Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Mete prezantoi sot, më 10 maj 2022, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2021. Z. Mete bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore përgjatë vitit të kaluar, si edhe parashtroi disa nga objektivat kryesore të Autoritetit për periudhën në vazhdim.

Në fillim të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se viti 2021, edhe pse sfidues për ekonominë si pasojë e presionit të ushtruar nga rikthimi i valës së pandemisë, shënoi një rimëkëmbje e rritje të shpejtë të tregjeve financiare nën mbikëqyrje. “Qëndrueshmëria e tregjeve financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit, përfshi këtu edhe trajtimin e pagesave të tërmeteve, sugjeron se sektori ka kapacitetin të përballojë presionet e mundshme nga rreziqet e shtuara që paraqet situata aktual”e – u shpreh z. Mete.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u ndal te ecuria e tregjeve nën mbikëqyrje për muajt e parë të vitit 2022, ku konstatohet se tregu i sigurimeve dhe ai i pensioneve private kanë vijuar rritjen, ndërsa asetet e tregut të fondeve të investimeve pësuan rënie me rreth 1% në tremujor, kryesisht si pasojë e luhatshmërisë në tregjet ndërkombëtare për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë. “Edhe pse ekspozimi i fondeve tona të investimit ndaj këtyre tregjeve mbetet i kufizuar, situata po monitorohet në vijimësi nga Autoriteti, i cili ka miratuar edhe një udhëzim duke rekomanduar kujdes të shtuar nga shoqëritë administruese të fondeve dhe një sërë masash të tjera”.

Duke u ndalur te riformatimi i bazës ligjore e rregullatore, për të cilat Autoriteti mori vlerësime edhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian, z. Mete nënvizoi se ligjet e reja kanë dhënë impakt në tregje.

“Ligji për sigurimin e detyrueshëm dhe rregulloret e miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij sollën rritje të vlerës së dëmshpërblimit për disa kategori dëmesh, si edhe reduktim të afateve për trajtimin e dëmeve me vlerë deri në 100 mijë lekë. Janë adresuar problematikat lidhur me Fondin e Kompensimit, ku për herë të parë është krijuar një fond garancie, në vlerën prej 150 milionë lekë, për t’u përdorur për rastet e pagesave që shkojnë për Fond Kompensimi. Gjithashtu, janë ulur komisionet e ndërmjetësimit me të paktën 9%, nga 27.5% në 18.5% në nivel tregu për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik.
Ligjet e reja për sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe për tregjet e kapitalit kanë përafruar legjislacionin tonë me Direktivat Evropiane, kanë modernizuar kuadrin ligjor për këto tregje, si edhe kanë krijuar mundësi të reja ndërlidhjeje me tregjet financiare ndërkombëtare. Gjithashtu ligjet e reja kanë vendosur standarde më të larta licencimi dhe mbikëqyrjeje, duke parashikuar edhe realizimin e një procesi strikt përputhshmërie të subjekteve që operojnë në këto tregje. Për më tepër, projektligji i ri i hartuar nga Autoriteti për fondet private të pensioneve realizon një përafrim të këtij ligji me Direktivën Evropiane, si edhe synon të zhvillojë tregun e pensioneve private”, – theksoi në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF.

Ofrimi i shërbimeve që lidhen me sigurimin e detyrueshëm motorik në portalin e-Albania u veçua si një zhvillim i rëndësishëm për vitin 2021 nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së. “Në këtë mënyrë, rreth 680 mijë qytetarë të cilët pajisen çdo vit me një policë së sigurimit të detyrueshëm motorik, (tpl apo karton jeshil) mund të aksesojnë informacionet apo vërtetimet e nevojshme në lidhje me vlefshmërinë e policës së tyre aktuale të sigurimit, historikun e sigurimit të mjeteve, historikun e dëmeve, si dhe të njoftohen në kohë përpara afatit të skadimit të siguracionit të tyre, në mënyrë që ta rinovojnë atë”, – theksoi z. Mete.

Në fund të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së përmendi disa nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit përgjatë këtij viti dhe në vazhdim, me fokus hartimin dhe miratimin e të gjithë bazës rregullatore në zbatim të ligjeve të reja, përparimin drejt standardeve më të mira ndërkombëtare në mbikëqyrje, zhvillimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të tregjeve financiare, etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb