TIRANË

Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi nga mosfunksionimi i linjës së interkonjeksionit 400 kv Shqipëri-Kosovë që i ka kushtuar taksapaguesve 70 mln euro, humbjet vjetore kanë qenë vlerësuar në rreth 20 milionë euro. Sipas ekspertit Preçi, duhet të kryhet një auditim për të gjetur shkaqet që kanë çuar në pengimin e transmetimit të energjisë mes dy vendeve.

“Uroj mos të jetë cilësia e dobët e punimeve e marra në dorëzim si shkak i ndërprerjes së transmetimit të energjisë elektrike midis dy vendeve, pasi kemi të bëjmë me një investim kolosal. Të mos harrojmë që humbja vjetore nga mosfunksionimi për disa vite i kësaj linje ka qenë vlerësuar diku te 20 mln euro, ndërsa supervizori i punimeve që ka certifikuar marrjen në dorëzim të linjës është përzgjedhur nga KFW gjermane që ka financuar projektin. Kështu që mbetet për të parë raportin zyrtar rreth këtij difekti”, u shpreh Preçi

Dy ditë më parë News24 mësoi se një muaj pasi Operatori i Sistemit të Transmetimit njoftoi që linja 400 kv Shqipëri-Kosovë ka nisur operimin, 4 shtylla të tensionit të lartë të ngritura në territorin e Shqipërisë, janë rrëzuar duke penguar transmetimin e energjisë. Eksperti Preçi thotë në përputhje me kontratën përkatëse të ndërtimit të linjës, autoritetet duhet të aplikojnë penalitete mbi përgjegjësit.

“Uroj dhe shpresoj që agjencitë ligjzbatuese t’i bëjnë publike gjetjet dhe nëse rezultojnë shkelje të aplikohen penalitetet e parashikuara në kontratën përkatëse”, tha ai.

10 vite pas marrjes së borxhit për këtë linjë, teksa Shqipëria ka shlyer gjysmën e kredisë për ndërtimin e saj, ky investim nuk ka arritur të jetë frytdhënës. Por mesa duket 70 milionë euro investim deri tani janë shpërdoruar pasi për shkak të tenderave të dyshimtë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe rrjedhimisht të cilësisë së dobët të punimeve, linja e transmetimit nuk funksionon. Me gjithë denoncimet e përsëritura të News24, Operatori i Sistemit të Transmetimit hesht ndërsa linja e transmetimit të energjisë 400 kv, ende nuk funksionon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb