TIRANE- Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, që po hartojnë reformën në Drejtësi, ka publikuar dje raportin “Analiza e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”, sipas të cilit thuhet se prokurorët dhe gjyqtarët për t’u transferuar apo emëruar në qytete të rëndësishme, paguajnë ryshfet nga 100 mijë deri në 300 mijë euro.

Komisioni i Posaçëm për reformën në Drejtësi Në raportin voluminoz nuk citohen studime apo sondazhe të shoqatave të ndryshme, por të gjitha akuzat për rastet e denoncuara si pagesa korruptive është quajtur në dokumentin zyrtar si perceptim i qytetarëve. “Në fakt, opinioni i gjerë publik beson, dhe disa vëzhgues të afërt të sektorit, pohojnë se disa prokurorë dhe gjyqtarë paguajnë për t’u emëruar ose transferuar në vende pune të rëndësishme (fitimprurëse sipas logjikës së korrupsionit), si p.sh. në Tiranë apo qytete të tjera të rëndësishme.

Duke qenë se shifrat që thuhet se paguhen për këto pozicione janë marramendëse (100.000 deri 300.000 euro për disa pozicione), është e natyrshme të besohet se këta funksionarë të drejtësisë do të korruptohen për t’i rimarrë (dhe mundësisht shumëfishuar) ato”, thuhet në raport.

PROKURORËT DHE GJYQTARËT
Në raportin e hartuar nga ekspertët e huaj dhe vendës thuhet se ryshfet marrin dhe policët gjyqësorë, të cilët në këmbim të parave prishin provat e çështjeve të ndryshme. Mosfillimi i çështjes, sipas raportit, paguhet me vlerën e 1 mijë deri në 2 mijë eurove. “Të dhëna jozyrtare që qarkullojnë në publik dhe janë konsistente në kohë, sugjerojnë se cikli i pagesave korruptive fillon që me policinë gjyqësore, oficerë të korruptuar të së cilës pranojnë pagesa për të shkatërruar provat në vendin e ngjarjes. Më tej, prokurorë të korruptuar pranojnë pagesa për të mos e filluar një çështje ose për të mos ngritur akuzë (1000 deri në 2000 euro për çështje standarde)”, thekson raporti. Më tej përmenden dhe rastet e ndryshimit të masës së dënimit, nga arresti me burg në detyrim paraqitjeje, gjyqtarët marrin nga 60 mijë deri në 80 mijë euro. “Vlen të veçohet perceptimi në lidhje me shifrat që duket se paguhen për të ndryshuar masën e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpie ose detyrim për paraqitje (60.000 – 80.000 euro).

Gjyqtarë të korruptuar zvarrisin caktimin e seancës së parë ose kushtëzojnë vendimin përfundimtar (ndonjëherë edhe zbardhjen e vendimit) në pritje të ryshfetit. Madje, ka të dhëna se disa gjyqtarë bëjnë lojë të dyfishtë, duke përfituar ryshfete nga të dyja palët. Sikur të mos mjaftonte kjo, shpesh dhënia e ryshfetit nuk siguron rezultatin e dëshiruar”, evidenton raporti i hartuar nga ekspertët e Drejtësisë.

SEKSERËT
Persona të tretë bëjnë ndërmjetësimin, thuhet në raport, dhe paratë nuk kërkohen drejtpërdrejt. “Shpesh sekseri është një i afërt i familjes së gjyqtarit ose prokurorit, një mik i përbashkët, ose një avokat. Në çdo rast, sekseri është një person që gëzon besimin e gjyqtarit ose prokurorit për shkak të marrëdhënieve të vjetra private ose kontakteve të qëndrueshme të punës. Në përgjithësi ka të dhëna për një strukturë të mirëpërcaktuar të shifrave që paguhen për shërbime të ndryshme. Madje, flitet edhe për ndarje të paracaktuar të përfitimit të paligjshëm midis gjyqtarit/prokurorit dhe ndërmjetësit ose personave brenda zyrës së gjyqtarit/ prokurorit, të cilët duket se marrin një përqindje për lehtësimin e kalimit të ryshfetit nga korruptuesi tek i korruptuari”, thuhet në raport, në të cilin theksohet më tej se: “Në çdo rast, palët në transaksionin korruptiv shmangin telefonatat. Pagesat bëhen me para në dorë. Shpesh përfitimet e paligjshme dërgohen jashtë vendit ose u jepen të afërmve/familjarëve të gjyqtarit/ prokurorit apo personave të tretë të besuar”.

KORRUPSIONI NË DREJTËSI
100 mijë deri në 300 mijë euro është ryshfeti që paguajnë prokurorët apo gjyqtarët për t’u transferuar në Tiranë apo qytete të tjera të rëndësishme. 1 mijë deri në 2 mijë euro janë pagesat që pranojnë prokurorët e korruptuar për të mos filluar një çështje, ose për të mos ngritur akuza. 60 mijë euro deri në 80 mijë euro paguan ryshfet një qytetar për të ndryshuar masën e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpie ose detyrim paraqitjeje. Seanca e parë zvarritet nga gjyqtarët e korruptuar ose kushtëzohet vendimi përfundimtar në pritje të ryshfetit. Avokatët në raste të caktuara kërkojnë ryshfet në emër të gjyqtarëve apo prokurorëve dhe ato i mbajnë për vete. Policët gjyqësorë pranojnë të marrin pagesa korruptive dhe në këmbim prishin provat në vendngjarje.

ANKETA ME GJYQTARËT
25% e gjyqtarëve ishin të mendimit se sistemi i Drejtësisë është i korruptuar, ndërsa 58% besonin se sistemi perceptohej si i korruptuar. 50% e gjyqtarëve ishin të mendimit se sistemi gjyqësor nuk ishte i çliruar nga ndikimi politik.

(ma.ar/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: