Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me lirimin nga qelia të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Lala u shpreh se Tahiri i është drejtuar disa herë gjykatës duke kërkuar ulje të dënimit ose kalim në arrest shtëpie, kërkesë kjo që i është përmbushur në rastin konkret për shkak të një akt-ekspertize që do bëjë ish-ministrin të vuajë 1 vit, 8 muaj e 15 ditë të dënimit në banesë.

Ajo zbuloi se gjykata liroi Tahirin nga qelia e burgut me arsyetimin se bashkëshortja e ish-ministrit pëson disa kriza akute që nuk e lejojnë të kujdeset për fëmijët e mitur.

Nga ana tjetër ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi është shprehur se politika ka ndërhyrë në vlerësimin e provave në çështjen e Tahirit, pasi ky i fundit akuzohej për trafik narkotikësh, që më pas u kthye në shpërdorim detyre.

Sipas tij politika kërkonte një ministër në burg për statistikë, ndërsa u shpreh se vendimi për lirimin e Tahirit është marrë në formë “luksi”, edhe pse e cilësoi atë si të drejtë.

Lala:

Tahiri u akuzua për trafik narkotikësh dhe lidhje me krimin e organizuar, ndërsa gjykata nuk e dënoi për këto akuza, për të cilat u shpall i pafajshëm dhe u dënua për shpërdorim detyre. U arsyetua që veprimet e tij kishin dëmtuar rëndë interesat e shtetit për shkak të kanabizimit. Tahiri i është drejtuar disa herë gjykatës së Elbasanit duke kërkuar liri me kusht, teksa këtë herë e ka bindur pas një akt-ekspertize. 1 vit 8 muaj e 15 ditë Tahiri do e vuajë si pjesë të dënimit në shtëpi.

Bashkëshortja e Tahirit pëson disa kriza akute që nuk e bëjnë të mundur të kujdeset për fëmijët. Me këtë argument gjykata ka dërguar Tahirin në shtëpi për të vuajtur dënimin. Ai po ashtu mund të dalë nga shtëpia kur të jetë e nevojshme për fëmijët dhe për nevojat. Tahiri ka gjithë mundësit të jetë i lirë dhe mund të dalë çdo ditë praktikisht.

Pyetja ime është nëse është ndjekur i njëjti standard për qytetarë të tjerë të dënuar.

Beçi:

Politika ka ndërhyrë në vlerësimin e provave. Nga trafiku i lëndëve narkotike kalon në shpërdorim detyre. Trafiku i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal nuk mund të kthehet në shpërdorim detyre. Ka ose nuk ka pafajësi. Politika thjesht kërkonte një ministër në burg si rezultat të drejtësisë. Ish-ministri u fut në burg për të patur një dënim të caktuar. Kur ai vuan dënimin drejtësia bën një piruetë tjetër.

Lirimi i tij nuk ka lidhje me procedurën normale. Në rastin konkret nga të dhënat që kemi do duhet të angazhohet drejtoria e burgjeve, ekspertë mjeko-ligjorë dhe gjykata për të vendosur. Vendimi është i rregullt, por është marrë në formë luksi. Cili i burgosur tjetër mund të bëjë të njëjtën kërkesë dhe t’i realizohet? Jam i bindur se ka qindra të tillë në Shqipëri me problematikën e Tahirit. Ky është privilegj i këtij personi nga procesi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: