Lista Serbe kërcënon sërish kryeministrin Avdullah Hoti të pranojë hapjen e diskutimit në Bruksel dhe formimin e Asosacionit ose do të largohet nga qeveria.

Zëvendës kryetari i Listës Serbe dhe kreu i Graçanicës, Srdjan Popoviq ka kujtuar se në Bruksel u është premtuar Asosacioni i komunave serbe në Kosovë dhe nëse nuk ndodh, atëhere do të ketë largim nga të gjitha institucionet.

 

“Në Bruksel, na është premtuar se do të formohet Asociacioni. Kjo është arsyeja pse ne kemi hyrë në institucionet qendrore dhe pse kemi krijuar institucionet lokale. Ky premtim na jep të drejtën që të largohemi nga institucionet nëse ai premtim nuk përmbushet.

Do të jemi të durueshëm dhe të presim që Brukseli të bëjë punën e tij. Nëse nuk ndodh, atëherë ne do të konsiderojmë mundësinë dhe do t’i përcaktojmë hapat e radhës për t’u larguar nga institucionet”, ka thënë Srdjan Popoviq.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka refuzuar që pjesë e marrëveshjes me Serbinë të jetë Asosacioni me kompetenca ekzekutive teksa më parë nuk ka pranuar as rihapjen e diskutimeve për këtë temë, por Serbia ka këmbëngulur teksa BE e ka lënë të hapur si çështje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb