Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, mund të transferohet në Bundesligën gjermane gjatë merkatos së janarit. Lojtari kavajas që aktivizohet prej tri sezonesh e gjysmë në Greqi me PAS Janinën, ka pranuar dje se është në bisedime më Këlnin, skuadrën ku bën pjesë edhe mbrojtësi tjetër i Kombëtares, Mërgim Mavraj. Burime të “Panorama Sport” pranë lojtarit konfirmojnë se gjatë paradites së djeshme, Lila ka pasur një takim me menaxherë të klubit në fjalë.

Ka gjasa që kjo tratativë të zyrtarizohet në ditët në vijim, teksa i pyetur dje, vetë Lila, rreth zërave që qarkullojnë për kalimin e mundshëm te Këlni, nuk e ka mohuar një gjë të tillë. “Gjithçka është në kuadrin e bisedimeve, ende nuk ka asgjë zyrtare”, deklaroi shkurtimisht 28- vjeçari. Ndërkohë, takimi që Lila ka pasur dje me agjent të klubit gjerman, ka qenë pikërisht shkaku që e ka vonuar të jetë i pranishëm në një ceremoni të zhvilluar në Gramsh, ku bashkia e këtij qyteti e kishte përzgjedhur për ta dekoruar me titullin “Qytetar Nderi”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: