KORCE-Lihen të lirë dy autoret e arrestuar pak ditë më parë si dyshuar të vjedhjes së Katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’ në Korçë, ndërsa janë arrestuar tre të tjerë.

Burime nga Komisariati i Korçës, konfirmojnë për “BalkanWeb” se janë liruar për mungesë provash Joni Cigare dhe Genci Arifi.

Arrestimi i tyre erdhi pak orë pas reagimit të klerikëve ortodokse, por policia e Korçës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për autorësinë e vjedhjes dhe dhunimit të Katedrales nga këta dy persona.

Pas lirimit të dy të dyshuarve për mungesë provash, prokuroria e Korçës ka lëshuar urdhër arresti për 5 persona të tjerë, dy prej te cilëve vëllezër, të cilët janë arrestuar pak orë më vonë nga policia.

Në pranga kanë përfunduar vellezerit Ronaldo dhe Lorenc Berberaj, të dy 18 vjeç si dhe R.SH, 15 vjeç, banues në Korçë. Ndërkohë  janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e D.H., 15 vjeç dhe M.T., 14 vjeç, banues në Korçë

Ndaj tre të arrestuarve pritet seanca për caktimin e masës se sigurisë për të parë nëse provat e grumbulluara nga policia krijojnë dyshim të arsyeshëm për autorësinë e vjedhjes se objektit të kultit.

Grabitja e Katedrales në qendër te qytetit të Korçës mbrëmjen e 2 shtatorit, solli reagimin e Mitropolisë se Shenjte, kleriket e se cilës e vlerësuan të pamjaftueshme punën e policisë, e cila nuk ka shkuar tek autoret e asnjë objekti kulti te denoncuar si të vjedhur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb