NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Ligji i ri për pronat u lë 60 ditë afat pronarëve të plotësojnë dosjen për kompensim. Në rast se shkelet ky afat, pronari humbet të drejtën e kompensimit. Në ligjin për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, në nenin 27, në pikën 1 të tij thuhet: “ATP-ja shqyrton kërkesat e paraqitura dhe që janë të patrajtuara sipas dispozitave të këtij ligji. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, subjekteve të interesuara u caktohet një afat prekluziv prej 60 ditësh për aplikim në lidhje me njohjen e pronësisë.

Ky afat nuk mund të zgjatet dhe as të rivendoset në afat nga gjykata apo ndonjë organ tjetër administrativ”. Agjencia e Trajtimit të Pronave, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të ri do të përgatisë formularin- tip, të cilin duhet ta plotësojnë ish-pronarët. Në ligjin e ri janë parashikuar afatet e vlerësimit të vendimeve, regjistrimi i vendimeve, mënyra, afatet dhe procedura për pagesat e pronarëve.

AFATET E VLERËSIMIT TË VENDIMEVE PËR KOMPENSIM
1. ATP-ja, brenda një afati 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e këtij ligji, do të vlerësojë financiarisht, sipas përcaktimeve të këtij ligji, të gjitha vendimet përfundimtare që kanë të njohur të drejtën e kompensimit.
2. Nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati 3- vjeçar detyrimin për të vlerësuar të gjitha vendimet që kanë të njohur të drejtën e kompensimit, atëherë subjektet mund t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për të bërë vlerësimin sipas përcaktimeve të këtij ligji.
3. Prioritet për vlerësimin do të kenë vendimet përfundimtare që janë më të vjetra dhe vlerësimi do të fillojë në mënyrë kronologjike nga vendimet përfundimtare që kanë datë më të vjetër deri në vendimet më të reja.

Regjistrimi i vendimeve të kompensimit, mënyra, afatet dhe procedura për kompensimin financiar të pronarëve
1. ATP-ja, brenda një afati 6-mujor nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të publikojë një regjistër me të gjitha vendimet përfundimtare që njohin të drejtën e kompensimit të pronës së subjekteve të shpronësuara. Regjistri duhet të përmbajë informacion për dokumentacionin që mungon në dosjen e vendimit. Regjistri bëhet publik në faqen zyrtare të ATP-së, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare dhe/ose në media. Rregullat e krijimit, mbajtjes dhe administrimit të regjistrit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ATPsë.
2. Subjektet e interesuara mund të plotësojnë dokumentacionin e paraqitur si i munguar nga ATP-ja, i nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit.
3. Në rast se vendimet përfundimtare kanë të meta teknike/hartografike apo gabime materiale të dukshme, atëherë, me kërkesë të subjektit apo vetë ATP-ja me nismën e saj kur i konstaton, mund të bëjë plotësimin e të metës apo ndreqjen e gabimit pa prekur përmbajtjen e vendimit, referuar Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.
4. Nëse subjektet e interesuara nuk sjellin asnjë dokumentacion që është i nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit brenda afatit prej 6 muajsh sipas pikës 2, të këtij neni, dhe ATPja e ka të pamundur me dokumentacionin që posedon të vlerësojë pronën, atëherë ATP-ja do t’i vlerësojë këto vendime me çmimin minimal të përcaktuar në hartën e vlerës për atë njësi administrative dhe për atë kategori prone.
5. Kompensimi i subjekteve fillon pasi bëhet përfundimtar vendimi i vlerësimit. Vendimi i vlerësimit bëhet përfundimtar kur: a) ka kaluar afati i përcaktuar në pikën 3, të nenit 19, të këtij ligji, dhe nuk ka pasur ankim; b) subjektet e interesuara deklarojnë që nuk do të bëjnë ankim; c) ka ankim dhe është përfunduar shqyrtimi në gjykatat e të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë.
6. Procesi i pagesës për të gjitha vendimet përfundimtare që kanë të njohur të drejtën e kompensimit do të përfundojë brenda një afati prej 10 vitesh nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.
7. Shpërblimi për efekt kompensimi nuk i nënshtrohet asnjë takse dhe tatimi.

ANKIMI NDAJ VLERËSIMIT
1. Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet kundër vlerësimit të Agjencisë për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit.
2. ATP-ja publikon vlerësimin në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.
3. Pas kalimit të afatit 30- ditor, nëse subjekti i interesuar nuk ka bërë ankim, vlerësimi i vendimit përfundimtar të kompensimit ekzekutohet nga ATP-ja sipas përcaktimeve të këtij ligji.

SHQYRTIMI I KËRKESAVE TË PATRAJTUARA
Kërkesat e bëra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe kërkesat e bëra brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj, nëse prona nuk kategorizohet në pronat e përcaktuara në nenet 4 dhe 25, të këtij ligji, do t’i nënshtrohen trajtimit të pronës nëpërmjet njohjes të së drejtës së subjekteve të shpronësuara me vendim të ATP-së dhe kompensimit të tyre sipas këtij ligji. Në çdo rast, aty ku është e mundur, i jepet përparësi kompensimit fizik në pronën që i njihet subjektit me vendim të ATP-së.

TOKAT E DHËNA NË PËRDORIM
Tokat e dhëna në përdorim, me qira ose në ndonjë formë tjetër nga shteti, kur nuk janë të zëna, në kuptim të nenit 25, të këtij ligji, i kompensohen subjektit të shpronësuar sipas kritereve dhe kushteve të këtij ligji. Subjekti përfitues në çdo rast detyrohet të respektojë marrëdhënien juridike ekzistuese.

TRAJTIMI I PRONËS NË TOKAT E ZËNA ME NDËRTIME PA LEJE
1. Për aplikimet e bëra sipas nenit 21, të këtij ligji, në zonat e deklaruara informale me akt ligjor dhe nënligjor, aplikuesve u njihet e drejta për kompensimin e pronës së zënë, sipas kritereve të këtij ligji. Brenda territorit të zonave të deklaruara informale nuk lejohet kompensimi fizik.

2. ATP-ja, në territoret me objekte informale, për aq sa është e mundur, trajton me kompensim fizik brenda pronës së njohur aplikuesit për pjesën e pronës që është e lirë. Nuk lejohet kompensimi fizik nën truallin e objekteve dhe në një hapësirë funksionale përreth, të nevojshme për t’i shërbyer objektit.

3. ATP-ja dhe ALUIZNI veprojnë në vendimmarrjen e tyre mbi të njëjtën hartë, të unifikuar dhe të publikuar elektronikisht, e cila bëhet funksionale brenda 3 muajve nga hyja në fuqi e këtij ligji. ATP-ja, në çdo rast, kryen verifikimin në terren të pronës.

4. Të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, transferohen në llogari të ATP-së, e cila bën shpërndarjen e tyre sipas vlerës së miratuar të shpërblimit.

5. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Financave, në bazë të të ardhurave të arkëtuara, sipas shkronjës “c”, të pikës 3, të nenit 10, të këtij ligji, miraton shumën në dispozicion të subjekteve, të parashikuar në pikën 5, të këtij neni, si dhe shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume.

6. Subjektet, të cilave u është njohur e drejta për shpërblim, në përputhje me ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, përfitojnë shpërblim në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelave ndërtimore, sipas pikës 4, të këtij neni.

7. Pas likuidimit të vlerës së shpërblimit, pjesa e mbetur e fondit kalon në Fondin e Financiar të Kompensimit të subjekteve të shpronësuara, sipas shkronjës “c”, të pikës 3, të nenit 10, të këtij ligji.

SHQYRTIMI I KËRKESAVE
1. Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i akteve të subjekteve të shpronësuara gjatë procesit të trajtimit të kërkesave bëhen sipas këtyre procedurave: Për kërkesat e reja, të cilat do të depozitohen nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në mbylljen e afatit prekluziv prej 60 ditësh, subjektet eshpronësuara do të plotësojnë:
1. Formulari-tip për aplikimin e kërkesave për njohje dhe kompensim, i cili duhet të jetë i nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari-tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.
2. Dokumentacioni ligjor;
3. Dokumentacioni hartografik sipas kërkesave që do të përcaktohen për dorëzimin e tyre.
4. Për kërkesat e paraqitura për trajtim para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe të patrajtuara me vendim, ATP-ja fillon menjëherë shqyrtimin e tyre si më poshtë: Brenda 30 ditëve nga hyrjanë fuqi e këtij ligji, krijon regjistrin e kërkesave pa vendim, bazuar në rendin kronologjik të aplikimit të tyre pranë strukturave përgjegjëse në kohën e dorëzimit të tyre bazuar në nivel qarku. Brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nis procesin e njoftimit të subjekteve të shpronësuara për dokumentacionin që duhet plotësuar në përputhje me kërkesat e përcaktuara me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së, sipas prioritetit të përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, të këtij ligji. Procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të akteve nga subjektet e shpronësuara gjatë trajtimit të kërkesave u nënshtrohen dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: