Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Personat të cilëve u rrezikohet jeta për shkak të aktivitetit shtetëror si dhe ata që rrezikohen për shkak të rrethanave personale të veçanta do të lejohen të mbajnë armë. Por, kjo do të vlerësohet nga një komision i veçantë që do të ngrihet nga Policia e Shtetit. Ky ishte një nga vendimet e marra dje, në mbledhjen e qeverisë. Sipas këtij vendimi, “Policia e Shtetit ka përgjegjësinë për vlerësimin e kërcënimit të rrezikut për jetën për persona që, për shkak të aktivitetit shtetëror ose të rrethanave personale të veçanta, janë të ekspozuar ndaj rrezikut për jetën dhe u njihet e drejta e mbrojtjes së veçantë”. Vlerësimi i rrezikut për jetën dhe lëshimi i autorizimit përkatës për mbajtje arme bëhet për dy kategori personash: a) Persona në rrezik për shkak të aktivitetit shtetëror; b) Persona në rrezik për shkak të rrethanave personale të veçanta. Për këtë, “Policia e Shtetit të krijojë komision për vlerësimin e rrezikut të personave, për shkak të aktivitetit shtetëror që kanë pasur ose kanë aktualisht, si dhe për ata për shkak të rrethanave personale të veçanta, të përbërë nga 5 vetë, në përbërje të të cilit do të jenë: a) Drejtori i Sigurisë Publike Kryetar; b) Drejtori për krimet e rënda anëtar; c) Drejtori për krimet anëtar; ç) Jurist i drejtorisë anëtar; d) Shefi i sektorit për shërbimet ndaj të tretëve anëtar”. Sipas vendimit, për vlerësimin e kërcënimit për jetën, brenda 72 orëve nga paraqitja e kërkesës, administrohet dokumentacioni si më poshtë: Individi bën një kërkesë individuale që kërcënohet për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta. Kësaj i bashkëngjitet një relacion nga komisariati ku banon personi, lidhur me ekzistencën e kërcënimit të jetës së personit, që kryen apo ka kryer më parë aktivitet shtetëror, ose të rrethanave personale të veçanta. Më pas, pjesë e kërkesës janë edhe materiale të dala nga hetimi, materiale të dala nga kryerja e operacioneve apo teknikave speciale të hetimit etj., që i disponon policia ose institucione të tjera shtetërore, për ekzistencën e kërcënimit ose rrezikut të jetës së personit që ka bërë kërkesën; kopje e dokumentit identifikues të personit të kërcënuar; vërtetim besueshmërie për personin e kërcënuar, hartuar nga komisariati ku ka vendbanimin. Në pjesën sqaruese se çfarë nënkuptohet me “rrethana personale të veçanta” përfshihet; “a. rrethanat që krijohen si rezultat i ekzistencës reale të kërcënimit për jetën, për persona që ndihmojnë policinë apo struktura të tjera shtetërore, në lidhje me identifikimin e veprave penale, autorëve të tyre si dhe sigurimin e provave të tjera; b) rrethanat që krijohen për shkak të aktivitetit shtetëror që ka pasur ose ka personi që kërcënohet; c) rrethanat që krijohen si rezultat i kallëzimeve për vepra penale në një mjedis ku reagimi për këtë veprim është kërcënues për jetën e kallëzuesit”. Autorizimin për mbajtjen e armës e firmos Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 24 orëve nga vendimmarrja e komisionit. Afati i shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të veçantë dhe lëshimi/refuzimi i autorizimit për mbajtje arme është 15 ditë. Po dje, qeveria miratoi edhe dy vendime të tjera për armët. Njëri ka të bëjë me njoftimin e degëve të policisë, pasi vdes pronari i armës, ose kur arma humbet. Ndërsa vendimi tjetër ka të bëjë me armët e koleksionit, të cilat duhet të jenë armë të prodhuara së paku 50 vjet para.
ÇFARË PARASHIKON VENDIMI I QEVERISË
n Dy kategori personash mund të marrin armë:
a) Persona në rrezik për shkak të aktivitetit shtetëror;
b) Persona në rrezik për shkak të rrethanave personale të veçanta.
n Dokumentet që kërkohen:
a) Kërkesa individuale e personit që kërcënohet për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta;
b) Relacion nga komisariati ku banon personi, lidhur me ekzistencën e kërcënimit të jetës së personit, që kryen apo ka kryer më parë aktivitet shtetëror, ose të rrethanave personale të veçanta;
c) Ekstrakte nga informacionet, materiale të dala nga hetimi, materiale të dala nga kryerja e operacioneve apo teknikave speciale të hetimit etj., që i disponon policia ose institucione të tjera shtetërore, për ekzistencën e kërcënimit ose rrezikut të jetës së personit që ka bërë kërkesën;
ç) Kopje e dokumentit identifikues të personit të kërcënuar;
d) Vërtetim besueshmërie për personin e kërcënuar, hartuar nga komisariati ku ka vendbanimin.
n Rrethanat personale të veçanta përfshijnë:
a) Rrethanat që krijohen si rezultat i ekzistencës reale të kërcënimit për jetën, për persona që ndihmojnë policinë apo struktura të tjera shtetërore, në lidhje me identifikimin e veprave penale, autorëve të tyre si dhe sigurimin e provave të tjera;
b) rrethanat që krijohen për shkak të aktivitetit shtetëror që ka pasur ose ka personi që kërcënohet;
c) rrethanat që krijohen si rezultat i kallëzimeve për vepra penale në një mjedis ku reagimi për këtë veprim është kërcënues për jetën e kallëzuesit.
Autorizimin për mbajtjen e armës e firmos Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 24 orëve nga vendimmarrja e komisionit.
Afati i shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të veçantë dhe lëshimi/refuzimi i autorizimit për mbajtje arme është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë.
Afati i vlefshmërisë së autorizimit të posaçëm për mbajtje arme varion sipas ekzistencës së kërcënimit dhe rrezikut për jetën.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: