PRISHTINE- Kreu i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj deklaroi se ndalimi i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Francë është rrënim i dinjitetit dhe keqtrajtim. Limaj pohoi për Klan Kosova se ekstradimi i Haradinaj në Serbi është i pamundshëm si ligjërisht, ashtu edhe politikisht.

“Ekstradimi praktikisht është i pamundur, si në atë ligjor dhe politik. Me Konventën e Vjenës, nuk ka mundësi të ndodhë ekstradimi në shtetin e tretë, kjo ndodh në bazë të një marrëveshje mes shteteve. Në aspektin ligjor është e pamundur, e po ashtu edhe në atë politik, fletë-arresti dhe koha kur është lëshuar tregon mjaftueshëm, Haradinaj ishte në Hagë për këtë”, tha ai.

Ai ka thënë se Serbia me rastin ‘Haradinaj’ ka dashur të tregojë për pozicionin politik, ndërsa sipas tij ka diçka tjetër shqetësuese. “Serbia do të na tregojë se është forcuar pozicioni politik, respektimi i fletë-arrestit nga shtetet tjera është shqetësuese dhe tregon pozicionin politik të Serbisë”, shtoi Limaj.

Kreu i Nisma për Kosovën ka folur edhe për mundësinë se si mund të pastrohet lista e kërkimit të personave në INTERPOL. “Kur është fjala të INTERPOL-i, heqja e këtyre listave mund të ndodhë vetëm në dy mënyra, e para është që bisedimet me Serbinë të jetë kusht dhe e dyta, përmes marrëveshjeve bilaterale me secilin shtet që na ka njohur. Të qenit anëtar nuk nënkupton heqjen e fletë-arresteve. Kjo është çështje institucionale dhe këto institucione nuk kanë bërë asgjë në pesë vjet bisedime me Serbinë”, përfundoi Limaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb