Gjykata e Sarandës ka lenë të lirë 60-vjecarin Alim Abazi, të arrestuar në 9 gusht të këtij viti për kultivimin e 54 rrënjëve “cannabis sativa” në Qafen e Soronesë, Bashkia Konispol.

Pavarësisht se e ka liruar nga masa “Arrest me burg”, gjyqtari Fatmir Ndreu ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje dy herë në muaj” dhe garanci pasurore 500 mijë lekë të reja ndaj 60-vjeçarit me qëllim për të siguruar moslargimin e tij deri në përfundim të gjykimit. Shkak për lirimin e 60-vjeçarit është bërë dëshmia e nipit të tij 24-vjeçar, Sabri Mucaj, edhe ky i arrestuar në një ditë me dajon.

“Përsa i përket bimëve narkotike të gjetura në vendin e ngjarjes, ato bimë i kam kultivuar unë dhe nuk ka dijeni asnjë person tjetër. Duke qenë se nuk ishim në tokën e dajos tim, e kam mohuar deri në këtë fazë fajësinë për veten time me idenë se do t’i shmangesha përgjegjësisë penale. Por sot deklaroj se këto bimë më përkasin mua dhe asnjë shtetasi tjetër. Bimët narkotike ishin mbjellur në tokë “shtet”. Dajoja im nuk ka dijeni e lidhje me këtë ngjarje” ka deklaruar Mucaj.

Abazi në deklarimet e veta si person nën hetim ka sqaruar të gjithë mekanizmin e ngjarjes. Ai ka deklaruar se është vënë në dijeni në ambientet e paraburgimit të IEVP Sarandë nga nipi i tij Sabri Muçaj ku ky i fundit pas disa ditësh i ka treguar ngjarjen se bimët narkotike të kultivuara dhe të gjetura në afërsi të stanit të tij i përkasin nipit të tij Sabri Muçaj. Ky i fundit i ka deklaruar se ka mohuar ngjarjen në momentet e para duke thënë se bimët nuk ishin në sipërfaqen e kullotës së dajos së tij. Gjatë shpjegimeve të tij, në cilësinë e të arrestuarit nuk e ka implikuar nipin e tij me argumentin se asnjëherë nuk ka mësuar nëse kishte ose jo bimë narkotike të kultivuara në afërsi të stanit të tij. Terreni në të cilin kanë qenë të kultivuara bimët narkotike nuk të lejon shikim vizual nga stani i personit nën hetim pasi është një terren me shkurre. Po kështu Abazi ka mësuar nga nipi i tij se asnjëherë ky i fundit nuk e ka informuar për çfarë kishte kryer. Sabri Muçaj shfrytëzonte momentin kur dajoja i tij largohej me bagëti në kullotë dhe mandej shkonte për t’u shërbyer bimëve narkotike.

Abazi nderkohe parashtron se organit të akuzës i është paraqitur një akt-ekspertimi i kryer nga Ing. Gjeodet Esheref Liçaj, i cili ka përcaktuar nëse pjesa e sipërfaqes së tokës të kontraktuar nga subjekti me Bashkinë Konispol përputhet apo jo me sipërfaqen e tokës në të cilën janë konstatuar dhe sekuestruar bimët narkotike. Eksperti ka dhënë përgjigjen se: “Referuar këtyre planvendosjeve të parcelave rezulton se këto parcela nuk përfshihen brenda sipërfaqes së kullotës të marrë me qira nga shtetasi Alim Abazi”.

Gjykata nderkohe mban në konsideratë në vendimmarrjen e saj edhe moshën e personit nën hetim, pra 60 vjeç, faktin se është fermer dhe mbarështon një tufë prej afro 450 krerësh bagëti të imëta të cilat kërkojnë një angazhim të përditshëm të tij për mbarëvajtjen e tyre në funksion të ekonomisë shtëpiake, një vërtetim të lëshuar nga kryepleqësia e fshatit Xarrë, Bashkia Konispol ku pasqyrohet se “… qëndrimi i tij dhe i familjes ka qenë gjithnjë korrekt, nuk ka krijuar probleme dhe nuk na ka sjellë asnjë shqetësim, gjendja shëndetësore e personit nën hetim sipas Kartelës Klinike nr. 160 të Shërbimit Parësor në Burgje, ku ndër të tjera nga mjeku përshkruhet se: “… kohët e fundit ka pasur shqetësime me H7A dhe vështirësi në frymëmarrje. Për këtë arsye ka shkuar përsëri në Spitalin e Sarandës ku i janë bërë të gjitha ekzaminimet laboratorike dhe imazherike. Ka marrë mjekim dhe i rekomandohet konsultë Pneumologu në një moment të dytë.”

 

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb