Parlamenti miratoi ligjin e ri të prokurimit publik, por sipas deputetit të opozitës Myslim Murrizi korrupsioni me paranë publike luftohet me vullnet pasi ligjet janë.

“Ajo që shoh me shqetësim është që kjo maxhorancë në 4 muajt e fundit para zgjedhjeve një sërë nismash ligjore për grupe të vogla të caktuara individësh me idenë për të treguar që është qeveri zemërgjerë dhe është maxhorancë babaxhane në fund të mandatit të saj, edhe kjo në funksion të një grushti votash më shumë.
Seancën e kaluar miratuam një ligj për 847 ushtarakë, sot janë dy ligje, për 141 punonjës të ish-industrisë së armëve dhe municioneve të këtij vendi ndër vite dhe për 303 ish-minatorë. Akte normative për të dëmshpërblyer familjet të cilat nga arroganca e shtetit kanë humbur familjet e tyre janë akte të turpshme politike sepse qytetarët kërkojnë nga shteti mbrojtje dhe drejtësi. Unë mbaj mend mirë dhe qurravitjet e opozitës së atëhershme më 21 janar 2011 dhe rrahje ne gjoksit që sa të vijë në pushtet fajtorët do të jenë prapa hekurave dhe kanë 7 vite e 8 muaj që kanë ardhur në pushtet ata që qanin atë kohë dhe jo vetëm që nuk pamë fajtorë pas hekurave por me fajtorët imagjinarë bëtë Pazar, u ulët në tavolinë, ndani dhe ndatë në atë kohë trofe dhe vende në institucionet kushtetuese dhe non-stop për 7 vite ndani para publike, ndani tendera me njeri-tjetrin.
Ligji për prokurimet publike nuk besoj se ka qenë handikap i 30 viteve në këtë vend që ka pasur korrupsion në të gjithë tenderat, pa i dalluar nga ngjyrat se cila forcë politike ka pasur këto karrige pas meje. Unë besoj që ka munguar vullneti për të mos futur duart në xhepat e taksave të qytetarëve shqiptarë dhe për të mos përvetësuar nga paratë publike nëpërmjet prokurimeve publike”, tha ai.

Më pas Murrizi renditi abuzimet që bëhen haptazi dhe kërkoi që prokuroria të vihet në lëvizje.
“Ligji për prokurimet publike që shitet sikur do bëjë namin është një ligj që nuk kërkon shumë rreshta, por kërkon që ata që prokurojnë dhe urdhëruesit e tyre që marrin pjesë në komisionet e prokurimeve të mos jenë të pangopur, të mos jenë të babëzitur, të mos jenë të pafytyrë, të mos jenë kaq njerëz me një grykësi të pashoq.
Kur tenderohet 20 milionë euro 1 kilometër autostradë apo rrugë në mes të Tiranës, 4.5 milionë euro në rrugën Korçë-Ersekë, 2.8 në një vend tjetër ku prokurohet 1200 euro metri katror rikonstruksioni i shkollave Divjakë, Çermë, Këmishtaj, kur prokuron Tan Agolli mbi 200 milionë euro si i teket në rilindjet urbane të 100 fshatrave që i teket kësaj maxhorance, unë do doja që të kishte një ligj konciz për prokurimet publike, një ligj siç e ka bota dhe të ftoja prokurorinë speciale apo prokuroritë e rretheve të hetojnë çdo prokurim, çdo tender sepse nuk janë paratë e maxhorancës por paratë e taksapaguesve shqiptarë”, deklaroi Murrizi.

Brezave po u lidhet një borxh publik marramendës sipas Murrizit, ndërkohë që është abuzuar me kornizën ligjore të prokurimeve publike.
Ligji kërkon që mos të ketë më me demek prokurime sekrete. Sekret i madh! Nga 2014 deri në 2019 kjo maxhorancë ka realizuar 243 kontrata të këtij lloji, sekreti të famshëm. Raporti i KLSH-së thotë që vetëm në Ministrinë e Mbrojtjes janë realizuar 75% të tenderave në mënyrë konfidenciale. Raporti i KLSH-së thotë që rreth 40% e prokurimeve publike në këtë vend në 7 vite të qeverisjes tuaj janë me një pjesëmarrës të vetëm në garë, çka do të thotë që nuk është prokurim publik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb