Shqipëria po i afrohet me shpejtësi një tjetër raundi të nxehtë zgjedhor, ku palët në betejë kanë përveshur mëngët për të rrëzuar në tapet kundërshtarin pa kursyer asnjë mjet në arritjen e qëllimit. Edhe në këto zgjedhje të 25 prillit, duket se problem do të jetë lidhja e politikës me krimit, ku ndërsa nga ndërkombëtarët kërkohen me ngulm lista të pastra, politika ka gjasë të përdorë çdo element të krimit, në një betejë ku do të luftohet për çdo votë të mundshme.

Në vitin 2013, Edi Rama, erdhi në pushtet me premtimin për një Shqipëri ndryshe nga paraardhësit. Madje shumë sugjestionuese; të rilindur.

8 vite më pas përballë tij nuk është më Sali Berisha si kundërshtar i drejtëpërdrejtë politik, por Lulzim Basha.

Edi Rama sot kërkon të thyejë rekordin e qeverisjes; një mandat të tretë.

Ndryshe nga mandati i dytë ku kërkonte tepsi dhe timon, tashmë i vetmi program që Rama prezanton është diversion ndaj LSI-së që kërkon ta çojë për skrap dhe etiketimet shpotitëse ndaj programit të kundërshtarit të tij të parë, Lulzim Basha.

EDI RAMA
“Gjysëm ore pasi ra tërmeti në mes të natës të vinte Luli këtu?! Luli do ishte në gjumë, gjysëm orë sa të zgjohet, sa të veshë këpucët, të lyejë flokët me xhel, të rregullohet, të krifet para pasqyrës, të dalë…ka ardh dreka”.

LULZIM BASHA
“Asgjë nuk mund të ndryshojë pa larguar Edi Ramën. Ndaj hapi i parë është largimi i tij, i cili do të ndodhë më 25 prill. Po, do të humbë Edi Rama, por do të fitojë Shqipëria”.

Por ndërsa përballë duket se kemi të bëjmë me një fushatë fair, underground, fijet e krimit kanë tashmë strategji të qartë për të përforcuar lidhjet me politikën. Ky është shqetësimi madhor i selive më të rëndësishme diplomatike, rreziku i ndërhyrjes së krimit në fushatën zgjedhore dhe më pas në Kuvendin e Shqipërisë.

Shqipëria ka precedentë të rrezikshëm të pranisë së krimit në politikë. Për këtë arsye në Shqipëri i miratua një ligj special për dekriminalizimin. Është përvojë unike kjo e jona, nevoja për të miratuar ligj për pastrimin e politikës. Sepse krimi i organizuar ka mundur të arrijë në majat më të larta të vendimarrjes së politikës. Referuar këtij fakti, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim prej ditësh bën apel politikës të përjashtojë kriminelët dhe tu heqe atyre mundësinë për të garuar.

“Demokracia qendron mbi bazën e transparencës dhe besimit të publikut.

Ndërkohë që Shqipëria po bën përpjekje për t’u anëtarësuar në BE duhet të sigurojë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta, me kandidatët që me integritet, që të përfaqësojnë me nder interesat e popullit shqiptar. Dua të theksoj sërish se është përgjegjësia e liderëve të partive që të sigurojnë që ata të jetë të pastër, të përdorin standardet strikte të ligjit për dekriminalizimin, por që të bëjnë më të mirën për të kontrolluar se kush do të përfaqësojë popullin shqiptar.”

Analisti Baton Haxhiu thotë se është shansi i fundit për këtë elitë politikë, ti ktheje dinjitetin e nëpërkëmbur institucionit më të lartë; Parlamentit të Shqipërisë.
BATON HAXHIU
“Është koha e fundit që Shqipëria të rikthejë besimin në Parlament, i cili realisht ka një kohë, jo vetëmn që është i dyshuar, por është me kredibilitet të munguar. Liderët e kanë herën e fundit, ose rastin e fundit, që tja kthejnë Shqipërisë dinjitetin e Parlamentit”.

Sinjalet i drejtohen pikësëpari mazhorancës aktuale. Kjo edhe për shkak të një precedenti që duhet ta vuajë si një njollë të zezë mbi trupin e saj. Në vitin 2013, Edi Rama erdhi në pushtet me dogmën e duarve të pastra, por dosjet e para kriminale të të përzgjedhurve të tij në parlament, filluan ta trondisin fort reputacionin e tij si kryeministri që do luftonte krimin.

Zbulimet e vazhdueshme të kartelave me disa emra dhe rekordet kriminale që kishin shënuar jashtë vendit të zbardhura nga Partia Demokratike, bën që Rama të paktën publikisht të dorëzohej dhe të pranonte një ligj për dekriminalizimin në vitin 2016.

Ligj nga i cili u pastruan jo vetëm nga parlamenti por edhe nga bashkitë disa nga njerëzit më besnikë të Ramës në pushtet, edhe pse ai gjithmonë ka shfaqur devotshmëri në mbrojtjen e tyre, por kur është gjendur përballe fakteve, është përpjekuar tua kalojë dosjet kriminale si përgjegjësi individuale gjithsecilit prej personave të prekur nga dekriminalizimi, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi politike mbi përzgjedhjen e tyre.

Kryeministri atë kohë shprehej: “Do kisha dëshirë të vinte këtu krimineli që drejton Kavajën. …mezi po pres zbatimin e ligjit, e t’i çoni letër Lulit po ky si shpëtoi….Elvis, apo si e ke emrin Ervis, s’dihet sa emra ke”.

Është e gjatë lista e deputetëve socialistë që dekriminalizimi u hëngri politkisht kokën.

Socialisti Arben Ndoka, kryesonte listën e qarkut lezhë, kur u ngjit ne Parlament, por shpejt u detyrua ta linte në mes mandatin si deputet.
Edhe pse në dukje e reklamoi largimin si dorëheqje, Ndoka iku nga Kuvendi për shkak të presionit që vinte nga ligji i dekriminalizimit, pasi iu zbulua dënimi në Itali për trafik qeniesh njerëzore. Një letër që do ti dërgonte parlamentit dhe grupit parlamentar socialist, dukej mjaft emocionuese.

ARBEN NDOKA
“E vërteta ime mua nuk më vlen, unë jam një njeri i dënuar nga fati po dhe i dënuar që të mos besohem si i tillë, Lus Zotin të më ndihmojë që t’ia dal, t’ju sjellë si provë të vërtetësisë së kësaj letre, vendimin e një gjykate të po atij vendi ku jeta ime u nxi sa nuk thuhet. Sepse e di që një vendim gjykate këtu në Shqipëri nuk do ta besonte askush!”

Në atë letër ai premtoi se do të mbetej mbështetës besnik i përpjekjeve të socilaistëve për demokraci dhe se do të ndihmonte me gjithcka mundej për ta “nxjerrë Shqipërinë nga llumi ku e zhyten kriminelët e vërtetë”.

E njëjta skemë dorëheqje u përdor edhe nga kristiandemokrati, Mark Frroku. Ai la mandatin e deputetit të Qarkut Shkodër, ditën kur në Parlament u diskutua në parim projektligji për dekriminalizimin. Kur i tha lamtumirë politikës, Mark Frroku ish i lidhur me pranga…Pra ishte një ikje e detyruar dhe jo dorëheqje.

MARK FRROKU
“Motivi dhe qëllimi i kësaj dorëheqje është fakti që ndaj meje po zhvollohet një proces gjyqësor në shtetin e Belgjikës, ku akomë nuk është marrë një vendim përfundimtar që prej 17 vjetësh dhe për këtë ngjarja është ndodhem në dhomat e paraburgimit në burgun 302 në Tiranës që prej datës 3 prill të 2015. I gjithë ky kalvar vuajtjesh ndaj meje dhe familjes time është politike dhe që daton nga momenti i divorcit tim me partinë-shtet, Partinë Demokratike…meqënëse duhet të penalizohet e të bëhet kurban një deputet për termin e dekriminalizimit, mua më ra si pjesë duke mos qenë pjesë e politikës së vjetër 25-vjecare”.

Armando Prenga, një tjetër deputet socialist, i cili u përfshi në në konflikt me armë për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut, u largua nga politika. Ligji i dekriminalizimit e çoi në dorëheqje të detyruar.

Përmes një letre drejtuar Kuvendit, Prenga shprehej se kishte zgjedhur të dotrëzonte mandatin për qetësinë e familjes së tij. Akti ndodhi kur prenga ishte i arrestuar.
Një javë para publikimit të dorëheqjes, Prokuroria e Përgjithshme pati njoftuar se nga verifikimi i të dhënave brenda dhe jashtë Shqipërisë për deputetin Prenga, kishte rezultuar se ai nuk ka deklaruar precedentët penalë në Itali në vitet 1996-1997, si dhe një vendim të formës së prerë të gjykatës së Kurbinit në Shqipëri, në të cilin është dënuar me gjobë për “falsifikim dokumentesh”

Listës së gjatë të deputetëve që do të trondiste si kurrë më parë parlamentin e Shqipërisë, shumë shpejt do i bashkohej edhe deputeti i Vlorës Dashamir Tahiri, i cili kishte vinte nga PDIU, por që garoi me logon dhe siglën e Partisë Demokratike.

Ky i fundit ishte shënuar nga policia italiane në qytetin e Foxhias për falsifikim parash.

Ndërsa në një rast të dytë, ishte dënuar me 9 muaj burgim më 1999 në qytetin e Ravenës për përdorim dokumentesh të falsifikuara. Rrjeta e dekriminalizimit në të vërtetë ia doli të kapë peshq të mëdhenj nga të gjitha palët.

Shkëlqim Selami, biznesmen i njohur ne qytetin e tij Vlorës, nuk do ta kishte menduar se dita që i tha po ofertës së LSI-së për të qenë deputet, do të ishte edhe fundi i tij i shpejtë poltik.

I dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, Selami mbante një masë sigurie, arrest me burg në qytetin e Brindizit në Itali në vitin 1994. Kjo masë sigurie raportohet se është ekzekutuar në vitin 2006. Por asgjë nuk harrohet. Dhe sidomos kur dosjet zgjohen një ditë.
Në radhët e LSI-së në listën e dekriminalizimit figuronte edhe emri i Gledion Rehovicës. Madje me një akuzë edhe me ordinere se të parët. I dënuar në vitin 1999 për veprën penale ‘vjedhje dyqani’, me emrin e ndërruar Kusta Mina, Rehovica nuk do ta mendonte se një ditë emri i tij do ishte në tryezën e KQZ-së për ti hequr mandatin.

Një tjetër parti e cila u desh të pastrohej nga dekriminalizimi ishte edhe PDIU. Aqif Rakipi deputet në siglën e çamëve në Elbasan, u detyrua të linte mandatin pasi rezultoi se kishte fshehur ndalimin në Itali në vitin 2008, në formularin e dekriminalizimit.

Rakipi me Alias Skënder Ejylbegaj ishte raportuar për marrje të mallrave të vjedhura.

Dekriminalizimi nuk preku vetëm ligjvënësit, por shumë kryebashkiakë, edhe pas zgjedhjeve më të fundit të 23 qershorit 2019, rezultoi se ishin kandiduar, edhe pse kishin rekorde kriminale.

Dosjet 339 dhe 184, që lidhen respektivisht me zgjedhjet parlementare të 2017 dhe zgjedhjet e pjeshshme vendore në Dibër në shtator të 2016, dëshmuan se kriminelët të sponsorizuar nga politika dhe të lidhur me segmente të larta të policisë, tashmë kishin hyrë mu në zemër të sistemin të demokracisë, pikërisht te vota, duke deformuar vullnetin e sovranit, nëpërmjet blerjes në këmbim të parave, apo kërcënimit me vendin e punës. Arsyeja përse ndërkombëtarët kërkojnë sot lista të ndara nga krimi.

YURI KIM
“Po punojmë me partitë politike, duke i inkurajuar ato, ndoshta edhe duke i bezdisur pak ato, të përmbushin detyrtimet e tyre ligjore dhe të punojnë për të ndërtuar besimin e popullit shqiptar duke propozuar listë kandidatësh që nuk ofendojnë votuesit, që nuk minojnë demokracinë dhe që nuk promovojnë korrupsionin. Liderët partiakë duhet të eliminojnë (ose heqin) çdo politikanët të korruptuar apo me lidhje me krimin nga pozicionet ku janë dhe jo ti propozojnë ato në pari. Zbatimi i plotë i ligjit të dekriminalizimit është thelbësor për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë”.

Por megjithë thirrjet për të krijuar një kohezion të ri me listat, duket se për një pjesë të politikës, prania e krimit është domosdoshmëri për fitore. Kryeministri Rama e sfidoi publikisht ambasadoren amerikane Yuri Kim, kur u shpreh se “unë s’kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time”, ndërsa kritikoi ligjin special, duke e cilësuar si një zgafellë dokumentash….

EDI RAMA
“Nuk e kuptoj dot akoma, 30 vjet pasi e kemi zgjedhur një sistem të përgjegjësisë individuale para ligjit t’i kërkohet partive politike e kryetarit të mbajnë përgjegjësi pse njëri apo tjetri del se ka gënjyer, se kuptoj ca duhet të bëj unë e një parti politike në Shqipëri, si të penetrojë nëpër zgafellat e dokumenteve që bota i ka të mbyllura, se s’ka në Evropë një ligj si ky?”

Por megjithë dëshirën e politikës për ta pasur krimin si aleat në zgjedhje, ambasadorja amerikan Yuri Kim nuk ka munguar në kundërpërgjigjet e saja që mund të quhen edhe si vija të kuqe. Në një reagim të fundit në tëiter, zonja Kim tha se listat e pastra, janë shenjë respekti për votuesit, jo dëshira ambasadorësh….

YURI KIM
“Udhëheqësit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thanë kështu ose sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka bërë të qartë se korrupsioni është një përparësi. Ata duhet ta bëjnë atë sepse kërkohet nga ligji i Shqipërisë, pritet nga një aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së, dhe kjo është një shenjë themelore e respektit për votuesit”.

Për kriminelët që u ngjitën deri në parlament, analisti Neritan Sejamini bën përgjegjës politikën ndërsa Baton Haxhiu e sheh si problematikë që na vjen për shkak të kontekstit social.

NERITAN SEJAMINI
“Është e pamundur që një person të ketë të shkuar kriminale dhe një kryetar partie të mos e dijë që ky person ka të shkuar kriminale”.

BATON HAXHIU
“Përgjegjësia realisht i takon kontekstit social. Nëse juve ju kujtohet derin në vitin 2005, në dosjet e bashkisë në dosjet e regjistrimit të emrave, ka pas raste, ose sipas statistikave deri në 25 për qind e popullsisë, kanë patur dy ose 3 emra të regjistruar, I kanë ndryshuar 2 apo 3 herë për të fshehur të kaluarën kriminale…Natyrshëm që liderët nuk mund të kalojnë në secilën dosje. Ata e kanë interesin politik. Normalisht pastërtia është ajo që I jep dimensionin edhe real të një partie politike, ku njerëzit që janë me të kaluar kriminale, nuk do duhet të ishin model i jetës politike”

Por a do ketë me të vërtetë një katarsis në listat për deputetë? A do ndahet politika nga krimi në këto zgjedhje.

Për Sejaminin bindja është se partitë do të ndryshojnë metodikë pune dhe do të bëhen më të zgjuara, edhe pse viza e ambasadës amerikane është e qartë.

NERITAN SEJAMINI
“Përpjekja që bën ambasadorja amerikane, është për të garantuar minumumin, minimumin e mundshëmn, është përpjekja për të mos pasur në parlement njerëz me të shkuar kriminale dhe ajo e ka theksuar pak, edhe njerëz që janë të njohur për korrupsion në shkallë të madhe. Është një presion që ajo i bën politikës, një presion pozitiv”.

Analisti Haxhiu e sheh nga një kënd tjetër apelin e ambasadores amerikane, Yuri Kim, duke i dhënë shumë rëndësi rolit të KQZ-së në pastrimin e listave….

BATON HAXHIU
“Ambasadorët i kanë zyrat e kryeministiut dhe liderëve të partisë dhe aty duhet ta kërkojnë përgjegjësinë për secilin deputet që kërkon të jetë pjesëtar i parlamentit. Kjo është mënyra më e mirë. Mënyra publike pastaj vetëm nëse janë mbyllur të gjitha rrugët dhe nuk ka sesi pastaj të veprohet. Por prapë mendoj se pesha e ambasadorit nuk është e mjaftueshme, duhet një letër nga DASH, duhet një letër një qëndrim i shtetit, edhe pse ambasadorja, përfaqëson shtetit.Por ndonjëherë pesha e ambasadores nuk duhet ta kalojë peshën e udhëheqësve të shtetit.

Por duket se bota e krimit është sërish një hap para…ngjan që gjen plot mënyra për tu katapultuar në politike…

NERITAN SEJAMINI

“Kriminelët do të sponsorizojnë përfaqësues të tyre në parlament, të cilët janë të pastër, pa asnjë lloj problem, në mënyë që të garantojnë se nuk do të kenë problem as me ligjin për dekriminalizimin as probleme të tjera politike. Frika sot nuk është futja direkt e kriminelëve në parlament. Por futja e personave që mbrojnë intersat e krimit. Dhe kjo është një gjë e vështirë si për ta kapur, si për ta luftuar”.

Në gjithë këtë betejë deklaratash të drejtpërdrejta nga ambasadorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, me thirrjet direkte për distancim të politikës nga krimi, Baton Haxhiu thotë se është përgjigjesi e Ilirjan Celilashit, që të vendosë sesi duhet të jetë fytyra e parlamentit shqiptar…

BATON HAXHIU
“Z.Celibashi, ai është i detyruar ti kursejë qytetarëve kriminelët. Kriminelë është fjalë e fortë, por edhe ata që kanë patur probleme në të kaluarën, ose kanë edhe tash. Zoti Celibashi po e zbatoj ligjin e dekriminalizimit unë besoj se Shqipëria nuk do të ketë nevojë që liderët ta përcaktojnë se cfarë do të jetë shija e parlamentit. Është në dorën e z.Celibashi të përcaktojë se di do duhet të dukej parlamenti i Shqipërisë”.

Por kriminelët në mos janë në parlament janë jashtë tij dhe politika ua di strofkën sa herë ka nevojë për shërbimin e tyre. Dosja 339 dhe 184, na treguan se ata janë gjithmonë të gatshëm të paraqiten në detyrë në këmbim të interesave okulte dhe gjasat janë të jenë gjithmonë aty, sa herë tu shkelet syri nnga ndonjë politikan….

NERITAN SEJAMINI
“Kështu në këtë lloj kuptimi përderisa në nuk kemi ndëshkuar problemet elektrorale, krimet elektorale që kanë ndodhur në të shkuarën mund të mendohet që po këto mund të përsëriten. Theksuar nga fakti që partitë politike varen nga të “fortët” dhe po i quaj të fortë, nuk po i quaj kriminelë. Të të fortet futen edhe ata që janë të përfshirë në akrivitete kriminale dhe ata që manovrojnë në kufirin midis ligjit dhe paligjshmërisë. Këta janë një element i rëndësishëm, një levë e rëndësishme e partive politike.Si për financim ashtu edhe për të nxitur votën. Asgjë ska ndryshuar dhe besoj që kjo do të ndodhë.

BATON HAXHIU
“Ka një traditë, që nga viti 1997, 2001 pastaj 2005, që në zona të caktuara kur shtetit nuk ka qenë prezent, të fortët kanë patur në dorë thesin e votave, dhe ato vende kanë qenë të evidentuara, nëse shteti nuk është i fortë në zona të caktuara, atëherë bëteja është mes të fortave. Të fortë në njërën anë të fortë në anën tjetër. Dhe beteja për pushtet i ka vënë në lojë ato në përballje”.

Shitblerja e votës shihet si fenomeni me negativ, që minon bazat e demokracisë, por sa kohë deformon vullnetin e sovranit, ndaj Baton Haxhiu thotë se korrupsioni zgjedhor duhet ndëshkuar.

BATON HAXHIU
“Te ne ende ka mbet modeli i vrazhdë i korrupsionit: Cili është? Të paguash fatura në periferi diku të fshatrave, të borxheve që kanë dyqane apo në shitoret e fshatit, të paguash energjine elektrike. Dhe e palejueshme është, normalisht është për burg menjeherë kur në vendin e ngjarjes e blen votën dhe e paguan njeriun me pare cash për t’ja treguar votën, ose votën e fotografuar sapo del nga vendvotimi. Ky është korruptim klasik”.

Analistët pajtohen plotësisht vetëm në një pikë; te hetimi i financimit të partive….që e shohin si burimin kryesor të korruopsuonit dhe sipërmarrjen me të madhe të SPAK në të ardhmen….

NERITAN SEJAMINI
“Baza e problemit nuk janë kriminelët, janë partitë politike, mënyra sesi ato financohen, mënyra sesi ato organizohen. Nëse ne nuk zgjidhim problemin e partive politike, zor se do të zgjidhim problemet e tjera të korrupsionit dhe kriminalitetit. Financimi i paligjshëm i partive politike, është origjina e të gjithë korrupsionit, dhe aktivitetit kriminal që ndodh në qeverisjen dhe në politikën i vendit”

BATON HAXHIU
“Realisht pika më e dobët e të ardhmes, dhe pika më e fortë e SPAK për të ardhmen është financimi i partive politike. Aty do thyhen shtizat dhe unë besoj pas këtyre zgjedhjeve duhet të bëhet një verefikim i jashtëzakonshëm për financimin e partive politike. Se aty krijohen privilegjet, aty krijohen privilegjet e të fortëve, aty krijohen privilegjet në institucione, aty krijohen privilegje në biznese, aty krijohen me kete model krijohen edhe pabarazia në qasje, ose me konkurrencë.
Po ndërsa pritet të bëhen publik emrat e kandidatëve, Lulzim Basha që prin Opozitën e Bashkuar në këto zgjedhje, duket më i prerë në qasjen e tij për të mbajtur larg docentët me precedentë penalë që mund t’i rrëzojnë edhe kauzën e tij të dekriminalizimit. Ai thotë se një komision i posacëm ka vetuar kandidatët dhe në këtë mënyrë iu ka prerë rrugën personave me të shkuar kriminale që të garojnë nën siglën e Partisë Demokratike.

NERITAN SEJAMINI
“Këtu nuk është me cështja e zgjidhjes teknike dhe një procesi hetimi teknik, këtu është cështja e vullnetit politik. Nëse kryetarët e partive nuk do të duan njerëz të fortë për të marrë prej tyre para, për të marrë prej tyre premtimin se do këcënojnë për votën jam i sigurt që nuk do të ketë njerëz me rekorde kriminale. Nëse këta marrin njerëz të cilët kanë kontribute publike, njerëz të cilët njihen për kontributet e tyre në komunitet, njihen për punën në komuniteta, atëherë partitë politike nuk kanë nevojë fare as të ngrejnë komisione, as të tremben se mos dikush ju hyn jashtë vemendjes së tyre në Kuvend, duke qenë kriminelë”.

BATON HAXHIU
“Mund të bëjnë nje veting pofesional, mund të bëjnë një vetting të aftësisë së tyre për të udhëhequr nëpër zona… por asesi dhe në asnjë mënyrë që një parti politike do të bëjë vettingun për të kaluarën e tyre…”

“Do të jetë e hidhur shija që retorika e këtyre zgjedHjeve do të na lërë pas”, thotë Sejamini, ndërsa Baton Haxhiu nuk pret surpriza.

NERITAN SEJAMNI

“Kjo fushatë elektorale do të lërë një shije të keqe, në kuptimin e banalitetit, vulgaritetit sharjeve dhe fyereje të të gjithë palëve. Për një sërë arsyesh. Elita politike nuk ka qarkulluar, pak a shumë janë të njëjtën politikanë, të cilët janë share, janë folur në të shkuarën dhe do të përsërisin këtë gjë edhe në të ardhmen”.

BATON HAXHIU
“Për shkak të pandemisë, besoj do jetë ndryshe, edhe për faktin që retorika politike është e njohur. Nuk pres supriza. Suprizën e pres vetëm nëse vetëvendosja para këtyre zgjedhjeve apo gjatë zgjedhjeve e merr një fitore plebishitare në Kosovë do kthehet e ndërton një diskurs të ashpër”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb