PRISHTINË- Lista Serbe ende nuk ka vendosur për votën e saj për zgjedhjen e presidentit. Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, ka deklaruar se subjekti i tij politik ende nuk ka vendosur nëse do t’ia jap voton Hashim Thaçit për president apo jo.

“Lista serbe është në koalicion me PDK – LDK, por nuk kemi marrëveshje për mbështetjen për president të Kosovës”, ka deklaruar sot Simiç për “Zërin”.

Ai ka thënë se në marrëveshjen që kanë bërë me koalicionin qeveritar askund nuk përmendet zgjedhja e presidentit si pjesë e marrëveshjes dhe se sipas tij, Lista Serbe nuk ka asnjë obligim ndaj partnerëve të koalicionit për këtë çështje.

“Askund nuk përmendet zgjedhja e Presidentit të Kosovës si pjesë e marrëveshjes së koalicionit. Nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj partnerëve të koalicionit që të mbështesim ndonjë kandidat. Çdo deputet i Listës Serbe duhet ta ketë në pah se përfaqëson trupin e caktuar zgjedhor të bashkësisë serbe. Asnjë deputet nuk guxon të votoj me vullnetin e vetë por me konsultimin dhe vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqëson në Kuvend. Qëndrimi im si përfaqësues dhe shef i Grupit Parlamentar të Listës serbe është se asnjërin nga kandidatët që pretendon në postin e presidentit nuk duhet ta mbështes pa dakordimin e implementimit dhe zbatimin të parimeve themelore të marrëveshjes së koalicionit Lista serbe – PDK – LDK”, ka deklaruar Simiç.

Sipas tij, Lista Serbe nuk është aspak kundër zgjedhjes së presidentit të Kosovës, nëse koalicioni arrin që t’i ketë votat e mjaftueshme për president.

“Deri tani nuk është biseduar seriozisht me kryetarët e dy partive më të mëdha në Kosovë. Mirëpo nëse partnerët tanë të koalicionit mendojnë se i kanë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, pra 2/3 e votave, lirisht le të caktojnë seancën dhe si rend të ditës – zgjedhjen e presidentit të Kosovës, s’kemi gjë kundër”, është shprehur për “Zeri.info”, Slavko Simiçi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: