NGA: Fatmir Popja* ELBASAN – Mrekullitë natyrore të Shqipërisë janë të shumta dhe një prej tyre është edhe Dumreja e qytetit Elbasanit, e njohur si një nga Perlat Karstike më të bukura të Mesdheut. Dhurata më e çmuar që natyra i ka bërë kësaj zone janë afro 85 liqenet karstike, të cilat janë tepër të lakmueshme për turistët. Liqenet e shumta të kësaj zone janë mjaft piktoreske, e sidomos ai që shfaqet në kthesën e rrugës që të çon në qendër të Belshit.

Por, edhe pse janë mrekulli të rralla natyrore, në pamje të parë ndërtesat e ngritura pranë bregut të tyre duket sikur u kanë “zënë frymën”. Këtë gjë e pohojnë edhe vetë banorët e këtyre zonave, të cilët shprehen se bregu i liqenit duhet të çlirohet nga ndërtesat shumëkatëshe prej betoni, themelet e të cilave janë ngritur në cekëtinën e liqeneve. Krahas kësaj, ata janë të alarmuar edhe për shkallën e lartë të ndotjes së ujërave të liqeneve, për pastrimin e së cilës aktualisht nuk po merret asnjë lloj mase. Fatkeqësisht, brigjet e këtyre liqeneve prej kohësh janë kthyer në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane dhe të derdhjeve të ujërave të zeza. Këtë lloj panorame, ekologjistët dhe personat që jetojnë në zonën e Dumresë e cilësojnë tepër katastrofike.

Zabit Zekthi është një nga banorët në Bashkinë e Belshit, i cili thekson se kësaj situate e cila është krijuar ndër vite, duhet t’i jepet një zgjidhje urgjente. Ky person, ashtu si edhe banorë të tjerë, mendon se shoqatat të cilat janë duke shfrytëzuar liqenet e Dumresë duhet të pezullohen, pasi i kanë shkatërruar ato në vend që t’i mirëmbanin e zhvillonin. Këtë mendim shpreh edhe një banor tjetër, Shefqet Hysa, i cili shton më tej se ndihet i indinjuar, pasi sipas tij, nga ana e strukturave shtetërore ka një indiferencë të neveritshme përsa i takon reagimit ndaj masakrës që po u bëhet liqeneve të Dumresë. Ndërkohë, Arif Tafani, kreu i Bashkisë Belsh shprehet se po shihet një tendencë e mirë përsa i takon ndërhyrjes me projekte për t’i dhënë frymëmarrje kësaj zone tepër të bukur. Por, mungesa e financimeve ka sjellë mbajtjen peng të zhvillimit të shpejtë të saj.

BELSHI MBIJETON NGA LIQENET
Janë të shumtë ata persona, të cilët mendojnë se Belshi mbijeton në sajë të liqeneve piktoreske të cilat ndodhen aty. Por, burimet jetëdhënëse të ekosistemit pranë tij po asfiksohen në mënyrë katastrofike për shkak të ndotjes. Një bukuri natyrore mahnitëse e Dumresë janë edhe zambakët e ujit, lekoi i bardhë dhe ai i verdhë. Ky i fundit rritet në gjirin e Degës, në atë të Seferanit, Turbullit dhe Stanit të Panjës. Ndërsa, lekoi i bardhë rritet në gjolin e Rramanit, Turbullit dhe Seferanit. Ndërkaq, sipërfaqja e përgjithshme e liqeneve të cilat ndodhen në këtë zonë arrin në 770 ha. Vëllimin më të madh të ujit në to e ka liqeni i Merhoes me 11.3 mln m3.

Po kështu, të mëdhenj konsiderohen edhe liqeni i Çestinjës me 97 ha, Seferani me 87.5 ha, liqeni i Degës 37.5 ha, ndërsa më i vogli është liqeni i Çartallozit me 0.5 ha. Si liqene më të thellë në këtë zonë janë: Merhoja 61 m, Peraska 51 m, Çërraga 29 m, Seferani 20.8 m etj., ndërsa thellësia më e vogël zbret në 10 m. Karakteristikë e liqeneve karstike të Dumresë është se ato janë liqene me regjim shiu dhe mbushja me ujë e gropave të tyre përgjithësisht bëhet nga rrjedhja e përkohshme sipërfaqësore. Gjatë stinës së verës ndodh që afro 20 liqene të thahen përkohësisht. Këto liqene kanë tejdukshmëri të vogël dhe në thellësinë 15 m dhe në disa prej tyre vihen re shenja të acidit sulfhidrik. Në liqenet e Dumresë gjendet me shumicë edhe torfa, e cila është një depozitim organogjen i karbonizuar. Ndërkohë, të gjitha këto liqene janë shumë të përshtatshëm për zhvillimin e florës dhe faunës ujore e bregliqenore.

BELSHI, KRYEQENDRA E ZONËS SË DUMRESË
Kryeqendra tradicionale e zonës së Dumresë është Belshi. Edhe rilindësi i madh Sami Frashëri e kishte projektuar që ky vend të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Sipas tij, ideja që Belshi të bëhet kryeqyteti i Shqipërisë ishte nxitur nga fakti se kjo zonë është kërthiza e vendit tonë dhe se bukuritë natyrore të saj janë vërtetë të pazakonta. Ndërkohë, ekzistenca e kodrave të rrumbullakosura e me lartësi të njëjtë që ndahen nga njëra-tjetra nga lugina të vogla, qafa e gropa i kanë dhënë pllajës së Dumresë një pamje të valëzuar që e bën atë mahnitëse. Së fundmi, Belshi ka filluar të vizitohet edhe nga turistë vendës e të huaj, e kështu do të vijojë edhe në të ardhmen. Por, banorët e kësaj qyteze, e sidomos ata që merren me biznes mendojnë se kjo gjë nuk do të mund të vazhdojë më kështu, pasi ky vend vuan nga mungesa e një infrastrukture normale. Po ashtu, në këtë qytezë uji është me orar dhe ndotja mbizotëron në një nivel shqetësues.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: