Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, deputetja socialiste, Ermonela Felaj, foli në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për paketën “Anti-KÇK” të miratuar nga qeveria dhe që sot ka nisur punën për goditjen e krimit të organizuar.

Ndër të tjera, Felaj u ndal edhe te lirimi nga burgu i disa prej “kokave” të krimit, duke thënë se këta gjyqtarë dhe prokurorë nuk do t’i shpëtojnë hetimit.

Por, e pyetur nga drejtuesi i emisionit, Sokol Balla, se pse kjo paketë “Anti-KÇK” nuk do të hetojë këta gjyqtarë e prokurorë, që kanë liruar kriminelë, siç ishte rasti i bujshëm i Endrit Dokles, i liruar nga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, deputetja tha se ata do të hetohen nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.

Sokol Balla: Rama përmendi faktin që gjyqtarë dhe prokurorë po bëjnë golat e radhës, teksa janë duke ikur. “Jeta jote do jetë e vështirë”, tha Rama për gjyqtaren që liroi Endrit Doklen, por ky ligj të vetmit që nuk prek janë gjyqtarët dhe prokurorët. Pse kjo paketë nuk i përfshin këta gjykatës e prokurorë, që lirojnë kriminelë?

Ermonela Felaj: Nuk mendoj që kjo paketë nuk i godet prokurorët e gjyqtarët. Për shkak të Reformës në Drejtësi, është krijuar në lloj boshllëku në sistem, që një pjesë po e shfrytëzojnë, të bindur se dhe ata nuk do e kalojnë dot testin e Vetingut. Lirimet nga burgu kanë qenë skandaloze dhe shërbejnë për të kuptuar se deri ku duhet të shkojë ushtrimi i fuqisë nga ligjvënësi. Ka rëndësi për të parë si është liruar Dokle. Gjykata ka ndjekur dy rrugë për lirimin e të dënuarve të tillë, rasti më i njohur ka qenë kur ka ndërhyrë Gjykata e Lartë, dhe të dënuarit e përjetshëm i ka ndryshuar në të dënuar me 24 vite burg, duke iu dhënë të drejtën për lirim.

Rasti i kësaj gjyqtareje të Krujës dhe të tjerëve, që kanë vepruar si ajo, do të trajtohet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Në rastin kur gjyqtarë e prokurorë nuk do të veprojnë siç urdhëron ky ligj, do të nisë procedimi penal ndaj tyre. Rrethi i personave që ka për objekt ky akt normativ nuk është vetëm i atyre të shpallur në kërkim, por edhe atyre që janë nën hetim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb