Mbledhja e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, nisi dhe përfundoi me debate në lidhje me diskutimet për rendin e ditës dhe rregulloren.

Kreu i Komisionit Enkelejd Alibeaj, teksa prezantoi rendin e ditës së sotme, u shpreh se ky takim ishte vazhdim i ezaurimit të mbledhjes së parë, për të diskutuar për shqyrtimin e miratimit të rregullores si edhe zgjedhja e sekretarit.

Nga ana tjetër nënkryetari i Komisionit Parlamentar, Toni Gogu kërkoi që të miratohej në parim rregullorja dhe të votohet rendi i ditës, kërkesë e cila u kundërshtua. Pas shumë debatesh, anëtarët e PS-së janë larguar nga mbledhja. Ndërkohë, Alibeaj vendosi që mbledhja e radhës të mbahej më 27 tetor.

PJESE NGA DEBATI
Bardhi: Nuk votohet rendi i ditës në Komision.

Bylykbashi: Një kërkesë e tillë është pa vend, aq më tepër edhe përcaktimi i mbledhjes së Komisionit.

Bushka: Nuk po bëjmë një kërkesë për të hedhur në votim rendin e ditës, por duke qenë se këtu nuk është respektuar këshillimi mes kryetarit dhe nënkryetarit, për ta vënë në shina në përputhje me rregulloren ligjore. Për ne nuk ka problem.

Alibeaj: Rendi i ditës është vazhdim i ezaurimit të mbledhjes së parë. Rendi i ditës kishte 7 pika, nga të cilat kemi ezauruar 4 të parat dhe kanë mbetur edhe 3 të fundit.

Gjatë fjalës së tij deputeti i PD-së Ervin Salianji, tha se disa prej propozimeve cenojnë veprimtarinë e Komisionit pasi bien ndesh me ligjin.

“Siç u dakordësuam me kërkesën e parë të PS, ne duhet të vinim me një produkt të përcaktuar në lidhje me ndryshimet e propozuara. Ka pasur disa propozime që bien ndesh me etikën”, tha ai.

Alibeaj: Kuptova se ju nuk keni gjetur gjuhën e përbashkët.

Salianji: Të votojmë në parim rregulloren e propozuar nga kryetari

Diskutimi ka vijuar më tej mes palëve, ndërsa nga ana e tij, Gogu theksoi se në këtë mbledhje kryetari i Komisionit Alibeaj, po kërkon të humbë kohën dhe se sipas tij qytetarët duan që hetimet të nisin sa më parë.

Ndërkohë Alibeja theksoi se që nga nisja e takimit ka respektuar pikë për pikë rregulloren dhe se nuk ka ndërmend t’i kufizojë fjalën askujt në këtë mbledhje.

Gogu: Në cilësinë e zëvendës kryetarit detyrohen për shkak se vazhdoni që të uzurponi të drejtën e Komisionin për të vendosur rendin e ditës dhe ecurinë e kësaj mbledhje. Po shpërndani kohën dhe kemi humbur 30 minuta nga propozimi i bërë për të hedhur në votim rregulloren. Duam t’i hapim rrugë hetimit, ju vazhdoni që të mos hidhni në votim propozimet tona…Nëse kjo është mbledhja e parë dhe në mënyrë flagrante shpërndani kohën. Zoti Saliaji luan rolin e relatorit të rregullores së keni propozuar. Kryetar ju ftoj pa humbur kohë të zbatoni ligjin, qytetarët po presin hetimin e zgjedhjeve që ju po i bëni pis pa nisur ende hetimi.

Alibeaj: Ne kemi të gjithë vullnetin për ta bërë hetimin e kërkuar nga ne. Kjo nuk do të thotë që unë të mos respektoj rregulloren se si do të bëhet mbledhja. Nuk kam ndërmend t’i kufizoj të drejtën e fjalës askujt. Kërkuat fjalën ua dhashë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb