SHKODER– Shtimi i numrit të turistëve dhe ofrimi i kushteve sa më të mira për ta është një sfidë për të gjithë vendet me resurse turistike, por kjo nuk duhet të cënojë Parqet Kombëtare, si edhe biodiversitetin e vendeve të mbrojtura. Ky ishte fokusi i një takimi mes Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri dhe Green Home në Malin e Zi, i cili u mbajt në Parkut Kombëtar të liqenit të Shkodrës në Vraninjë, të Malit të Zi.

Takimi kishte si qëllim promovimin e vlerave të liqenit, si dhe sfidat dhe arritjet në menaxhimin, dhe ruajtjen e zhvillimin e vlerave natyrore dhe tradicionale lokale, në shërbim të komunitetit dhe ekonomive lokale në zonë.

Për këtë ishte organizuar një vizitë në muzeun e liqenit të Shkodrës, ku të balsamosura ishin treguar një pjesë e mirë e kafshëve dhe shpendëve që jetonin në këtë park kombëtar, si edhe një shëtitje me varkë ku u prezantua biodiversiteti i liqenit, ku më në sy ra zambaku i bardhë.

Sipas organizatorëve të këtij takimi, përdorimi i mençur i biodiversitetit të liqenit do të garantojë zhvillimin e ekonomisë lokale dhe ruajtjen e vlerave dhe burimeve natyrore kësaj zone të mbrojtur për brezat e ardhshëm. Ata u shprehën kundër projektit i cili këtë park natyror do ta shndërronte një rezidencë vilash për turistët.

E ardhmja e qëndrueshme e liqenit të Shkodrës, kufi natyror midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, varet nga veprimet e koordinuara të të dy vendeve. Ky aksion i përbashkët synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e biodiversitetit midis aktorëve kryesore dhe menaxherëve të burimeve natyrore.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, Nihat Dragoti, tha se liqeni i Shkodrës ka një diversitet të lartë të bimëve dhe kafshëve, duke numëruar 930 lloje algash, 497 bimë enëzore, dhe 430 lloje zooplanktoni dhe mikrofaune, dhe ruajtja e tyre duhet të jetë në fokusin e dy qeverive.

Pavarësisht vlerave të mëdha të liqenit, kjo zonë përballet ende me probleme si urbanizimi i pakontrolluar dhe ndërtimet e paligjshme, gjuetia pa leje dhe shqetësimi i llojeve të egra. Probleme të cilat ia vlen të ngrihet zëri i shoqërisë civile dhe ambientalistëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb