Ishte projektuar si një sfidë “bombë”, ndeshja më e rëndësishme e fazës së tretë, një sfidë direkte për titull, por Tirana e kthen në “lojë fëmijësh”. Në “Air Albania” bardheblutë ishin thjesht fantastik, të papërmbajtshëm duke i shkaktuar Laçit një humbje me “poker” golash.

Kryeqytetasit shohin sërish nga titulli, qëndrojnë të qetë në krye, plus 6 pikë në raport me kurbinasit. Asnjë gol nuk kishte pësuar Laçi në katër ndeshjet e fundit por Tirana i shënon katër gola vetëm brenda pjesës së parë duke i dhënë një leksion futbolli. Xhixha ishte protagonisti kryesor, autor i një dygolëshi dhe një asisti. Nuk mungoi në këtë banket as Seferi, i cili fitoi duelin në distancë me Guindo.

Sfida nisi “zjarr” me Redon Xhixhën që kaloi kryeqytetasit në avantazh që në minutën e 5-të. Ish sulmuesi i Laçit mori një “dhuratë” të vyer nga Roganoviç që ktheu një top keq pas, Xhixha nuk shpërdoroi duke i dhuruar Tiranës avantazhin.

Atë që konsiderohej një sfidë shumë e vështirë, Tirana po e kthen në një “lojë fëmijësh” teksa në minutën e 19-të, Najdovski shënoi dhe golin e dytë.

Nuk mund të mungonte në këtë banket golash as Taulant Seferi, me sulmuesin e Kombëtares që realizoi golin e tretë duke u ngjitur i vetëm në krye në listën e golashënuesve më të mirë me 12 finalizime.

Kjo transfertë kthehet në makth për kurbinasit teksa në fundin e pjesës së parë, Xhixha merr një top fantastik nga Hoxhallari dhe i vetëm përballë portierit e ka të lehtë të dërgojë topin në rrjetë, dopjetë personale dhe poker bardheblu.

Pas katër golave të shënuar, Tirana dukshëm uli ritmin ndërsa Laçi u përpoq të futej në lojë, në minutën e 47-të fituan një 11-metërsh të cilin Shehu e konvertoi në gol, por vetëm kaq. Në fund festa ishte e gjitha për tifozët bardheblu.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb