TIRANË

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, deputetja e PD Grida Duma deklaron se në mbledhjen e djeshme të Komisionit është dakordësuar për disa rregullime në ligjin mbi vullnetarizmin, që iu japin mundësi të rinjve të hyjnë në tregun e punës me një ‘patentë’ rekomanduese.

Bëhet fjalë për pagesën për kontributet e sigurime shëndetësore si dhe një adresë dixhitale e vullnetarizmit, ku çdo i ri të dijë ku të aplikojë për të qenë vullnetar e më pas për tu rekomanduar në tregun e punës.

Ajo deklaron se në dy muajt në vijim do të finalizohen në ligj këto rregullime që e bëjnë ligjin të përdorshëm për të rinjtë dhe profesionistët.

POSTIMI I PLOTË

Seanca e djeshme e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale trajtoi me sukses ligjin mbi vullnetarizmin.

Një arritje e rëndësishme për të rinjtë në tregun e punës.

Çdo i ri që mbaron studimet has vështirësinë e parë kur aplikon për punë, pikërisht kur punëmarrësit i kërkojnë eksperiencë pune.

Një i ri nuk mund të ketë përvojë pune nëse po kërkon punë për herë të parë.

Për këtë e ndihmon certifikata e vullnetarizmin. Pra kryerja e një pune vullnetare në një kohë të caktuar kthehet në “patentën” rekomanduese të tij të hyrjes në tregun e punës.

Ligji për Vullnetarizmin, është miratuar në 2016 me iniciativën e dy deputeteve Mehmetaj dhe Caka.

Iu rikthyem ligjit sepse me gjithë miratimin para 6 vitesh nuk ka pasur aplikim.

Dakordësuam me Ministritë e Ekonomisë dhe të Rinisë për rregullimin e këtyre elementëve:

– pagesa për kontributet e sigurime shëndetësore të administrohet me Tatim Taksat që të sigurojë aplikimin e ligjit që sot është pengesë për marrjen e Certifikatës;

– për studentët masa e sigurimit të mund të paguhet nga buxheti i shtetit;

– profesionistët që punojnë si vullnetarë si mjekët psh; të përjashtohen nga pagesa e dyfishte e masës sigurimeve;

– të hapet online nga Ministria e Rinisë adresa dixhitale e vullnetarizmit, ku çdo i ri të dijë ku të aplikojë për të qenë vullnetar e më pas për tu rekomanduar në tregun e punës.

Në dy muajt në vijim do të finalizohen në ligj këto rregullime që e bëjnë ligjin të përdorshëm për të rinjtë dhe profesionistët.

Grida Duma
Grida Duma

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb