Banorët e Bregut të Lumit janë ngritur në protestë edhe sot. Në mbrojtje të banesave të tyre, të cilat preken nga ndërtimi i projektit të “Unazës së Madhe” kanë kërkuar ballafaqim me autoritetet.

“Ju bëj thirrje, Erion Velisë, Edi Ramës  të hyjë e të ulet me këta banorë të bisedojë me këta banorë. T’i japë një rrugëzgjidhje. Po na dha ne zgjidhje, ne do kthehemi në shtëpi.

Ndaj edhe i bëj thirrje të vijë të ulet me banorët, të bisedojë pastaj tërhiqemi ne. Kur ishte koha e zotimeve, na the legalizim falas. Afrohu këtu se na ke premtuar legalizimin. Apo je mashtrues ti”, tha një nga banorët.

“Atëherë i bëj thirrje edhe njëher mediave, ta transmetojnë. Kemi hedhur djersën këtu ne. I bëj thirrje Ramës, përballu me popullin, se ai të ka vënë në atë karrike. I bëj thirrje banorëve të bulevardit të kërkojnë të drejtën e tyre. Kur ke marrë votat, na ke thënë  vetëm nga varri do ju shemben shtëpitë”, tha një tjetër.

I pranishëm gjatë protestës së tyre, ishte edhe deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i cili tha se Rama e ka kaluar vijën e kuqe dhe se koha e tij ka marrë fund.

“Sot e gjithë Shqipëria është në protestë, kush po e mban në këmbë Edi Ramën. Vetëm krimi i organizuar nuk është protestë. Sot është më e qartë se kurrë se këta banorë, studentët dhe qytetarët i kanë dhënë fjalën e fundit qevrrisë, se koha e tyre ka marrë fund, kanë kaluar vijën e kuqe. Tashmë koha e bandave e Edi Ramës ka marrë fund, është koha e qytetarëve”, u shpreh Balliu.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb