Prokuroria e Tiranës do të ankimojë nesër vendimin e gjykatës që dërgoi në arrest shtëpie shtetasin kinez Lianbbin Chen që akuzohet si kreu i një grupi kriminal që ka vjedhur 140 mln euro.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Chen nga arrest me burg është dërguar në arrest shtëpie dhe do të qëndrojë në një banesë në Lundër.

Liangbin Chen, ishte në kërkim nga autoritetet kineze për grabitje përmes mashtrimit të një shume prej afro 145 milionë eurosh.

Ai u lirua pas ekspertizës së paraqitur në gjykatë me pretendimin se ai është i sëmurë.
Akti i ekspertizës i firmosur nga mjekët Elton Serani dhe Dr.shk. Zija Ismaili, mban datën 6 shtator të këtij viti, teksa thuhet se gjendja shëndetësore e Liangibim Chen nuk e lejon që të qëndrojë në qeli, pasi i rrezikohet jeta nga sëmundja.

“Në gjendjen aktuale shëndetësore në të cilën ndodhet shtetasi Liangibim Chen nuk mund të trajtohet në kushtet e paraburgimit sikurse ndodhet, pasi sëmundja e tij është në gjendje kritike dhe urgjencë mjekësore neurologjike, e cila kërkon mjekim intensiv nga mjekë specialist të fushës, pasi mund të shkaktohet vdekje asfiktike”, thuhet në aktin e ekspertizës.

Në akt rekomandohet po ashtu që i riu kinez të mbajë dietë ushqimore, ku duhet të shmangë ushqimin proteinik dhe kafenë.

Ky rast i paprecedentë, në kufijtë e skandalit ka ndodhur edhe me Abdulselman Turgut, i cili kërkohej për trafik droge nga autoritetet gjermane, por që gjykata e Apelit të Tiranës e liroi atë. Pas lirimit, ky i fundit u arratis, ndërsa tashmë është shpallur në kërkim në lidhje me sulmin terrorist që mendohet se ishte planifikuar ndaj opozitarëve iranianë, muxhahedinëve, që ndodhen në kampin ASHRAF 3 në Manzë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb