TIRANË

“Nga pikëpamja sociologjike kjo që propozon Edi Rama i vë kryetarët e partive në pozitën e mbretërve. Tregon dominancën prepotente të kryetarëve të partive që vjen mbi listat”.

Kështu mendon akademiku Artan Fuga, i cili ka komentuar në studion e News24, në rubrikën “Opinion” situatën politike dhe debatet për listat e hapura sipas propozimit të kryeministrit Edi Rama apo sipas propozimit të kryedemokratit Lulzim Basha. Ai i interpreton këto propozime me atë që quhet topi i borës.

“Unë mendoj që ka një zhvillim i cili shpeshherë quhet topi i borës. Pas marrëveshjes së 5 qershorit në kuvend Rama u duk sikur bëri një hap përpara drejt demokratizimit së bashkua me atë që unë e quajt opozita jopartiake, pa parti. Opozita jopartiake bashkë me maxhorancën theksuan se ne mund t’i hapim në 2/3 listat pra jemi më demokratë se demokratët. Dje ishte lëvizja e zotit Basha që nëse jemi për listat ato të jenë të hapura tërësisht. Nga kjo pikëpamje opozita e bashkuar, opozita reale shkoi dhe një hap tjetër përpara, në këtë mënyrë kemi topin e borës. Propozimi i zotit Basha është më i avancuar se i zotit Rama. Të shikojmë ku do të shkojë”, tha ai.

Po përse tani ky propozim? “Sepse ai në një farë mënyre është i detyruar ta sfidojë propozimin e z. Rama, është gjendja e natyrshme e opozitës për ta kapërcyer pushtetin. Një lloj dialektike e kundërshtimeve”, u shpreh Fuga.

Ai tha se nuk ka lista të hapura në propozime dhe se kemi të bëjmë më një lloj semantike pasi elektorati do votojë kandidati që është brenda listës së partisë. Sa i përket koalicioneve Fuga tha se përpjekja për heqjen e tyre është në interesin e maxhorancës.

“Nuk e di se çfarë qëllimesh ka z. Rama po di atë që është shprehur. Nuk ka fare lista të hapura, është një lloj semantike. Ajo që propozon Rama dhe opozita pa parti janë lista të mbyllura. Elektorati do votojë për kandidatin që është brenda partisë, është e mbyllur. Për elektoratin janë lista të mbyllura në të dyja rastet. Heqja e koalicioneve, përpjekja është në interesin e maxhorancës.
Elektorati duke parë që mund të votojë për opozitën në përgjithësi por mund të gjejë ngjyresat e veta. Elektorati i PDIU shkon e voton kanditatin e PDIU por do e kishte të vështirë nëse nuk kishte identitet. Lista e përbashkët i zhbën identitetet politike të veçanta dhe humb interesin e elektoratin. Edhe në kalkulimet që bëhen duke qenë se këto parti brenda koalicionet mund të marrin vota të elektoratit të tyre mund të kenë vende më shumë. Është e qartë pse maxhoranca kërkon një listë.
Në konceptin tim as listat e hapura pjesërisht, as listat e hapura totalisht nuk janë të hapura, në kuptimin që elektorati të gjykojë për individin dhe të jetë vota ndaj individit që të masë vlerën e përfaqësimit të një partie. Ajo që matet është vetëm vota për partinë, pastaj secila nga partitë do marrë më pak apo më shumë vota unë e quaj luftë e vëllezërve ujq. Ajo që ka propozuar maxhoranca, sigurisht është flagrante që nuk sjell asgjë dhe është e mbyllur. Në qoftë se në një zonë do ketë 24 kandidatura një parti, supozohet që nga 24 do marrë 12 vende, nga këto 12 i bie që 8 të jenë të përcaktuar nga partia, mbeten 3-4 deputetë. Nga pikëpamja sociologjike kjo që propozon Edi Rama i vë kryetarët e partive në pozitën e mbretërve. Tregon dominancën prepotente të kryetarëve të partive që vjen mbi listat. Kjo iu intereson zyrtarëve kryesorë të partive, lidershipit që e vë veten në pjesën e mbyllur të listës dhe në fund diskutohen 3-4 vende që mund të ndërrojnë vend nga vota elektorale. Ajo që propozon z.Rama janë me privilegje politike për lidershipin partiak. Kjo që thotë z. Basha të gjithë kandidatët do të viheshin në një rang. Megjithëse kemi një hap më emancipues përsëri mendoj që nuk besoj se do ishte një zgjidhje. E shikoj si një debat propagandistik”, deklaroi Fuga.

Sa i përket zgjidhjeve ai thotë se ose duhet të ndryshonte i tërë sistemi ose marrëveshja e 5 qershorit ashtu sikurse u firmos pa asnjë ndryshim. Duke qenë se e para nuk mundet të bëhet më atëherë Fuga qëndron tek e dyta, por thotë se marrëveshja nuk është votuar ashtu siç është.

“Kishte dy rrugë ose të ndryshonte i tërë sistemi, ose një mënyrë tjetër që nuk zgjidh problemin por modus viventi është që marrëveshja e 5 qershorit, ashtu sikurse u aprovua dhe u firmos të qëndrojë ashtu siç është. Kemi ardhur në një kakofoni semantike. Edhe opozita jashtë parlamentit thotë që marrëveshja u prish, shumica voton marrëveshjen. Të dyja flasin për të njëjtat gjëra dhe ne i quajmë me emra të përveçëm. Është një lojë semantike që çdo njeri që ka bërë 5 orë filozofi e di që nuk ka sens. Nëse kemi një marrëveshje, është e fiksuar në disa pika por nuk mund të ruhen. Unë mendoj që ka një problem semantik edhe për mediat. Nuk janë lista të hapura në asnjërin rast. Nuk është votuar marrëveshja e 5 qershorit. Nuk shënjon një emër i përveçëm 5 qershorin nëse fusim interpretime të ndryshme nuk mund të quhet marrëveshja e 5 qershorit.

Mendoj që në këtë rrugë ku janë futur janë futur në një hulli, e cila unë për veten time nuk mendoj se maxhoranca do pranojë propozimin e z. Basha i cili e ka sfiduar fort të propozojë që në listën për kandidatë, kryetarët e partisë, drejtuesit kryesorë, ministrat të kenë të njëjtin status si deputetë të thjeshtë. Nuk e mendoj këtë sepse këta ministra kanë ngarkesën e 8 vjetëve pushtet dhe elektorati nuk është i prirur t’i japë votën personale. Nuk mendoj që do të ecë”, deklaroi Fuga.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb