Nga qyteti i Durrësit, ku po zhvillon takimin e fundit të fushatës elektorale të 25 prillit, kryeministri Edi Rama ironizoi Presidentin Ilir Meta, pas videos së publikuar sot në media, ku kandidati i LSI, Etjon Joka, shfaqej duke blerë vota.

Në fjalën e tij, Rama iu drejtua Metës, duke i thënë që tani duhet të rrëmbejë sëpatën e të shkojë t’i presë duart kandidatit të LSI, duke marrë shkasë nga deklaratat e Presidentit se “kush prek votën më 25 prill, do t’i pritet dora”.

“Po sot një deputet i Ilirit u kap duke vjedhur vota. Unë thashë tashi ti Like rrëmbe sëpatë, shko priti duart, mirëpo Likja nuk doli. Jo vetëm nuk doli, por lëshoi një postim “votoni, do jetë ditë feste, mos kini merak, ju vetëm votoni për demokracinë, vëllazërinë”. O Like, Like, ta kisha thënë o lëre rakinë, o do të ta nxjerrin me zor, dhe është më keq kur ta nxjerrin me zor, se kur e lë vetë. Tani mos dil më, rri mirë aty ku je, shumë mirë e the, jam dakord me ty, ditën e diel do të jetë ditë feste, ditën e diel të gjithë këta luanët e dalë nga zgafellat e historisë do të kthehen në lepuj, që të gjithë. Armata jonë e zemrave, mendjeve, qytetarisë, buzëqeshjeve, jo me klithma, britma, ulërima, sfurqe, sëpata, armë, por me zemër.

25 prilli është përplasja e fundit mes atyre që në historinë tonë kanë përfaqësuar një mallkim, që Shqipëria s’bëhet, që shqiptarët të shohin çfarë të kapin aty për aty, sepse këta janë vetëm ai mallkim që njëherë merr pamjen, emrin, zërin e Haxhi Qamilit, njëherë merr pamjet, emrin e zërin e Rrapush Xhaferrit, Sudes, Vehbiut, Saliut, pastaj merr pamjen e Lulit”, tha Rama.

Më tej, kryeministri foli për plehrat në Porto Romano, ku tha se të gjithë e mbajnë mend atë zonë kanceri, ku derrat dukeshin si dinozaur dhe lopët si krokodilë, ndërsa tashmë sipas tij, aty është bërë parku më i madh dhe më i bukur në Ballkan.

“Ju e mbani mend shumë mirë se me ujin ishte historia dembabadem, që kur vija unë këtu dhe shkonim te breshka, e prisnim radhën për ujë. Kujtesa ime e fundit është se çfarë keni hequr ju me plehrat, me atë zonën e kancerit atje në Porto Romano. Kam shkuar e i kam parë edhe vetë, derra që dukeshin si dinozaur, lopë që dukeshin si krokodilë, hanin plehra. Sot, edhe pak javë, aty do të jetë ecoparku më i madh e më i bukur i Ballkanit. Votoni 12, që ekonomia të ecë përpara. Mos ta rrejë mendjen njeri se kur ne flasim për fantazma të së shkuarës, gënjejmë, se ka Zot që i nxori lakuriq komplet, për t’ua kujtuar edhe njëherë shqiptarëve që ky është momenti që të mendoni për ta ndarë historinë në dysh. Votoni 12 dhe lërini ata t’i marrë lumi i historisë. Do t’i shikoni, pasi të përpëliten ca ditë apo ca javë, do të bëhen të gjithë qengja. Kujdes me atë 9, se 9-ta sa të kthesh kurrizin bëhet 6. Nuk është rastësi, janë lidhur gjërat. Nuk është rastësi që Likja është 6, Saliu 9 dhe ne 12. Është moment historik. Thanë sot mos shko në Durrës se ka shi, po ku është shiu. Unë në listë jam i 8, por që ta dini mirë të gjithë, numri im është 12”, shtoi ai.

Gjithashtu, Rama nuk i kurseu ironitë për kundërshtarët, politikë, teksa vijoi me batuta se “Me mal e me borë, mes dimrit, plazhe, e det, pllaja e liqene, i ka dhënë të gjitha zoti, ka thënë po ia bëj një dhuratë speciale, por ne, ne vetëm duke i rënë me shqelm të mirës që na i ka dhënë zoti. Nuk ka më. Këtu do bëjmë portin më të madh turistik të Mesdheut. Do e bëjmë Durrësin Dubain e vogël të Mesdheut, Nuk flas si Saliu, ke Lana bëjmë Zvicrën e Shqipërisë. Flas për projekt që e financon, e ndërton kompania më e madhe në botë për turizmin që ka dhe Marinën e Dubait. Marina e Durrësit do jetë e binjakëzuar me atë të Dubait, se është e njëjta dorë, të njëjtët klientë. Kur të shohin këtu se çfarë ushqimesh kemi ne, mish të freskët do i thonë Nusretit s’dua të të shoh më me sy. Qeshni, qeshi, shyqyr kjo nuk është një gjë që duhen 100 vjet për t’u provuar. Do vij prapë në 2025, do iu them a e mbani mend, dhe do ndiheni shumë krenar që më 25 prill ishim në anën e duhur historisë. Jo vetëm kaq, në atë port duhet mijëra e mijëra forca pune. Ne menjeherë do fillojmë punën për shkollën e lartë profesionale për ata që duan të punojnë aty, me llojet e shërbimeve.

E di si më tha ai zotëria, i sheh gjithë hotelet e plazhit, kur ne mbarojmë këtë punë, vlera e atyre, dhomave, banesave të qytetit do të shkojë lart e më lart. Të gjithë do kenë një pasuri të patundshme shumë me vlerë, por është porti tregtar. Nuk do e lemë Durrësit pa port tregtar. Të ndërtohet tek Porto Romani, aty ku ishte për derra, port tregtar që do kërkojë shumë krah pune. Gjërat do të ndryshojnë, së shpejti ka mbaruar gara, fillon po aty në Spitallë, parku me energji diellore. S’dua t’ju mbaj më gjatë, mua më njihni, e dini që i rri punës mbi kokë, ditë natë, nuk jam absolutisht aq i mirë sa për t’u marrë për dhëndër, por shyqyr jam i martuar, jam shumë i lumtur për gruan që kam, kush nuk më pëlqen, mjafton të lëvizë telekomandën, nuk i pëlqen si flas, çitjanet e mia, një copë fshatari jam, të shohin pantallonat e Saliut, Likes, ato këpucët e Lulit që duken sikur s’kanë

Për top model, për pamje për qejf, i keni ata, për gomar pune si unë s’keni. Zgjidhni e merrni se nuk kam parë ndonjë katunar, as ndonjë qytetar, që kur i duhet gomari me i marrë drutë, ta zgjedhë gomarin nga bukuria, ngjyra, se dhe aq i shëmtuar nuk jam, të thoni kaq i shëmtuar ky gomar as drutë nuk i dua. Po ju them kaq tani, fjala e fundit, ja u kam thënë në 2013, që do bëjmë për Durrësin më shumë se gjithë vitet jashtë. Tani që ka më shumë gjëra e di unë. Unë po ju them që, nga 2021 në 2025, unë dhe gjithë këta do bëjmë më shumë se çfarë është bërë në 100 vjet. Prandaj ke 12-ta. Lëreni numrin e djallit, tek 12-ta e pavarësisë. Tek 12-ta e pavarësisë. Tek 12-ta e 12 yjeve të flamurit të BE, tek 12-ta e lindjes së PS, 12-ta e 12 muajve për 4 vjet punë, punë, punë, rroftë Durrësi, Shqipëria, socialistë e demokratë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb