Këshilli i Lartë Gjyqësor po shqyrton kërkesën e ILD-së për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.

Kërkesa për shkarkimin lidhet me rastin pas lirimit me kusht të Hekuran Billës. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për ‘BalkanWeb’, detaje nga diskutimi në seancën e sotme. I pranishëm në seancë, avokati i gjyqtares së arrestuar kërkoi pezullim të procesit pasi sipas tij magjistratja duhet të jetë në seancë dhe duhet kohë për mbledhjen e provave dhe për një propozim drejtuar ILD-së për marrëveshje.

Nga ana tjetër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, nuk ka qenë dakord me këtë shtyrje. “Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Elementët e procesit të rregullt ligjor përmbushen me prezencën e avokatit. Sa i takon kohës që kërkohet për t’u njohur me faktet, dua të kujtoj se hetimi ndaj magjistrates ka nisur më 16 korrik 2020, pra prej asaj date magjistratja është ajo njohur me dokumentet që ILD kishte në dispozicion dhe magjistratja ka patur mundësi e kohë për mbrojtjen. Edhe avokati ka patur kohë sepse është caktuar më 27 janar. Sa i takon marrëveshjes që përmendi avokati, unë nuk kam asnjë propozim zyrtarisht. Kur ta kem do e shqyrtoj edhe pse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i qartë për këtë çështje.”.

Ndërkohë që Këshilli është tërhur për konsultim.

SHKARKIMI I GJYQTARES
Duke qenë se gjyqtarja është arrestuar ende nuk është e qartë qëndrimi që do mbaje KLGJ. Kujtojmë se gjyqtarja u pezullua nga KLGJ pas arrestimit me urdhër të SPAK.
Gjyqtarja Hoxha akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi në funksionin e saj publik lironte persona me dënime për vepra të rënda penale, kundrejt përfitimeve personale.

Në fakt gjyqtarja nuk ishte e vetmja, pasi bashkë me të u arrestuan dhe 9 persona të tjerë teksa rol kryesor në skemën korruptive kishin sekretarja e Gjykatës, Manuela Mallkuçi dhe avokati Aldo Tabaku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb