NGA: Darina Tanushi*

Deputetët e shumicës në Komisionin parlamentar të Ligjeve kundërshtuan dje, amendimet e propozuara nga 25 deputetë të grupit të tyre parlamentar në projektligjin “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”. Deputeti socialist, Bashkim Fino, madje e votoi kundër këtë projekt të kolegëve të tij të grupit. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve, Fino u shpreh: “Unë shikoj një diskordancë, mospërputhje të saktë, të plotë të asaj që ne kemi miratuar, të ligjit të decentralizimit të pushtetit vendor dhe të këtyre neneve që ne nxitohemi t’i bëjmë. Meqë ligji kërkon një kohë më të gjatë, ne miratojmë disa nene të shpejta. Jo ore zotëri, nuk është kështu. Ne kemi një agjenci të implementimit të pushtetit vendor, të decentralizimit të pushtetit vendor, dhe nëse ne e kemi dhënë me vendim që kemi thënë që kullotat dhe pyjet t’i kalojnë pushtetit vendor, atëherë kjo agjenci që ekziston në ministri mund të nxjerrë një rregullore dhe u thotë bashkive ‘do të bëni 1, 2, 3, 4, 5… për kullotat dhe për pyjet'”, – sqaroi Fino mendimin e tij.

Mandej shtoi se “ka një mospërputhje të plotë me ligjin e decentralizimit, që është miratuar me 3/5, që është shumë i rëndësishëm dhe që i ka dhënë kompetenca pushtetit vendor. Ndërkohë, bëjmë sikur i japim kompetenca me këtë ligj, por në fund nuk i japim asnjë gjë”. Por, kryetari socialist i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, iniciues i nismës ligjore, Eduard Shalsi tha se situata është emergjente, pasi njësive të pushtetit vendor iu duhen të përgatisin strukturat. “Riformatimi apo riorganizimi territorial kërkon që bashkitë të jenë të përgatitura me strukturat për të kaluar në administrim, në menaxhimin e pyjeve”, – u shpreh Shalsi. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve mungoi dje opozita, për shkak të bojkotit 10-ditor, por duket se debatet mes vetë socialistëve nuk kanë munguar. Deputeti socialist Shalsi, i cili prezantoi para deputetëve të këtij komisioni këtë nismë, tha se për këto ndryshime, përmes së cilave përcaktohen kompetencat e pushtetit lokal dhe atij qendror, për pyjet, është marrë edhe mendimi i 61 bashkive. “Evidente tashmë është kalimi i funksioneve te pushteti vendor me këto propozime, që në fakt nuk janë të reja, janë te ligji. Thjesht miratojmë më shpejt një pjesë të ligjit në mënyrë që pushteti vendor të vijojë punën normalisht”, – tha Shalsi.

Projektligji është hartuar si nevojë emergjente për zhbllokimin e ngërçit ligjor të krijuar nga reforma e decentralizimit, e cila ia kaloi pushtetit vendor administrimin e pyjeve si funksion të sajin. Kjo nismë u bë e domosdoshme, pasi shqyrtimi i projektligjit “Për administrimin e fondit pyjor e kullosor kombëtar në Republikën e Shqipërisë”, për shkak të komenteve të shumta të ardhura nga grupet e interesit, mund të kërkojë shumë kohë për të përfunduar. Legjislacioni në fuqi për pyjet, këtë pasuri kombëtare ia jep në administrim Ministrisë së Mjedisit. Në fund komisioni miratoi me votat e mazhorancës dhe atë kundër të Bashkim Finos, propozimin për ndryshimet në ligjin për shërbimin pyjor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: