Pas deklaratës së ministrit të Jashtëm serb Iviça Daçiçit, ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.

Daçiç sot në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar që Limaj, të mos e udhëheq delegacionin e Kosovës për dialog me Serbinë në Bruksel. Limaj në një prononcim për KosovaPress, ka theksuar se deklarimi i Daçiçit sot duke keqpërdorur prezencën e tij në Këshillin e Sigurimit, shfaq hipokrizinë e politikës serbe.

“E para as Daçiçi e as askush nuk mund t’ia përcaktojë Kosovës se kush negocion për dialogun, dhe tendenca për t’u përzier se kush negocion, kjo tregon se ata nuk janë serioz në temat për të cilat flasin nga do që shkojnë, gjoja për një dialog dhe për një marrëveshje për paqe. E dyta është hipokrizi për faktin që pikërisht nga vendi ku ka folur sot Daçiç, është ai vend që ka formuar Gjykatën Penale të Hagës, në të cilën unë kam dal, ju kam përgjigjur, nuk jam fshehur, sikur kriminelët serbë, të cilët Daçiqi i glorifikon, kur t’i jepet rasti. Kam shkuar në gjykatë, jam përballur me drejtësinë dhe me vendim të kësaj gjykate jam shpallur i pafajshëm. Bota e civilizuar i vlerëson vendimet e gjykatës”, tha Limaj.

Po ashtu ai tha se Daçiç është njeri i fundit në këtë botë që mund të flasë për një temë të tillë, pasi ai ka qenë sipas tij ushtari i Millosheviçit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: