Partia e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Arsimit.

Për ministër, AAK-ja ka propozuar profesorin e Universitetit të Prishtinës, Ramë Likaj. Ky emër ka ngjallur reagime të shoqërisë civile.

Sipas Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të UP-së si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës e mashtrimit akademik. Propozimi i tij si ministër, sipas ORCA-s, është sulm direkt mbi cilësinë në arsim.

“Ramë Likaj është avancuar nga pozita e profesorit të asocuar në atë të profesorit të rregullt në vitin 2018 përmes një procesi mashtrues. Likaj, me rastin e avancimit të tij, ka paraqitur 19 punime shkencore brenda 1 viti e gjysmë, sa 19-fishi i kolegëve të tij norvegjezë që arrijnë të publikojnë jo më shumë se 1 punim në vit. Së bashku me 7 profesorë të tjerë, Likaj është avancuar përmes punimeve në revista false të cilat u kanë mundësuar atyre që përmes mashtrimeve akademike të fryjnë numrin e punimeve. ORCA do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta parandaluar dhe luftuar një sulm të tillë, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Ndërkaq, Agron Demi nga Instituti “GAP”, në një postim në Facebook, ka shkruar se partia që e përjashtoi Kosovën nga Rrjeti Evropian i Sigurimit të Cilësisë do të udhëheqë me Ministrinë e Arsimit.

Drejtimin e MASHTI-t nga AAK-ja po e kritikon edhe njohësi i çështjeve të arsimit Argjend Osmani, sipas të cilit gjendja në këtë sektor vetëm sa do të përkeqësohet.

“Koha” ka tentuar të marrë një qëndrim nga i propozuari për ministër të Arsimit, Ramë Likaj, dhe zyrtarë të AAK-së, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Në kohën sa Ramush Haradinaj ishte kryeministër, dy institucionet evropiane, ENQA dhe EQAR, e përjashtuan Agjencinë e Kosovës për Akreditim si pasojë e ndërhyrjes së tij në këtë institucion. Me urdhër të Haradinajt, ish-ministri Shyqiri Bytyqi kishte shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të Agjencisë.

Haradinaj ndërhyri në akreditim edhe në janar të këtij viti, ku nga pozita e kryeministrit i kërkoi Këshillit Shtetëror të Cilësisë ketë kujdes të veçantë në trajtimin e kërkesave të kolegjeve private.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: