Ndërkohë që deri tani rastet e Lisë së majmunëve ishin evidentuar vetëm në Britani, raste të tjera janë evidentuar në Spanjë e Portugali, në atë që mund të jetë shpërthimi i parë global i sëmundjes së rrallë.

Spanja është në proces monitorimi të tetë meshkujve të rritur, që beson se janë të infektuar, me teste që po kryhen për të konfirmuar nëse ata kanë virusin.

Të gjithë burrat janë homoseksualë ose biseksualë, sipas mediave lokale, dhe shumica u zbuluan në klinikat STI në Madrid. “Pesë burra në Portugali gjithashtu kanë rezultuar pozitivë dhe të paktën 15 raste të tjera janë duke u hetuar”, thanë zyrtarët shëndetësorë atje sot.

Këto raste janë të gjithë meshkuj dhe kryesisht ‘të rinj’, por ende nuk është e qartë se si ata janë infektuar.

Deri më tani, rastet e lisë së majmunëve kufizoheshin tek udhëtarët dhe të afërmit e tyre që ktheheshin nga Afrika perëndimore dhe qendrore, ku virusi është endemik.

Por ekspertët tani kanë frikë se po përhapet më gjerësisht për herë të parë, pasi shtatë britanikë u diagnostikuan në dy javët e fundit.

Gjashtë prej tyre duket se janë infektuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe shumica nuk janë të lidhur, gjë që sugjeron se më shumë raste po kalojnë të pazbuluar. Drejtuesit e shëndetësisë po përpiqen të gjejnë burimin e rasteve.

Katër nga pacientët britanikë janë burra homoseksualë ose biseksualë dhe zyrtarët thonë se modeli i transmetimit është ‘shumë sugjerues për përhapje në rrjetet seksuale’.

Dr Simon Clarke, një mikrobiolog në Universitetin e Reading, tha për MailOnline se dyshon se numrat e rasteve në Mbretërinë e Bashkuar janë tashmë ‘në dhjetëra’.

Por ai këmbënguli se sëmundja nuk do të përhapet si Covid, duke shtuar: “Do të habitesha nëse do të arrinim ndonjëherë në më shumë se 100 raste në Britani”.Rajonet në të gjithë Spanjën janë vënë në alarm pas njoftimit të tetë rasteve të dyshuara në Madrid.

Pritet ende konfirmimi nga Qendra Kombëtare e Mikrobiologjisë, por shefat e shëndetësisë thonë se ‘duhet pasur kujdes i madh’.

Mjeku më i lartë i shëndetit publik në vend, Fernando Simón, tha se “nuk ka të ngjarë që lija e majmunëve të gjenerojë një transmetim të rëndësishëm, por nuk mund të përjashtohet”.

Sistemi spanjoll i alarmit shëndetësor u ka bërë thirrje komuniteteve që të njoftojnë shërbimet shëndetësore publike ‘urgjentisht’ për pacientët me simptoma.

Ai tha se tani është e nevojshme të merren masa ekstreme mbikëqyrjeje dhe të hetohen të gjitha hipotezat për rrugët e infektimit.

Screenshot 9
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb