Pjesa më e madhe e Portugalisë iu nënshtrua sot një bllokimi të pjessshëm, më fleksibël se ai në pranverë, megjithëse qeverisë mund t’i duhet t’i ashpërsojë këto masa për të ndaluar valën e dytë të pandemisë së COVID-19.

“Nëse pandemia e bën të domosdoshme, do të merren masa më të ashpra”, paralajmëroi kryeministri Antonio Costa, ndërsa vendi regjistroi sot numrin më të rëndë ditor që nga fillimi i krizës shëndetësore, me 59 vdekje dhe 7 497 infeksione të reja.

Puna në distancë është e detyrueshme, kur është e mundur dhe popullata ka detyrën qytetare të izolimit në shtëpi.

Ndryshe nga bllokimi i parë, shkollat do të ​​mbeten të hapura dhe po ashtu edhe bizneset, restorantet apo teatrot, që, gjithsesi, duhet të mbyllin dyert e tyre më herët.

Megjithatë, janë planifikuar rreth 20 përjashtime për t’i lejuar portugezët të bëjnë blerje, të luajnë sporte ose të ndihmojnë dikë.

Bllokimi i njoftuar këtë fundjavë prek 121 nga 308 bashki në vend, ose 70% të një popullsie prej rreth dhjetë milionë banorësh dhe do të mbetet në fuqi për të paktën dy javë.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb