Jusuf Enuzit, shqiptari i dyshuar se më 6 korrik gjatë incidentit në sheshin “Skënderbej” të Shkupit, përdori armë zjarri për të larguar turmën e protestuesve kundër propozimit francez i është caktuar masa e sigurisë, “arrest në burg” për 8 ditë.

I riu shqiptar akuzohet për veprën penale, “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” e dënueshme me burg deri në 5 vjet sipas legjislacionit të Maqedonisë së Veriut.

Organi i akuzës por edhe policia njoftoi se i dyshuari armën, që e përdori për të qëlluar në ajër, në formë paralajmërimi për protestuesit maqedonas që ishin afruar te prona e tij dhe donin ta dëmtonin atë, e posedonte me leje.

Në këtë moment protestuesit u zmbrapsën nga hoteli nga i tij. Ai po ballafaqohej për herë të dytë me sulmin e protestuesve maqedonas, pasi më herët ata kanë dëmtuar makinat e klientëve dhe hodhën sende të forta drejt hotelit të të riut.

Por fotot e tij me armën drejtuar nga turma e protestuesve u përdorën nga kreu i opozitës maqedonase Hirstijan Mickoski për të ngritur një alibi, se atë kishin tentuar ta vrisnin gjatë protestës, duke kërkuar edhe arrestimin e Enuzit.

Ndërkohë, masa e paraburgimit është caktuar edhe për dy protestues të tjerë. Një prej tyre është një 18-vjeçar nga Shkupi, i cili dyshohet se gjatë protestës së dhunshme më 5 korrik ka përgatitur koktej molotovi dhe i ka hedhur në drejtim të policisë dhe godinës së Kuvendit.

Gjithashtu edhe Gorazd Koneski, 22 vjeç gjithashtu banues në Shkup, i cili dyshohet se gjatë protestës ka sjell një çantë gurë dhe sende të forta, me të cilat protestuesit e dhunshëm kanë sulmuar dhe lënduar policinë.

Ndërkohë Prokuroria është duke proceduar penalisht edhe kundër 8 personave të tjerë të moshës 18 deri 36 vjeçare të dyshuar për “pjesëmarrje në turmë e cila kryen vepër penale” që ndërlidhet me protestën e 5 korrikut për sulmin kundër policëve.

Për gjashtë ditë sa është protestuar para Qeverisë, Ministrisë së Jashtme dhe Kuvendit policia ka arrestuar 12 persona, ndërsa njofton se po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në dhunë dhe incidente. Ndërkohë, janë lënduar mbi 50 policë, ndërsa njëri prej tyre ka marr lëndime më të rënda.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb