NGA ERJOLA JATA*
TIRANË- Brenda 2 muajsh qeveria shqiptare pret të arrijë një marrëveshje për të hequr ekskluzivitetin e fluturimeve, aeroportit të vetëm në Shqipëri, atij të Rinasit. Deklarata është bërë gjatë prezantimit të projektligjit të turizmit ne komisionin e veprimtarisë prodhuese nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

“Jemi ne negociatë të avancuar për të hequr ekskluzivitetin dhe për ti dhënë mundësi Shqipërisë të ketë 3 aeroporte të tjera, 2 në jug, 1 në veri dhe ju garantoj që brenda dy muajve ekskluziviteti me dialog dhe me negociatë miqësore do të hiqet”, tha Ahmetaj.

Përpara komisionit të veprimtarisë prodhuese ministri Ahmetaj pranoi se kemi një bregdet aspak të pastër, i cili brenda 4 muajve do të pastrohet tërësisht.

“Pushteti lokal është në zgjedhje, është bërë bregdeti zhul dhe imagjinoni që ne presim 25% më shumë turistë. Kemi marrë iniciativë që e kalojmë në qeveri, që ti japim mundësinë Agjencisë së Bregdetit që të marrë punonjës për 4 muaj të pastrojnë bregdetin”, tha ai.

Bregdeti shqiptar njihet gabimisht si i mbushur me bomba ne hartat ndërkombëtare duke bërë që jahtet dhe krocerat të mos ndalojnë në Shqipëri.

“Sot Shqipëria në disa kompani sigurimesh ekziston si territor që ka bomba detare dhe nuk ndalojnë jahte, kjo është fatkeqësi 22-vjeçare, ministria ka marrë një iniciativë për ti sqaruar në mënyrë që hartat të mos dalin sërish me bomba detare”, tha Ahmetaj.

Shqetësimit të deputetëve për uljen e TVSH-së në paketën e re për ligjin e turizmit Ministri Ahmetaj iu përgjigj se brenda dy javësh do të prezantohet një paketë ku përfshihet edhe ulja e TVSH-së për Turizmin.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb