Katër ditë më parë kreu i PD Sali Berisha u lirua nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” duke qenë tashmë i lirë të marrë pjesë aktive në terren. Në një lidhje me Skype në News24, analisti Fatos Lubonja u shpreh se fakti nëse Berisha është apo jo në terren, nuk do të ketë një ndikim të madh në lidhje me zgjedhjet 2025.

Kjo pasi sipas tij, “fitorja e mazhorancës aktuale nuk vjen nga prania apo jo e Berishës, apo “gjumi” i ish-kryetarit Basha, por nga fakti që shumica ka në dorë të gjitha pushtetet”.

“Nuk mendoj se ka diferencë të mardhe nëse Berisha është në terren. Berisha hedh ca ide, denoncime dhe këto i transmetojnë mediat, e thotë nga ballkoni apo terreni nuk ka diferencë. Kontakti i liderit dhe strukturave të PD është i rëndësishëm që të krijohet lidhja me votuesit dhe hallet e njerëzve. Kjo nuk e ndryshon shumë situatën. Rama nuk fiton nëse Berisha është i dobët apo Basha fle gjumë, por sepse kontrollon të gjitha pushtetet”, tha ai.

Ndërkohë, avokati Marash Logu u shpreh se vendimi i GJKKO për zbutjen e masës së sigurisë ndaj kryedemorkatit, erdhi mbi baza politike dhe juridike. Ai shtoi se është i bindur që në rastin e zotit Berisha, do të gjenden shkelje nën procedurë të ndjekur nga gjykatat shqiptare.

“Lirimi erdhi në bazën e premisës juridike dhe politike. E para, vendimi i GJK që vendosi se çdo masë tjetër veç detyrimit të paraqitjes është jo proporcionale ka ndikuar. E dyta është Strasburgu që i komunikoi shtetit shqiptar pyetjet që duhet të marrin përgjigje. Kur Strasburgu dërgon pyetjet, tregon që gjyqtarët kanë shqetësime në lidhje me këtë çështje. Jam i bindur që në rastin e zotit Berisha, do të gjenden shkelje nën procedurë të ndjekur nga gjykatat shqiptare”, tha Logu.

Ish-ambasadori Agim Nesho, deklaroi se që në fillim kjo ishte një çështje politike dhe arrestimi i Berishës erdhi me qëllimin për mazhoranca të ishte në pushtet edhe një mandat më shumë.

“Nuk mendoj që kauza e opozitës do të ngrihet me viktimizimin e liderit të saj. Nuk dua të përsëris Lubonjën dhe Logun por dua të them që kjo ishte një veprim jo vetëm i kushtëzuar nga çështja e drejtësisë që që nga fillimi është parë si çështje politike. Shihej që ishte një arrest politik që pushteti i korruptuar i Ramës të qëndronte në pushtet e të mbante edhe një mandat. Kjo është një fitore edhe personale e Berishës, në mënyrën se si e përballoi.

Veprimtaria e regjimit e bashkuar me instrumentin e drejtësisë së re… Duke mbaruar shkallët e gjykimit në vend, çdo çështje, edhe ajo e zotit Meta do të shkojë në Strasburg. Mendohet që dënimi i liderëve si edhe e zotit Meta, ka nisur nga një proces i disbalancuar, proces politik i mënyrës së arrestimeve si në rastin e presidentit të PL, fashiste për të intimiduar opinionin publik. Nuk bazohen në argumentet juridike të çështjes, por e shfrytëzojnë për të arrestuar politikisht liderët e opozitës.”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb