TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha tha se lista e kandidatëve të PS për deputetë është një fasadë, teksa theksoi se kudo duket dora e krimit dhe bandave.

Në një konferencë me mediat pasditen e sotme, Basha tha se problemet e vendit janë shumë të mëdha, janë thelluar e përkeqësuar nga viti në vit dhe një nga të këqija e tmerrshme ka qenë vrasja e shpresës dhe e besimit tek politika si instrument ndryshimi.

“Është si shërbim që ne dhe unë e shohim politikën dhe jo si privilegj ose mundësi për të grabitur dhe mbi grabitjen për të ndërtuar një sistem që ka skllavëruar një popull të tërë. Më 25 prill ndryshimi që po vjen nuk ka thjesht formën dhe fytyrën e ekipit të kandidatëve për deputetë por të mijëra shqiptarëve me sytë nga Aleanca për Ndryshimin.

Këto janë kriteret që mishërojnë kandidatët tanë të listës fituese të 25 prillit. Natyrisht që nuk do jetë një betejë e lehtë, jo vetëm për faktin se qeveria dhe km në ikje përsëri e ka vënë bastin tek njerëzit pa integritet, tek njerëzit që dhe në kohë pandemie kanë vjedhur bukën e fëmijëve me tendera sekretë, tek ata që duhet të ishin sot para SPAK-ut për vjedhjen e votave, tek ata që kanë vjedhur paratë e rindërtimit, të cilët fshihen pas një fasade të rreme që Edi Rama e ka ngritur duke abuzuar me figura të ndryshme, pas të cilave fshihen këta njerëz, Arben Ahmetajt, Damian Gjiknurët, Olta Xhaçkat dhe vetë kryeproblemi. Pa largimin e Edi Ramës nuk ka ndryshim. Njësoj siç ka ndërtuar gjithçka në jetën e tij dhe lista e tij është një fasadë. Nuk ka të ardhme me Edi Ramën dhe me shërbëtorët e tij që kanë grabitur qindarkat e fundit të çdo shqiptari dhe e kanë zhytyr vendin në një varfëri të papërballueshme. Diku dhe nuk i ka shpëtuar dot mundësisë për të ngritur një fasadë. Kudo duket dora e krimit dhe bandave, mjafton të shohim qarkun e Durrësit, kandidatin e Avdyljave, Curben e famshëm të përgjimeve të Bild-it, kandidatin e bandave të tjera të Shijakut dhe të Durrësit, Ndrazhën gojëkyçur dhe natyrisht dhe Rrahman Rrahjen, emër i njohur ndërkombëtarisht për çfarë përfaqëson. Shumë të tjerë janë fshehur pas fytyrave anonime që përfaqësojnë këto klanet kriminale. Kjo është Shqipëria e së ardhmes? 8 vjet në pushtet kjo ka qenë oferta e Edi Ramës. Pas 8 vitesh e vetmja gjë që ofron është një fasadë, një çarçaf i arnuar poshtë të cilit gëlojnë bandat me shpresën se kështu do i hedhin hi syve atyre që duan ndryshimin”, deklaroi kreu i PD.

Ai theksoi se prej ditës së sotme me bërjen transparente të listës së kandidatëve të PD, ndryshimi po vjen.

“Jemi energjia dhe shpresa e kthyer në realitet e çdo shqiptari se pas 25 prillit ndryshimi do jetë i prekshëm për të gjithë, për të gjithë shqiptarët. Ndryshimi do të vijë dhe për ata socialistë zemërthyer të cilët e shohin fare qqartë që s’’ka reflektim por pengmarrje totale. Ndryshimi po vjen dhe për ju. Më 25 prill nuk do fitojë thjesht PD, aleanca dhe koaliconi ynë, por do fitojë çdo shqiptar. Ata duan status quo-n, gjendjen aktuale”, tha Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb