NGA ERJOLA JATA*
TIRANË- Me propozim të dy deputetëve Ervin Koçi dhe Erion Braçe komisioni parlamentar i ekonomisë ka miratuar vetëm me votat e maxhorancës projektligjin i cili synon të lehtësojë procedurat e rimbursimit të TVSH-së për bizneset. Nismëtari i projektligjit Ervin Koçi dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj kanë shpjeguar ndryshimet ligjore të cilat do të përmirësojnë procedurat e rimbursimit të TVSH-së.

“Të dy projektligjet parashikojnë të njëjtin ndryshim në procedurat për rimbursimin e tatimit të vlerës së shtuar. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve duhet të krijohet drejtoria e rimbursimit të TVSH-së pranë së cilës paraqitet kërkesa e tatim paguesit për rimbursimin e TVSH-së kjo kërkesë paraqitet sipas një formulari me model të miratuar dhe drejtoria e rimbursimit të TVSH-së në bashkëpunim me drejtorinë rajonale tatimore kur është e nevojshme kryen procedurat për  rimbursimin e TVSH-së siç përcaktohet në ligjin ekzistues”, tha Koçi.

Ndërsa Shehaj ka sqaruar se “Ndryshimi që prezantohet është qendërzimi i rimbursimit të TVSH-së që do të thotë do të krijohet një drejtori në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, specifike me ekspertët më të mirë për ligjin e TVSH-së. “Do të merret po kjo drejtori me rimbursimin e TVSH-së që do të thotë nuk do jetë më çdo drejtori rajonale e lirë të interpretojë ligjin e TVSH-së dhe të krijojë problematika në lidhje me rimbursimin por do jetë një drejtori  e qendërzuar në DPT që do bëjë të gjithë procesin e rimbursimit do monitorojë afatet mos të tejkalohen afatet”, tha Shehaj.

Por opozita ka rezervat e saj ndonëse e quan një nismë pozitive ajo akuzon qeverinë për mosrealizim të objektivit të të ardhurave  dhe vonesat në rimbursimin e TVSH-së.

“Unë e përshëndes nismën e cila kërkon të thjeshtojë dhe lehtësojë burokracitë lidhur me rimbursimin e TVSH-së edhe pse është deklaruar nga qeveria se ky problem konsiderohet i zgjidhur në fakt nuk është i tillë. Nisur nga ky propozim ecuria e të ardhurave të buxhetit gjithnjë e më shumë po dëshmon për një mungesë të eficencës së administratës fiskale ka më pak karburante, ka më pak cigare janë në nivelet historike më të ulëta gjatë 10 viteve të fundit çdoganimi i cigareve, dhe kur them ka më pak nuk e kam fjalën me programin që ka bërë qeveria e kam fjalën për periudhat e shkuara”, theksoi deputeti i PD-së, Ridvan Bode.

“Janar- qershor 2012, 3.2 miliard, janar-qershor 2013 çuditërisht 4.3 mld po këtu është edhe ajo 900 milionëshi që vodhi drejtori. Janar-qershor 2014, 2.3 mld dhe mos harrojmë një gjë, ndryshimin ligjor që u bë në 2013, kur ne dhe qeveria vendosëm që e gjithë pjesa e TVSH-së e kreditueshme deri në dhjetor të 2013 do të paguhej nëpërmjet fondit të FMN-së dhe të gjithë kredia e akumuluar nga Janari 2014 ishte që të paguhej nga administratë tatimore dhe ndryshimi procedural duke futur thesarin na bëri që të paktën 3 muajt e parë të 2014 ne, të mos kishim një shumë të madhe rimbursim se nuk kishim çfarë të rimbursonim. Janar-qershor 2015 është 3.3 mld flasim vetëm rimbursim neto, rimbursim faktik kesh”, u shpreh Shehaj.

Thjeshtimi i procedurave për rimbursimin e TVSH i është rekomanduar qeverisë shqiptare vetëm pak kohë më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb