TIRANË

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në një konferencë me gazetarët se PD sapo ka depozituar në Kuvend amendamentet kushtetuese.

Në fjalën e tij, Basha sqaroi këto amendamente, duke u shprehur se së pari kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe zhbërjen e ndryshimeve të 30 korrikut, që sipas kryedemokratit, u kaluan pa vullnetin e opozitës.

Më tej, Basha theksoi se amendamentet kanë të bëjnë “me katastrofën e përditshme, që përjetojnë shqiptarët”, si dhe me vettingun e politikanëve.

“Për të njoftuar pikë së pari se para disa minutash PD ka depozituar në Kuvend amendamentet kushtetuese në lidhje me tre prioritete absolute për të nxjerrë shqiptarët nga depresioni, kriza, produkt i keqqeverisjes. Ashtu siç ju kam informuar, këto tre çështje kryesore në amendamentet tona kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, përfshirë të gjitha aspektet e saj, edhe patronazhistët të cilët i pretë belaja, bashkë me kreun e tyre; për të organizuar përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme hapin e parë për daljen e Shqipërisë nga kriza, që është kthimi i Shqipërisë në shina.

Lënia e pushtetit nuk është dramë. Amendamentet kushtetuese kanë të bëjnë me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të 30 korrikut, të kaluara pa vullnetin e opozitës, dhe depozitimi i kërkesës për komisionin zgjedhor, për të nisur sa më shpejt punën, me qëllim që reforma zgjedhore me të gjithë komponentët e saj të nisë një orë e më parë,

Amendamenti tjetër ka të bëjë me katastrofën e përditshme, që përjetojnë shqiptarët. Në këtë kuadër propozimi ynë është i qartë. Në Kushtetutë ekzistojnë ende komunat, akoma ka një vullnet që e kam prekur në çdo tur, për të pasur pushtetin vendor afër qytetarëve. Të shumtë janë ata që mendojnë se me këtë ndarje kanë asgjësuar çdo shërbim, nuk i përgjigjet kërkesave të qytetarëve.

Kemi paraqitur amendamentin tonë që parashikon bashki urban dhe rurale, pak rëndësi ka nëse do quhen bashki dhe komuna, rëndësi ka që vendori t’i shërbejë qytetarëve. Propozimi i tretë ka të bëjë me vetingun e politikanëve. Koncepti i 2018 për ta pastruar Kuvendin nga politikanë që lidhen me krimin, është objektiv edhe sot, por ka një ndryshim themelor.

Një nga pyetjet që nuk i jemi përgjigjur dot në 2018, se kush do e bëjë vetingun e politikanëve. Përgjigjja jonë eshtë sot e definuar në propozimin kushtetues, ia kalon këtë detyrë një institucioni të ngritur tashmë, funksionimi i të cilit është ende në provë, dhe kjo është SPAK në tërësinë e saj, nga prokuror

Cfarë do kontrollohet? Sic e kemi thënë prej fillimit, pandëshkueshmëria e politikanëve të lartë është një ndër problemet pse nuk ecet para. Vëmendja kryesore është shkëputja e politikës me krimin. Procesi i kontrollit të deklarimit të pasurive ka qënë në kritikë të vazhdueshme dhe numri e niveli i subjekteve që kanë provuar forcën e ligjit është shumë modest. kemi fakte konkrete që i kemi denoncuar, media i ka publikuar, kemi edhe akuza në të dyja drejtimet.

Pra, akuzat e paprovuara shërbejnë për të mbuluar këtë llum korrupsioni ku është zhytur një pjesë e politikës duke vjedhur paratë e pronat publike të shqiptarëve. Ky është momenti që sic thotë populli të ndahet shapi nga sheqeri.

SPAK të marr këta politikanë të lartë dhe t’i fusë në sitën e kontrollit rutinë të kontrollit të familjarëve të tyre, apo të tretëve që menaxhojnë pasuri të paligjshme të politikanëve.”, tha Basha.

PR/LIGJET E DEPOZITUARA NGA PD

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb