Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të poetit Lefter Çipa. Ruçi shpreh trishtimin e tij për ndarjen nga jeta të poetit, të cilin e identifikon si magjistrati i polifonisë shqiptare. Po ashtu kryeparlamentari tha se tekstet e tij këndojnë, pikturojnë, vallëzojnë, frymëzojnë dhe rikrijojnë dashurinë, bardhësinë e ëmbëlsinë e jetës shqiptare.

Shkrimi i plotë i Ruçit:

“Lajmi për ndarjen nga jeta të Lefter Çipës na pikëlloi të gjithëve.
Leferi Çipa është magjistrati i polifonisë shqiptare.
Lefteri qëndron me dinjitet në sofrën e këngës dhe të muzikës shqiptare.
Me shijet e tij prej aristokrati të polifonisë, na përcolli të gjithëve magjinë e jetës dhe botës shqiptare.
Lefter Çipa është një artist shumështresor. Ky bilbil i këngës shqiptare ishte njëkohësisht poet, muzikant, dirigjent, interpret, koreograf e valltar.
Lefter Çipa ribashkoi, njëlloj si në kohët antike, kodet e gjinive të arteve dhe pasqyroi me sqimën e tij origjinale më të mirën e bukurive shqiptare, sidomos të viseve të Pilurit, Hiumarës, Labërisë, Toskërisë dhe Çamërisë.
Tekstet e tij këndojnë, pikturojnë, vallzojnë, frymëzojnë dhe rikrijojnë dashurinë, bardhësinë dhe ëmbëlsinë e jetës së shqiptarëve.
Muza e poezisë së tij ushqeu dhe do të vazhdojë këngën, shpirtin, zemrat dhe jetët e shqiptarëve.
Limfa e tij krijuese do të vazhdojë të ushqejë artin dhe kulturën shqiptare në kohët që vijnë.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb