SPAK do të ankimojë vendimin për lirimin e kardiologut Edvin Prifti, i cili u arrestua pak ditë më parë dhe më pas u la i lirë, nën akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se Prokuroria e Posaçme do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për të kërkuar rekurs të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila i ndryshoi masën e sigurisë për shefin e kardiokirurgjisë, Edvin Prifti.

SPAK është në pritje të zbardhjes së vendimit të gjykatës së Apelit dhe brenda afatit 15 ditor do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë. Priftit iu gjetën 250 mijë euro dhe afro 160 milion lekë të reja në shtepi dhe zyrë, ndërsa aktualisht ndaj tij ka mbetur në fuqi masa e pezullimit të ushtrimit të detyrës.

Kujtojmë se mjeku i njohur është zbuluar rastësisht nga SPAK, pasi kjo e fundit kishte vënë në përgjim sekretaren e gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi, e cila u arrestua bashkë me gjyqtaren Enkeleida Hoxha dhe dhjetë persona të tjerë për vapën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Teksa SPAK e kishte vënë në përgjim Mallkuçin, zbulon se kjo e fundit fliste me mjekun Prifti për operacionin e nënës, për të cilin ai i kishte kërkuar para. Sakaq, në një intervistë për “News 24”, Prifti pak para se të arrestohej deklaroi se paratë e gjetura janë të ligjshme dhe shtoi se ato janë të bashkëshortes të përfituara nga një kontratë shit-blerje me të motrën.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: