SHKUP- Platforma shqiptare, e cila bashkoi partitë shqiptare në Tiranë nën patronatin e kryeministrit Edi Rama tashmë është harruar, sipas agjencisë së lajmeve në Maqedoni, INA. Sipas tyre, ka kohë që përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoni nuk e kanë përmendur këtë deklaratë politike, me frikën se do të qortohen nga presidenti i Maqedonisë dhe partia opozitare VMRO për ndërhyrje të Shqipërisë në punët e brendshem të Maqedonisë.

Ndërkohë që liderët shqiptarë në Shkup nuk guxojnë as të tregojnë se Platforma është firmosur në Tiranë, Lista Serbe në Kosovë e ka treguar hapur se është Beogradi ai që vendos për serbët e Kosovës.

Përfaqësuesit e Listës Serbe do të udhëtojnë për në Beograd për konsultime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç rreth pjesëmarrjes dhe mënyrës së përfaqësimit në Qeverinë e re të Kosovës.

Me votimin e kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, Lista Serbe me përfaqësuesin e saj, Igor Simiç, e ka përmbyllur një pjesë të marrëveshjes. Kurse për Qeverinë e re të Kosovës dhe pjesëmarrjen në të, ai tha se Lista Serbe do të flasë fillimisht me Vuçiçin.

“Për hapat e ardhshëm politikë do të vendosim pasi që të konsultohemi me presidentin Aleksandar Vuçiç dhe koordinatorin për Kosovën, Marko Gjuriç. Pas konsultimeve do të marrim vendimin rreth hyrjes eventuale të Listës Serbe në Qeveri”, ka thënë Simiç.

E ndërsa serbët nuk Kosovë nuk bëjnë kompromise për të drejtat e tyre, politikanët shqiptarë në Maqedoni tërhiqen dhe heshtin përballë të drejtave të shqiptarëve.

Edhe pse përfaqësojnë mbi 30 për qind të shqiptarëve në këtë shtet, ata kanë hequr dorë nga avancimi i statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve, duke pranuar një ligj gjysmak për gjuhën shqipe,.shkruan “INA”.

Sipas tyre, politikanët shqiptarë shpresojnë t’i realizojnë të drejtat e tyre me ndryshime kushtetuese, një ëndërr që nuk do të realizohet kurrë, për faktin se deputetët maqedonas janë shprehur hapur se kurrë nuk do të votojnë ndryshime që rrezikojnë “gjoja” integritetin e shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb