Pasi gjykata vendosi që të lirojë nga burgu Endrit Doklen, ish-kreu i Bandës së Durrësit, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm, ka reaguar Prokuroria e Krujës. Në një njoftim për mediat, organi i akuzës ka bërë me dije se kërkesa e paraqitur nga Dokle, nuk plotëson kushtet ligjore.

Mes të tjerash Prokuroria tha se do të ankimojë vendimin e gjykatës, ndërsa shtoi se ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarës së çështjes.

REAGIMI I PROKURORISË
Gjykata e Shkallës së Parë Krujë me vendimin nr. 6/123 datë 14.01.2020 vendosi : “Pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle. Lirimin me kusht të kërkuesit Endrit Dokle, i biri i Mensurit dhe i Rahimes datëlindja 31.12.1983, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, duke e vënë në provë për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh. Në zbatim të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet Endrit Dokle që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Në zbatim të nenit 60 pika 10 e Kodit Penal detyrohet kërkuesi Endrit Dokle që gjatë periudhës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Urdhërohet kërkuesi Endrit Dokle të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka qenë pjesëmarrëse në këtë proces dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma. Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çëshjtes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata. Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet proçedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do ti parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb