritikat ndaj ministrave nuk duhet të jenë as emocionale as të politizuara, sidomos ndaj atyre të shëndetësisë. Kam dëgjuar akuza nga më të çarturat kur kam qenë ministër, edhe monstruozitete edhe në planin personal”, tha ai.

Për sa i përket votimit në seancën e kaluar Vasili tha se ‘amendamenti ishte një thirrje reflektimi që në bindjen tonë ishte një zgjidhje më koherente dhe më racionale’. “Nuk ishte thirrje për PD ishte edhe për kolegët e PS. Mund të reflektonin, nuk reflektuan. Unë nuk mund të loboj për idetë e mia. Shpreh idetë dhe pastaj kush është dakord.
Zoti Tavo dhe Kryemadhi nuk kanë marrë pjesë në votim as për buxhetin. Ishin mungesa siç kishte edhe PS. LSI ka dhënë prova të një sovraniteti absolut. Kemi provuar të konkurrojmë disa herë edhe vetëm”, tha Vasili duke theksuar se për të koncesioni i laboratorëve nuk është i favorshëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb