Një javë pas lirimit të shtetasit kosovar Shuaip Zukaj nga burgu i Shënkollit, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka pezulluar nga detyra prokurorin e Lezhës, Gjergj Rudi.

Mësohet se Rudi është pezulluar deri në përfundim të hetimeve për rastin e Zukajt, i cili u lirua nga administrata e burgut, pavarësisht se sipas vendimit të gjykatës me të mbaruar dënimin për tentativë vrasjeje, duhej të ekstradohej në Kosovë.

Dosja për hetimin e kësaj ngjarje është transferuar në prokurorinë e Krujës dhe po hetohet nga prokurori Florion Bunjaku, i cili ka marrë në pyetje persona të ndryshëm në lidhje me këtë ngjarje mes tyre edhe prokurorin e pezulluar Gjergj Rudi, i cili ka treguar të gjitha praktikat që ka ndjekur dhe që i ka dërguar me pas pranë institucioneve përkatëse.

Ndërkaq, ish-juristi i burgut i cili është i arrestuar Dejvis Aliohoxha gjatë marrjes në pyetje dhe pretendimeve para gjykatës ka mohuar se në kartelën e kosovarit Shuaip Zukaj ka qenë vendimi i ekstradimit të tij.

Për skandalin e lirimit nga burgu të Shuaip Zukajt i dënuar në Kosovë me 20 vite burg, përveç arrestimit të ish-juristit janë shkarkuar nga detyra edhe drejtori i burgut dhe 7 punonjës të tjerë, shkarkime këto që kanë ardhur për shkak të neglizhencës së tyre në detyrë.

Shuaip Zukaj i njohur edhe me emrin Shaban Zukaj, ka tentuar që të vrasë një person në vitin 1999 në Shëngjin të Lezhës dhe është dënuar në mungesë me 15 vite burg. Gjatë kohës së arratisjes akuzohet se ka kryer në Kosovë një vrasje në vitin 2011. Pas ngjarjeve është larguar në Belgjikë, ku është arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare, për tu ekstraduar në vitin 2012 në Shqipëri.

Autoritetet e Kosovës i kërkuan autoriteteve tona që pas përfundimit të dënimit ta ekstradonin Zukajn në Kosovë por ai u la i lirë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: