NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Jeta ime ka qenë e mjeg ullt po jam e lumtur që e përjetova lirinë e demokracinë e Shqipërisë dhe Kosovës. Më bëhet qejfi që Shqipëria po ndjek rrugën europiane”, kjo qe fraza që tha Liri Belishova në ditëlindjen e saj. Është festuar dje në Akademinë e Shkencave, 90-vjetori i lindjes së Liri Belishovës, e cila prej të pranishmëve u cilësua si diplomate kalibri, veçse intelektuale. Ish-presidenti Alfred Moisiu, demokratja Grida Duma, deputetja kosovare Flora Brovina, aktorët Tinka Kurti e Margarita Xhepa, gazetarja Tefta Radi, ish-gjenerali Rrahman Parllaku vlerësuan gjatë ditës së djeshme, kontributin në luftë të Belishovës, mandej kontributin në diplomaci, duke mos lënë pa përmendur edhe jetën e saj të vështirë në internim.

Po dje, u përurua edhe monografia e Halil Ramës “Liri Belishova, gruaja që sfidoi diktaturën”, e cila përmblidhte intervistat e saj, kujtimet e bashkëkohësve, për të dhe për të bijën- poeten Drita Çomo, cilësuar si Ana Frank shqiptare. Ndërkaq, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar (OBVL) i ka propozuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, që në 90-vjetorin e ditëlindjes t’í akordojë Liri Belishovës dekoratën “Nderi i Kombit”.

VLERËSIMI I PARLLAKUT E LALAJT
“Pjesëmarrja e vajzave në luftë ishte hap i vendimtar për emancipimin e femrës shqiptare. Kur vajza mori pushkën dhe u rreshtua krah vëllezërve në luftë, fitorja ishte edhe më i sigurtë. Ky hap ishte prelud i emancipimit të femrës shqiptare”, tha Gjeneral Rrahman Parllaku. Ai shtoi se “ajo ishte ndër të parat që u përball me krimet e persekutimet e diktaturës. I vranë bashkëshortin Nako Spiru, një nga udhëheqësit e shquar në LANÇ. Diktatori Enver Hoxha për të fituar kapital politik, me figurën e Nakos, ia faturoi krimin Koçi Xoxes, dhe nxori veten të larë, ndërkohë që ai ishte vetë vrasësi. S’ka rëndësi kush e tërhoqi këmbëzën. Nuk u mjaftua me këtë, por u tregua i pamëshirshëm ndaj Lirisë dhe familjarëve të saj”. Sipas Parllakut, “Liria kur ishte në udhëheqje të partisë, iu përvesh punës me të gjitha energjitë, e pas mbarimit të studimeve të larta në Moskë, u bë nga drejtueset më të afta e më energjike. Por në vend që të kishte mbështetjen e Enver Hoxhës ndodhi e kundërta. Mandej, historiania Ana Lalaj, duke folur për jetën e Belishovës bazuar në dokumente, tha se ajo është gjetur në drekën e gabuar.

“Deklaratat e shakatë e saj, si edhe dollitë e asaj darke me rusët u bënë akuza. Hoxha e përdori vlerësimin e rusëve ndaj Belishovës. Ajo u bë çështja kryesore e diskutimit në katër muaj dhe u akuzua për nxjerrjen e sekretit dhe deri tek akuza e Hoxhës se (Belishova) donte të nxinte vendin(para të huajve)”. Megjithatë, Lalaj, shtoi se pavarësisht jetës së vështirë të Belishovës, ajo “bën pjesë te fatlumët që e jetuan jetën. Jo të gjithë ikën si mëkatarë ajo e fitoi dinjitetin. Ka pranuar bashkëfajësinë në atë regjim kriminal dhe ka kërkuar falje. Sot pas shumë vitesh ka hyrë në hullinë e misionit të saj për të reflektuar të vërtetat”. Nuk munguan përshëndetjet as nga veteranët e Kosovës të cilët përcollën respektin që ajo gëzon “te populli për angazhimin gjatë Luftës Nacionalçlirimtare”, e të njëjtën mendim ndau edhe Flora Brovina, poete e deputete.

KUJTIMET E ALFRED MOISIUT
Ish-presidenti Alfred Moisiu, vlerësoi para Belishovës, jetën e kontributin e saj në të gjithë kohërat. “Ky vend ka ecur se djemtë e vajzat s’kanë kursyer asgjë në momente të caktuara për të dhënë maksimumin. Unë nuk do flas për luftën ideologjike as për familjen juaj patriotike. Nga koha e luftës, më kujtohen demonstratat antifashiste që bënte rinia kundër pushtuesve për lirinë e vendit, të drejtat e saj e flamurin kombëtar. Përplasja e rinisë filloi te ish-Zëri i Popullit dhe gjithë njerëzit shkonin në bulevard, kur buçiste kënga “Eja mblidhuni këtu”. Ju me shoqet tuaja nxirrnit flamurin nga gjiri dhe dilnit në krye të atyre demonstratave. Lufta do mend e shembull personal. Ju kam njohur më vonë. Ju kam ndjek me kënaqësi fjalën e kujtimet, si edhe bisedat në takimet e shumta që kemi bërë që në 90-ën”.

BULKU MBI INTERNIMIN
Aktorja Rajmonda Bulku ka qenë mikja e vajzës së Liri Belishovës, Drita Çomo. Para të pranishmëve, ajo tha se Belishova është shëmbëlltyrë e njeriu të veçantë. “Më 1975, kur për shkak se im atë ishte ushtarak na transferuan në Cërrik, unë në shkollë njihem me vajza të ardhura për arsye të ndryshme aty. Njihem edhe me Drita Çomon, të bijën e “armikes së popullit” Liri Belishova, të internuara aty. Izolimi i familjes së Dritës ishte më radikali. Nuk mund të bëje shoqëri jashtë mureve të shkollës dhe kur e ndeshja trotuareve të qytetit, Drita kur afrohej ulte kokën dhe nuk fliste për të mos më dëmtuar mua. Fillova të kuptoj absurdin e moskomunikimit”.

“Drita ishte e mençur dhe lexonte shumë. Shkruante poezi dhe na i lexonte dhe na i dhuronte. Unë kam dy poezi dhuratë prej saj. Përveç internimit të Cërrik, fati i Dritës u bë më i zi, kur në trupin e saj të virgjër hyri kanceri, që pa mëshirë nuk e kurseu. Në kohën e shtrimit të saj në spital, ne miket e saj u shqetësuam shumë dhe donim të bënim diçka. Vendosëm të pyesnim lirinë kur dilte nga posta e qytetit. ‘Si është Drita’- e pyetëm ne ‘armiken e popullit’- mamanë e shoqes sonë të sëmurë. Ju mbushën sytë me lot. Ajo tha se e bija ishte dhimbja e saj më e madhe dhe se çdo gjë do ta përballonte lehtë vetëm që kjo mos të ndodhte”. “Më vonë”, -tha Bulku, “kam guxuar ta pyes, pse nuk e kishte kuptuar sa i keq ishte Enveri dhe pse s’ka menduar t’i bëjë diçka. Ajo më tha se të këqijat i bënte me të tjerët Hoxha, e se kur e shanë në Byro, Enveri me thoshte atë e kemi shoqen, por të nesërmen e larguan nga Tirana”.

Sipas Bulkut, kjo grua u dha fëmijëve të vet një jetë të tmerrshme, por falë saj, Drita ishte ajo që ishte, aq e zgjuar. “E mori atë ditar dhe poezitë e asaj vajze të shkëlqyer shkoi te Ismail Kadare dhe bëri të njohur. I dha jetë asaj vajze. “Është e vetmja që ka kërkuar falje që ka punuar me Enverin. Asnjë tjetër nuk ka moral ta bëjë këtë”, përfundoi Rajmonda Bulku. Mandej, Grida Duma, tha se kjo grua ka forcë mitologjike, duke i lënë fjalën Margarita Xhepës, e cila e cilësoi atë, krenari të femrës në luftë . “Shkelët injorancën e thashethemet e dolët në male për liri. Për këtë kontribut morët një ndëshkim të madh, humbët atë vajzë të mrekullueshme. Ju jeni vetvetja. Dolët e thatë më fal”, tha Xhepa.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb