Katërmbëdhjetë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së i dërguan një letër sekretarit të Shtetit duke kërkuar nga administrata e presidentit Donald Trump që të kundërshtojë rrëzimin e ish-presidentit bolivian Evo Morales, i cili së fundmi u hoq me forcë nga detyra.

“Në vend që të mbështesë një grusht shteti ushtarak, qeveria jonë duhet ta bëjë të qartë se largimi jokushtetues i një presidenti të zgjedhur është i papranueshëm, siç është përndjekja e individëve bazuar në racën apo përkatësinë e tyre politike”, tha kongresisti Hank Johnson në letrën e nënshkruar nga 13 ligjvënës të tjerë, dërguar sekretarit Mike Pompeo.

“Kjo administratë po tregon edhe një herë se nuk ka asgjë tjetër përveçse përçmimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut kur ato pengojnë planin e axhendës së presidentit Trump”, thuhet më tej në letër, ku kërkohet mbështetje për “demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Bolivi”.

Ligjvënësit kërkuan nga administrata Trump të ndryshojë kursin dhe të orientohet për rivendosjen e sundimit kushtetues në vendin e Amerikës Latine, duke përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja të lira dhe të ndershme.

Nënshkruesit e letrës përfshijnë anëtarët e kongresit Ilhan Omar, Susan Wild, Raul Grijalva, Jan Schakowsky, Jared Huffman, Deb Haaland, Alexandria Ocasio-Cortez, James McGovere, Jesus G. “Chuy” Garcia, Bobby L. Rush, Ayanna Pressley, Alan Lowenthal dhe Eleanor Holmes Norton.

Trazirat në Bolivi filluan në tetor, kur presidenti indigjen Evo Morales fitoi mandatin e katërt dhe u përball me rezistencë të menjëhershme nga partitë e opozitës që sfiduan rezultatet e zgjedhjeve. Protestuesit dolën në rrugë duke pretenduar mashtrime gjatë votimit.

Pas trazirave disajavëshe, Morales dha dorëheqjen nën presionin e ushtrisë dhe u transferua në Meksikë, ku iu ofrua azil politik.

Senatorja e atëhershme Jeanine Anez, një konservatore e opozitës, më pas e shpalli veten presidente të përkohshme.

Ndërkohë, demonstratat kanë vazhduar të mbahen nga mbështetësit kryesisht ruralë dhe indigjenë të Moralesit, përfshirë edhe kryeqytetin La Paz, që kur Morales u largua nga vendi.

Mbështetësit e Moralesit këmbëngulin se rrëzimi i ish-presidentit të zgjedhur ishte një grusht shteti.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb