TIRANE – Brenda muajit shtator, me rinisjen e punës së qeverisë dhe Kuvendit, Ministria e Brendshme do të depozitojë në Këshillin e Ministrave ligjin e ri për pensionet e policisë. Efektivët e policisë që janë pjesë e skemës së marrjes së pensioneve me ligjin e ri të Policisë së Shtetit do të kenë më shumë përfitime. Në draftin që është hartuar në përputhje me ligjin e ri për uniformat blu, përcaktohet se përfituesit nga ky ligj janë punonjësit aktivë, punonjësit në dispozicion, të pezulluar, me pagesë kalimtare, në pension të parakohshëm, në pension pleqërie, studentë, kursantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj përcaktohen ndryshe. Ndërkohë, një trajtim të veçantë në këtë ligj zënë familjet e efektivëve të rënë në krye të detyrës, apo ata që janë dëmtuar gjatë ushtrimit të saj, të cilët kanë më shumë përfitime se me ligjin për pensionet suplementare, ku janë përfshirë shumë struktura të tjera, si SHKB, Forcat e Armatosura, Policia e Burgjeve dhe Garda e Republikës. Në ligjin që po botohet sot në “Gazeta Shqiptare”, përcaktohet se kur efektivët kanë të drejtë të përfitojnë paaftësi të përkohshme në punë, kur përfitojnë shpërblim të menjëhershëm dhe pagesë kalimtare, si përfitohet pensioni i parakohshëm suplementar në bazë të vjetërsisë së shërbimit, si dhe kur përfitojnë pension shërbimi.
Pagesa kalimtare
Me ligjin e vjetër të llogaritjes së pensioneve, efektivët e policisë, të cilët nxirreshin në rezervë apo lirim, merrnin një shpërblim të menjëhershëm, në masën e dy pagave referuese mujore dhe pas kësaj fillonte trajtimi financiar me pagesë kalimtare, e cila jepej kur përfituesi ka jo më pak se 3 muaj shërbim dhe llogaritet në masën 50 për qind të pagës referuese mujore dhe fillon në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim. Ndërsa në projektligjin që pritet të miratohet në Kuvend, në nenin 14 të tij, thuhet se punonjësi i policisë që ndërpret marrëdhëniet e punës përfiton pagesë kalimtare në masën 50% të pagës mujore, të muajit të fundit për një periudhë 2-vjeçare si dhe shpërblim të menjëhershëm në masën e 2 pagave mujore.
Pensionet për vjetërsi shërbimi
Në draftin e ri që disponon “GSH”, efektivët që ndërpresin marrëdhëniet e punës nuk trajtohen më vetëm me pension të parakohshëm, siç ka qenë në ligjin e vjetër të pensioneve, por në masën e këtij përfitimi shtohet edhe pensioni suplementar. “Punonjësi i policisë që ndërpret marrëdhëniet e punës përfiton pension të parakohshëm suplementar në masën 50% të pagës mujore e të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim. Këtë pension e përfitojnë të plotë punonjësit e policisë, të cilët kanë vjetërsi shërbimi 15 vite për meshkujt dhe 12 vite për femrat, si dhe kanë mbushur moshën 47 vjeç për meshkujt dhe 42 vjeç për femrat”, thuhet në nenin 15 të draftit, ku flitet për pensionin suplementar të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Nëse bëjmë një krahasim me ligjin e vjetër nr.10142, në nenin 13 të tij ku flitet vetëm për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, thuhet se masa e këtij pensioni është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore, për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, e cila shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese. Ndërsa në projektligjin që pritet të miratohet së shpejti kanë të drejtë që të përfitojnë edhe efektivët që kanë 10-15 vjet shërbimi për meshkujt dhe 7-12 vite për femrat, në masën 3 % më pak se 50 % të pagës mujore, të muajit të fundit për çdo vit, gjë që ligji i vjetër nuk ua lejon. Veç kësaj, në këtë projektligj përcaktohet qartë se për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese. Pra, për efektivët që kanë mbi 15 vite shërbimi për meshkujt dhe mbi 12 vite për femrat, masa e pensionit rritet me 2% të pagës. “Për çdo vit shërbimi mbi 15 vite për punonjësit e policisë meshkuj dhe 12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi përfiton shtesë në masën 2% të pagës mujore të muajit të fundit. Shuma e përfitimit nuk duhet të jetë më shumë se 65% e pagës mujore të muajit të fundit”, citohet në nenin 15 të draftit. Por, me anë të këtij projektligji do të kenë mundësi të përfitojnë edhe pension suplementar shërbimi, i cili në ligjin e vjetër nuk ka ekzistuar. Kështu, në nenin 16 të draftit thuhet se “punonjësi i policisë ka të drejtë të dalë në pension shërbimi kur ka plotësuar 25 vite vjetërsi shërbimi dhe moshën 55 vjeç për meshkuj dhe 50 vjet për femrat. Masa e pensionit është 65% e pagës mujore të muajit të fundit dhe për çdo vit shërbimi mbi 25 vjet, masa e pensionit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 75% të pagës mujore të muajit të fundit”.
Pensioni për paaftësi
Në nenin 9 të projektligjit që është përgatitur së fundmi përcaktohet se sa është masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë, e cila duke e krahasuar me ligjin e vjetër të llogaritjes së pensioneve, ka pësuar një ulje. Kështu, në projektligjin e ri përcaktohet se për këtë rast përfitimi llogaritet 100 për qind e pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë, për një periudhë prej 6 muajsh dhe 10 për qind e pagës mujore, të muajit të fundit kalendarik të shërbimit në periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim. Ndërkohë që me ligjin e vjetër nr.10142 të llogaritjes së pensioneve, pjesë e këtij përfitimi llogaritej edhe 20 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim.
Efektivët e rënë në detyrë
Në draftin e ri, familjarët e policëve që kanë rënë në krye të detyrës trajtohen në mënyrë të veçantë, ndërkohë që në këtë projektligj për këto familje shtohen edhe ndihmat e menjëhershme financiare në rast vdekjeje, të cilat në ligjin e vjetër në bazë të të cilit llogariten përfitimet e kësaj kategorie, nuk janë. “1.Pjesëtarëve të familjes që bashkëjetonin me punonjësin e policisë në çastin e humbjes së jetës për shkak të detyrës, u jepet ndihmë e menjëhershme financiare, në masën deri në 10 paga mujore, sipas pagës mujore të muajit të fundit. 2.Pjesëtarët e familjes që bashkëjetonin me punonjësin e policisë në çastin e humbjes së jetës, për shkak të detyrës, përfitojnë ndihmë financiare në masën e një page për gradë, të pagës mujore, të gradës që kishte punonjësi, në çdo përvjetor vdekjeje. 3.Punonjësi i policisë në rast të plagosjes për shkak të detyrës që ka sjellë humbjen e aftësisë së përkohshme në punë mbi 9 ditë, përfiton ndihmë të menjëhershme financiare, deri në 5 paga mujore, sipas pagës mujore të muajit të fundit”, citohet në nenin 12 të këtij projektligji, në të cilin trajtohen ndihmat e menjëhershme. Ndërsa në nenin 13 të draftit, ku përcaktohen kriteret për ndihmën e menjëhershme financiare në rast vdekjeje të punonjësve të uniformave blu, thuhet: “Pjesëtarëve të familjes së punonjësit të Policisë së Shtetit që humb jetën u jepet ndihmë e menjëhershme dhe u kompensohen shpenzimet e varrimit”.
NDRYSHIMET NE LIGJIN E PENSIONEVE

Ishte
Neni 9
Masa e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë
Masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë llogaritet:
a) 100 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë.
b) 20 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim.
c) 10 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit për periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim.

Bëhet
Neni 9
Masa e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë
Masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë llogaritet:
100 për qind e pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë, për një periudhë prej 6 muajsh.
10 për qind e pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit në periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim.

Ishte
Neni 12
Shpërblimi i menjëhershëm dhe pagesa kalimtare
1. Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm i Forcave të Armatosura, i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nxirren në rezervë apo lirim, marrin një shpërblim të menjëhershëm, në masën e dy pagave referuese mujore dhe pas këtij, fillon trajtimi financiar me pagesë kalimtare.
2. Pagesë kalimtare jepet kur përfituesi ka jo më pak se 3 muaj shërbim. Pagesa kalimtare llogaritet në masën 50 për qind të pagës referuese mujore dhe fillon në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim.
3. Trajtimi financiar me shpërblimin e menjëhershëm dhe me pagesë kalimtare, për të dyja llojet e përfitimeve së bashku zgjat për aq muaj sa përfituesi ka vjetërsi shërbimi, por jo më shumë se 24 muaj.
Bëhet
Neni 14
Shpërblimi i menjëhershëm dhe pagesa kalimtare
1.Punonjësi i policisë që ndërpret marrëdhëniet e punës përfiton pagesë kalimtare në masën 50% të pagës mujore, të muajit të fundit, për një periudhë 2-vjeçare, si dhe shpërblim të menjëhershëm në masës e 2 pagave mujore.
2. Personat e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni nuk përfitojnë shpërblim të menjëhershëm dhe pagesë kalimtare, në rastet kur:
a) Kryejnë vepra penale ose shkelje, që dënohen me masën disiplinore përjashtim nga Policia e Shtetit.
b) Lirohet me kërkesën e tij për të filluar një veprimtari jopublike.
c) Lirohet me kërkesën e tij për t’u punësuar në një sektor tjetër shtetëror, me pagesë më të lartë se në Policinë e Shtetit.
d) Kur ka më pak se 5 vite vjetërsi shërbimit të pandërprerë.
3. Në rastet kur përfituesi kalon me status civil në veprimtari shtetërore, përfiton pagesë kalimtare për aq kohë sa është përcaktuar në pikën 3 të këtij neni, por deri në atë masë sa paga e re plus pagesën kalimtare të mos e kalojnë pagën mujore, në bazë të së cilës është llogaritur pagesa kalimtare.

Ishte
Neni 14
Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
1. Pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese.
2. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës 1 të këtij neni, në çastin që lind e drejta për përfitim:
a) Për personat që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
b) Për personat që kanë paguar kontribute suplementare nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës.

Bëhet
Neni 15
Pensioni suplementar i parakohshëm për vjetërsi shërbimi
1. Punonjësi i policisë që ndërpret marrëdhëniet e punës përfiton pension të parakohshëm suplementar në masën 50 % të pagës mujore e të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim.
2. Këtë pension e përfitojnë të plotë punonjësit e policisë, të cilët kanë vjetërsi shërbimi 15 vite për meshkujt dhe 12 vite për femrat, si dhe kanë mbushur moshën 47 vjeç për meshkujt dhe 42 vjeç për femrat.
3. Për çdo vit shërbimi mbi 15 vite për punonjësit e policisë meshkuj dhe 12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi përfiton shtesë në masën 2% të pagës mujore të muajit të fundit. Shuma e përfitimit nuk duhet të jetë më shumë se 65% e pagës mujore të muajit të fundit. Për çdo periudhë shërbimi 10-15 vjet për punonjësit e policisë meshkuj dhe 7-12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi i policisë përfiton pension të parakohshëm në masën 3% më pak se 50% të pagës mujore, të muajit të fundit për çdo vit.

Shtohet
Neni 16
Pensioni suplementar shërbimi shtohet
1. Punonjësi i policisë ka të drejtë të dalë në pension shërbimi kur ka plotësuar 25 vite vjetërsi shërbimi dhe moshën 55 vjeç për meshkuj dhe 50 vjet për femrat.
2. Masa e pensionit është 65% e pagës mujore të muajit të fundit dhe për çdo vit shërbimi mbi 25 vjet, masa e pensionit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 75% të pagës mujore të muajit të fundit.
3. Punonjësi i policisë që plotëson kriteret e këtij neni përfiton pension shërbimi pa u trajtuar me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm suplementar.
4.Përfitues sipas këtij neni janë punonjësit e Policisë së Shtetit, që ndodhen në karrierë me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 108/2014, datë 01.09.2014 “Për Policinë e Shtetit”.
5. Rregullat dhe procedurat e trajtimit me pension shërbimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: