NGA SHABAN MURATI*

Entuziazmi i pazakontë, me të cilin u prit nga disa qarqe politike e mediatike në Europë, emërimi i një ministreje gei në qeverin e re të Serbisë, të miratuar në 11 gusht në parlamentin serb, me sa duket i pengoi të shihnin më thellë domethënien reale dhe sinjalet e kompozicionit qeveritar serb. U lanë në hije dy parametra të rëndësishëm antiperëndimorë, që evidentohen me qeverinë e re të Serbisë.

Parametri i parë është ai prorus. Mund të flasësh sa të duash për gjoja ekuilibrin, që përpiqet të mbajë kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, në formatimin e tij qeveritar, se ka zgjedhur kaq ministra me prirje proeuropiane dhe kaq ministra me prirje proruse. Është naivitet të matësh orientimin strategjik të një shteti me ekuilibër numrash. Ai matet me linjat politike e strategjike dhe ato kristalizohen qartë si antiperëndimore. Numrat e ministrave me prirje europiane në qeverinë serbe duhen parë si kontorno për të mbuluar se platforma qeveritare është një pjatë ruse. Një zëvendëskryeministre dhe ministre e qeverisë së re, duke e ndjerë se mesazhi imediat, që jep formati qeveritar është jobindës në vokacionin e tij europian, deklaroi se qeveria e re nuk është as amerikane dhe as ruse. Vetë kryeministri i Serbisë, që është edhe kryetar i Partisë Progresiste Serbe, SNS, që e trashëgoi nga presidenti ultranacionalist Tomislav Nikoliç, nuk është kujdesur shumë për ta fshehur të vërtetën e gjërave. Menjëherë pas fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 24 prillit dhe konfirmimit si kryeministër, vizitën e tij të parë Vuçiç e bëri në Moskë. Ai u thirr në Kremlin nga presidenti Vladimir Putin, në një lëvizje të pashembullt diplomatike, sepse homologu i tij është kryeministri rus. Vladimir Putin e thirri që t’i imponojë zgjedhjen e delfinëve të Moskës si ministra në kabinetin e ri serb. Dhe Aleksandër Vuçiç u detyrua që t’i japë përsëri postin nr. 2 në qeverinë e tij prorusit publik, Ivica Daçiç, ndonëse vetë Vuçiç ka deklaruar publikisht se nuk ka pikë besimi në lojalitetin e Ivica Daçiçit. Ai plotësoi kërkesën e Moskës, siç e plotësoi edhe për portofolin e energjisë dhe disa portofole të tjerë.
Rritja e dominimit rus në politikëbërjen serbe konstatohet qartë edhe nga vete aktorët e skenës politike serbe. Ambasadorja Vesna Pusiç deklaron se me zgjedhjet e fundit parlamentare është shtuar numri i partive proruse në parlamentin serb dhe është shtuar edhe kërkesa ruse për përfshirjen e tyre në qeverinë e re.

Garancia që ka kërkuar Moska për orientimin prorus të qeverisë së re të Serbisë përmban jo vetëm përfshirjen e emrave të ministrave të sugjeruar nga Moska, por edhe ndërmarrjen e hapave, që e lidhin edhe më shumë Serbinë pas strategjisë dhe interesave të tanishme ruse në Ballkan. Nuk është e rastit që menjëherë ministria serbe e Mbrojtjes shpalli në datën 8 gusht se në shtator do të zhvillohen në Serbi manovrat e përbashkëta ushtarake të forcave ajrore serbe me forcat speciale desantuese ruse. Këto manovra ushtarake kanë dy karakteristika interesante. Së pari, që janë planifikuar të zhvillohen pranë kufirit me Kroacinë, një shtet anëtar i NATO-s. Beogradi ka shumë muaj që po ndjek një kurs të acarimit të qëllimshëm të marrëdhënieve me Kroacinë dhe të ngritjes së tensioneve ushtarake me të, duke sajuar pretekste nga më absurdet. “Ne jemi të shqetësuar nga manovrat ushtarake ‘Vëllazërimi sllavik’ në Serbi”, deklaron presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç. Zhvillimi i këtyre manovrave të përbashkëta ushtarake ruso-serbe tërheq vëmendjen, sepse përkojnë me acarimin e tensionit midis Rusisë dhe Ukrainës dhe kur Moska po rizbaton taktikat ushtarako-diversioniste, që përdori gjatë pushtimit të Krimesë në mars të vitit 2014. Në analizat e mia për veprimtarinë ushtarake ruse në Serbi, unë kam shtruar shpeshherë pyetjen se përse përgatiten ushtria ruse dhe forcat e saj desantuese për të zbarkuar në Ballkan, por mendoj se përgjigjen duhet ta gjejnë qeveritë dhe diplomacitë e shteteve anëtare të NATO-s në rajon.

Karakteristikë e dytë e manovrave të përbashkëta ushtarake ruso-serbe është pjesëmarrja për herë të parë edhe e forcave ushtarake të Bjellorusisë në territorin serb. Ministria serbe e Mbrojtjes njoftonte në datën 8 gusht se këto manovra të përbashkëta të tri shteteve do të mbajnë emrin e koduar “Vëllazërimi sllavik 2016”. Nuk ka informacion nëse në Bruksel e kanë shtruar pyetjen se ç’është ky “Vëllazërim sllavik”, që po afishon dhe po e stërvit ushtarakisht Rusia qeverinë e kryeministrit Aleksandër Vuçiç, të një shteti kandidat të BE. Është vendi këtu për t’i kujtuar lexuesit se në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviçit, parlamenti i Serbisë ka miratuar në 12 prill të vitit 1999 rezolutën e bashkimit të Serbisë me Rusinë. Në librin tim “Serbia kundër Serbisë. Analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë”, kam shkruar se, “ky hap i parlamentit erdhi pas vendimit të qeverisë serbe për t’i drejtuar zyrtarisht Moskës kërkesën për bashkim dhe kjo kërkesë zyrtare për bashkim të Serbisë me Rusinë i është dorëzuar presidentit Boris Jelcin me firmën e presidentit Sllobodan Millosheviç”. (Tiranë, 2005, fq.51). Ky union i tri shteteve sllave, si një projekt gjeopolitik rus, është mbajtur në sirtar për shkak të rrethanave rajonale dhe ndërkombëtare, por është fakt i çuditshëm se parlamenti demokratik dhe “proeuropian” i Serbisë gjatë 17 viteve nuk e ka denoncuar dhe as e ka shfuqizuar atë projekt strategjik të Kremlinit. Nga pikëpamja juridike dhe e së drejtës ndërkombëtare, projekti u Unionit tri shtetesh është i vlefshëm, në rrethanat kur të tria shtetet sllave do të bien dakord. Nuk duken rastësi këto manovra ushtarake të përbashkëta të tri shteteve të “Vëllazërimit sllavik” Rusi-Bjellorusi-Serbi.
Këto janë lëvizje dhe tregues, të cilat nuk mund të kalohen as me indiferencë dhe as me neglizhencë, sepse bëhet fjalë për një shtet kandidat të BE, i cili është futur në procesin e pranimit të tij, nëpërmjet bisedimeve për traktatin e pranimit dhe është një shtet, që kufizohet me shtatë shtete të NATO-s.
Parametri i dytë antiperëndimor i qeverisë së re serbe është ai kundër Kosovës. Në mënyrën më absurde, kryeministri i Serbisë dhe anëtarët e qeverisë së tij të re u betuan në parlament me një formulë qeveritare, e cila përmbante “angazhimin për ruajtjen e Kosovës si pjesë e Serbisë”. Ishte një formulë e kryeministrit, jo një formulë e detyrueshme protokollare kushtetuese. Ky është një akt, i cili kërkon një vëmendje të veçantë si nga Brukseli e Uashingtoni, ashtu edhe nga Prishtina e Tirana. Betimi i qeverisë së re serbe për të rimarrë Kosovën në hartën e Serbisë do të thotë një sfidë e re diplomatike, politike dhe nacionale e saj kundër Kosovës. Në vend që të ecë gradualisht në rrugën e pranimit të realitetit të pakthyeshëm politik të shtetit të pavarur të Kosovës, qeveria e kryeministrit Vuçiç shkon në drejtimin e kundërt, duke e bërë program dhe devizë të qeverisë së re rikthimin e Kosovës në statusin e një kolonie të Serbisë. Është sinjal për turbullira, ndërhyrje dhe provokime të reja serbe, një akt i cili kërkon reagimin nga ana e qeverisë së Kosovës. Serbia dhe Kosova po zhvillojnë bisedime në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE. Serbia ka nënshkruar marrëveshjen e njohur të 19 prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pra ka pranuar se është një proces normalizimi midis dy shteteve. Serbia është angazhuar zyrtarisht se nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në BE dhe dihet që në BE hyjnë vetëm shtetet, dhe Beogradi e din se Kosova do të hyjë si shtet në BE. Tani del dhe shprehet se do të veprojë si qeveri që Kosova të rikolonizohet. Kjo jo vetëm duhet mbajtur shënim nga qeveria dhe diplomacia e Kosovës, por Prishtina duhet të protestojë me forcë në drejtim të qeverisë së Serbisë në takimin më të parë në Bruksel, sepse Beogradi po vë në dyshim vetë përmbajtjen dhe qëllimin e këtyre bisedimeve dypalëshe. BE duhet ta detyrojë Beogradin të konfirmojë angazhimin për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare, që rrjedhin nga marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara në Bruksel.

Deviza antikosovare e betimit të qeverisë së re serbe është një sfidë ndaj diplomacisë së BE. BE ka toleruar shumë kritere të parealizuara nga Serbia në rrugën e saj të integrimit europian dhe disa nga këto lëshime thuhet se janë bërë për ta inkurajuar atë në drejtim të pranimit të statusit të Kosovës si shtet. Tani qeveria e re serbe i hedh poshtë këto angazhime zyrtare ndërkombëtare të marra para Bashkimit Europian. Është një moment diplomatik dhe juridik, kur Brukseli duhet t’i rikujtojë Beogradit detyrimet e marra në marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën dhe mbi këtë bazë duhet të bëhet avancimi i hapjes së kapitujve të traktatit të pranimit të Serbisë në BE.

Deviza e betimit të qeverisë së re serbe për të rikthyer statusin kolonial të Kosovës është edhe një sfidë e Serbisë ndaj SHBA. Vetë kryeministri serb, Vuçiç ka deklaruar se Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland, i ka deklaruar atij se SHBA-të kanë investuar 20 vite për pavarësinë e Kosovës. Tani qeveria e re serbe betohet se do ta zhbëjë këtë pavarësi dhe investimin kolosal amerikan për këtë pavarësi. Qeveria e re serbe as nga pikëpamja e taktikës diplomatike nuk ka vepruar në mënyrë korrekte, në një kohë kur dihet se pas disa ditësh zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Jozef Biden, do të zhvillojë një vizitë në Beograd. Kryeministri serb po kopjon në mënyrë naive dhe aspak kreative, politikën titiste të lojës me dy karrige, edhe me Perëndimin, edhe me Rusinë. Pas vizitës së nënpresidentit amerikan në gusht, atje do të shkojë në shtator për vizitë kryeministri i Rusisë, Medvedev.

Cilido që e ka ndjekur prej kohësh politikën e jashtme serbe, e ka të qartë se i ashtuquajturi ekuilibrizëm i kryeministrit aktual serb është thjesht një taktikë për të bërë sikur makina e shtetit serb po jep sinjal se do të shkojë nga Perëndimi, në një kohë që timonin po e drejton nga Rusia. Moska po punon fort që Serbia t’i largohet apo të devijojë nga rruga e integrimit europian, ashtu siç e detyroi Serbinë në 2007 të devijojë nga rruga e integrimit atlantik me imponimin e të ashtuquajturës doktrinë të neutralitetit. Mediat serbe shkruajnë se Moska synon të bëjë të mundur që deri në vitin 2017 në Serbi të mbahet një referendum për hyrjen e Serbisë në BE dhe në NATO. E përditshmja serbe “Blic” shkruan se referendumi është temë e të gjitha bisedimeve të zyrtarëve rusë dhe serbë, ndërsa emisarët e Vladimir Putinit këtë temë përpiqen ta iniciojnë nëpërmjet partive proruse në Serbi. Që nga largimi i Millosheviçit nga skena politike në vitin 2000, Beogradi është drejtuar nga forca nacionaliste proruse, të cilat janë maskuar pas pozave europeiste. Kështu u zhgënjye Europa nga Vojislav Koshtunica, kështu u zhgënjye nga Boris Tadiçi dhe janë të gjitha shanset se kështu do të zhgënjehet edhe nga Aleksandër Vuçiçi.

Garnitura qeveritare që drejton sot Serbinë që nga presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm e deri te kryetarja e parlamentit kanë dalë nga manteli i Sllobodan Millosheviçit dhe shpirtin, dhe politikën e vërtetë i kanë me “Vëllazërimin sllavik” të Rusisë. Rusia është para portave të Ballkanit dhe Serbia po ia hap asaj portat e tensionit dhe të destabilizimit rajonal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: