Siç pritej, tri partitë kryesore politike në vend shpallën listat e tyre me kandidatët për zgjedhjet legjislative të 25 prillit të ardhshëm Edi Rama me PS-në të kujton me këtë “revolucion” se po bën në lista atë shprehjen e famshme të shkrimtarit italian aristokrat sicilian, Di Lampeduza, të shekullit të kaluar, “Nëse do të ruash statu quo-në, duhet të ndryshosh gjithçka”. Të ndërrojmë gjithçka që të mos lëvizim asgjë, po bëhet kështu motoja e Rilindjes, e cila ndërrimin e ka filluar që nga vetja, nga sigla e saj, e cila zhduket për t’ia lënë vendin ringjalljes së siglës së PS-së.

“Rilindja ka falimentuar, ka ardhur koha që pushtetin ta marrë PS-ja”, shkruante para zgjedhjeve të kaluara të 2017-së i zhgënjyeri ish-socialist, Ben Blushi. Rama po ia plotëson më së fundmi dëshirën ishkryetarit efemer të “Libras”, por sipas atij variantit të vjetër monarkist francez, “Rilindja vdiq, rroftë Rilindja!”.

Listat me emrat e rinj e të panjohur që po na servir pretendenti për një mandat të tretë radhazi kryeministror, s’mund të lënë në këto kushte veçse përshtypjen e asaj pudrës talk që mbretërit e Francës hidhnin jo vetëm në fytyrë, por edhe mbi flokë, për të maskuar rrënojën apo maskaradën fizike dhe morale pas vitesh e vitesh ngopjesh e përçudnimesh të gjithfarshme në pushtet.

Në teatrin e marionetave të Rilindjes, emrat e rinj, numri i lartë i grave, logoja trëndafil e PS-së, shërbejnë si fasadë maskonjëse dhe mashtronjëse për të ruajtur esencialen, Ramën e kompani, si ajo mbretëresha dhe suita e saj e paprekshme në zemër të kosheres.

Ata njerëz të rrethit më të afërt të Ramës, që nuk do jenë në gjendje të zgjidhen deputetë, me siguri do të jenë ministra apo në poste të tjera kyçe shumë më tepër vendimmarrëse dhe shumë më mirë të shpërblyera financiarisht dhe materialisht sesa posti i një deputeti kukull.

Zonja Çomo dhe simotrat të nderuara si ato, që do të kryesojnë listat e PS-së, janë thjesht karremi për të kapur peshkun e madh naiv-votues Rama e di më mirë se kushdo se më dështak se Taulant Balla, që u premtonte drejtësi dhe fund pandëshkueshmërie shqiptarëve në fushatën e 2013-ës, që solli Rilindjen në pushtet, lodhja në elektorat ka prekur limitet.

Trimëria apo sinqeriteti i Ramës do të ishin tamam në provë sikur ai të marrë guximin e të shpallë se ata “elefantë” të PS-së që nuk arrijnë të zgjidhen, nuk do të kenë në rast fitoreje të së majtës asnjë post shtetëror përveç atyre partiake.

Zonjën Çomo do ta preferonim ta shihnim ministre të Shëndetësisë, aty ku moraliteti apo imoraliteti i saj do ta bënin të firmoste apo jo tenderët që do t’ia tundte nën hundë shefi i saj nëse ky vazhdon me një mandat të tretë. Një deputet është thjesht një shuk letre në një kuti votimi, është ky morali i Edi Ramës dhe realiteti i dramës politike shqiptare.

Më bëjnë shpesh kritika në analizat e mia se merrem shumë me opozitën. Do t’i lë më pak vend në këtë shkrim, por nuk mendoj më mirë sesa për maxhorancën.

Merrni rastin e një Monike Kryemadhi. E ç’mesazh tjetër përveçse atij të pushtetit për pushtetin jep kryetarja e LSI-së, ku pa pikën e kompleksit vihet tri herë në krye të listave në tri qarqe të ndryshme. As nuk do ta kisha imagjinuar se një gjë e tillë është legalisht e mundshme. Po nuk e deshi elektorati në një zonë, ç’kuptim ka ta provojë fatin në një qark tjetër përveçse ethja se duhet të fitojë modemos?!

Po ashtu, ç’janë gjithë ata ish-ministra e ish-zv.ministra të LSI-së, që kjo parti vazhdon t’i afishojë krenare listave? Pa qenë ende në pushtet, kjo parti të jep përshtypjen se nuk ka hequr dorë nga kompleksi apo oreksi për të shpërndarë rroga të sigurta si ajo e deputetit, besnikëve më të devotshëm të partisë.

E së fundmi PD-ja. Me konvencionale se kaq, ajo s’mund t’i kishte bërë këto lista. Pak si PS-ja me emra të rinj, pak si LSI-ja me emra të vjetër deri tek i vjetri fare Sali Berisha, duke mos harruar pak edhe nga mediat një Agron Gjekmarkaj, që personalisht zbuloj se qenka i damkosur PD-ist kur kujtoja se i servirte opinionit opinione të paanshme.

Nëse ka një problem real me listat e PDsë, ai është i llojit programatik. Për çfarë individualitetesh në Parlament, në sensin e botëkuptimit dhe të mendimit të lirë, mund të pretendojë PD-ja, kur programi është shpallur para kandidatëve, që do të thotë se si ushtarë të mirë e të bindur, këta s’mund të jenë veçse dakord me gjithë premtimet e kryetarit të PD-së, pa mundësinë e një korrektimi apo të një ideje ndryshe sado të vogël. Logjika demokratike ose logjika fare shkurt do të kish dashur që kandidatët që do të përfaqësojnë popullin në Kuvend, të kishin thënë një mendim të tyre apo të kishin pasur një kontribut të tyre në programin që ata do të duhet ta mbrojnë si “luanë” në Kuvend. Por, për PD-në e Lulzim Bashës, me siguri që ky është më i vogli apo më i papërfillshmi i halleve që ka në këtë moment. E rëndësishme është të fitojë, por sa besojnë te programi ata që do të zgjidhen, është sikur të kërkosh qiqra në hell.

Si konkluzion, të tre kryetarët e partive, me këto lista që kanë depozituar në KQZ, kanë bërë thjesht një qokë të detyrueshme demokratike, pasi loja e vërtetë në mënyrën sesi është dizajnuar sistemi institucional shqiptar nuk luhet në Parlament, por në zyrën e Monarkut Kryeministër. Dhe ky është tmerri pa fund shqiptar, sepse të tria këto parti e kanë okupuar zyrën e Kryeministrit pa u preokupuar për problemet tridhjetëvjeçare shqiptare. Në 25 prill, një parti që na ka udhëhequr në të kaluarën do “të vdesë”, por rroftë megjithatë partia… Shqiptarët janë të detyruar të presin dhe 4 vjet të tjera para se të fillojnë të mendojnë se ndryshimi është teorikisht i mundshëm./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: