Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE –Adriatik Coli, i penduari i “Bandës së Durrësit”, dëshmia e të cilit “ngujoi” pas hekurave 16 të pandehur, i është rikthyer lirisë. Burime të besuara për “GSH”, pohojnë se i penduari i drejtësisë, është liruar nga qelitë e burgut dhe ka rifilluar jetën e tij, pasi përfundoi dënimin e dhënë nga drejtësia. Por, për shkak të statusit të tij si i penduar, burimet nuk dhanë asnjë detaj lidhur me vendndodhjen e Adriatik Colit. Ndërkohë, ndonëse shumë të rezervuar, burime pranë Ministrisë së Bren-dshme thanë se Coli është larguar jashtë Shqipërisë. Të penduarit i është ndryshuar identiteti, sipas marrëveshjes së bërë me Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Adriatik Coli u arrestua në vitin 2006 dhe dëshmia e tij la pas hekurave shumë të pandehur, mes të cilëve Lulzim Berishën dhe Indrit Doklen. Ndërsa, Coli tashmë shijon lirinë, të pandehurit e tjerë ndodhen prapa hekurave. Pas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë, vetëm për Indrit Doklen ka mbetur në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm.
Dënimi i Colit
Pas një procesi-maratonë, Adriatik Coli u cilësua fajtor për së paku 7 vrasje në bashkëpunim dhe për tentativat për të vrarë Lulzim Berishën dhe nga Gjykata e Krimeve të Rënda u dënua me burgim të përjetshëm. Për shkak të statusit si i penduar i drejtësisë, Coli përfundimisht u dënua me 10 vite burgim. Ai qëndroi përgjatë gjithë kohës i fshehur, ndërsa në sallën e gjyqit ruhej nën masa të rrepta sigurie, për të shmangur çdo rrezik për jetën e tij. Përgjatë gjithë kohës së qëndrimit në burg, nuk u mësua vendndodhja e Colit.
Pendesa
Nëse Adriatik Coli nuk do të ishte rrëfyer dhe të dëshmonte me detaje, aktivitetin kriminal të së ashtuquajturës “Banda e Durrësit”, sot mbase prapa hekurave nuk do të ishte asnjë i dënuar. Pendesa e tij, ishte “prova” e fortë e prokurorisë, për të provuar fajësinë e të pandehurve, të cilët përgjatë katër viteve bënë të pamundurën për të bllokuar procesin. Adriatik Coli, iu përmbajt deri në fund dëshmisë së tij dhe përgjatë disa seancave-maratonë, ai i rrëfeu gjykatës krimet e rënda. Dëshmia e Adriatik Colit, bëri që të zbardheshin të paktën nëntë vrasje, disa tentativa, pengmarrje e ngjarje të tjera kriminale, që nga vrasja e Dritan Sallakut, Marsel Sotirit, Dritan Dishës, Erjon Lames, e në fund tentativat për të ekzekutuar Lulzim Berishën.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: