Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se do të ligjërojë të drejtën e abortit, në janar nëse demokratët mbajnë shumicën në Kongres. Premtimi vjen në prag të zgjedhjeve të nëntorit dhe presionit në rritje për shkak të inflacionit të lartë.

Partia Demokrate e Presidentit Biden mund të humbasë kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe të Senatit, në zgjedhjet e nëntorit. Zoti Biden po përpiqet të mbajë të bashkuar partinë dhe mbështetësit e tij mbi të drejtën e abortit, që u cenua rëndë nga Gjykata e Lartë e cila anuloi vendimin historik të vitit 1973 që përcaktoi se gratë kanë të drejtën kushtetuese për të ndalur shtatzëninë në gjashtë muajt e parë kur fetusi nuk është në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës.

Nëse zgjerojnë epërsinë e ngushtë në senat, si edhe ruhet kontrolli në Dhomën e Përfaqësuesve, zoti Biden tha se ai do të firmosë në janar për të mbrojtur me ligj vendimin historik që mbron të drejtën e abortit.

“Ky është premtimi që u jap sot juve dhe qytetarëve amerikanë. Ligji i parë që do dërgoj në Kongres është kodifikimi i vendimit historik Roe v. Wade”, tha zoti Biden gjatë fjalës se tij në Howard Theatre, në Washington, të martën.

Ai u bëri thirrje amerikanëve të kujtonin se si u ndjenë pasi u njoftua vendimi i Gjykatës së Lartë.

“Dua të kujtoni se fjala e fundit nuk i takon gjykatës. Nuk i takon ekstremistëve republikanë në Kongres. Fjala e fundit ju takon juve, të drejtës për të zgjedhur. Nëse ju bëni pjesën që ju takon dhe votoni që Kongresin ta udhëheqin demokratët, ju premtoj se në do bëjmë atë që na takon. Unë do bëj atë që më takon”, tha Biden.

Ndalimi i abortit ka hyrë në fuqi në 16 shtete që nga vendimi i gjykatës.

Demokratët aktualisht kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kontrollojnë senatin amerikan të ndarë përgjysmë, 50 me 50, pasi nënpresidentja Kamala Harris hedh votën përcaktuese të çdo legjislacioni .

Miratimi i një projekt-ligji të tillë mund të jetë i vështirë edhe nëse demokratët mbajnë shumicën e tyre të Senatit, pasi miratimi i ndryshimit të ligjit kërkon mbështetjen e 60 senatorëve nga 100 që ka Senati.

Disa demokratë kanë sugjeruar shfuqizimin e rregullit të Senatit parlamentar të quajtur “filibuster”, në bazë të së cilit miratimi i shumicës së ligjeve kërkon mbështetjen e 60 anëtarëve të tij, por deri tani nuk ia ka dalë të sigurojnë mbështetjen brenda radhëve të tyre për të bërë këtë ndryshim.

Edhe pse aborti po zë një peshë kritike në mesazhet e demokratëve për zgjedhjet e nëntorit, një sondazh i Ipsos tregon se amerikanët janë më shumë të shqetësuar për inflacionin,.

20% e grave demokrate e cilësojnë të drejtën e abortit si përparësi kryesore në zgjedhjet e nëntorit, krahasuar më 22% që rendisin si përparësi inflacionin.

9% e burrave demokratë e kanë renditur si çështje kryesore abortin, krahasuar më 19% që konsiderojnë inflacionin si shqetësimin kryesor.

Këtë muaj, Presidenti Biden dhe zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë njoftuan udhëzime dhe grante të reja për të mbrojtur të drejtat e abortit dhe kontraceptivëve. Ai ka deklaruar nuk do të “rrijë duarkryq dhe të lejojë republikanët në të gjithë vendin të zbatojnë politika ekstreme.”/VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: